Ngjarje

OKB kritika për situatën në burgjet shqiptare: Mbipopullim dhe mungesë shërbimi shëndetësor

Burgjet shqiptare janë të tejmbushura dhe vendi duhet të bëjë përpjekje shtesë për të luftuar mbipopullimin duke reduktuar numrin e të paraburgosurve, thanë ekspertët e OKB-së për parandalimin e torturës gjatë vizitës së tyre në vend.

Ekspertët gjithashtu theksuan nevojën për të siguruar qasje në kujdes shëndetësor cilësor në paraburgim.
“Numri i lartë i të paraburgosurve është shqetësues. Duhet të ndërmerren hapa pa vonesë për të reduktuar numrin e të burgosurve në Shqipëri, si një mjet për të parandaluar trajtimin mizor, çnjerëzor dhe poshtërues”, u shpreh kryetarja e delegacionit, Vasiliki Artinopulo.

Ajo deklaroi se një ndër masat për të luftuar mbipopullimit nëpër burgje ishte edhe amnistia, të cilën e mbështeti.

“Ne mirëpresim masat ekzistuese për të adresuar mbipopullimin, siç është Ligji për Amnistinë dhe ndërtimi i burgjeve të reja. Megjithatë, objektet e reja do të mbushen shpejt nëse Qeveria nuk arrin të trajtojë shkaqet kryesore të mbipopullimit. Qeveria duhet të përshpejtojë reformat në drejtësinë penale duke siguruar një zbatim efektiv të alternativave ndaj paraburgimit.”

Ekspertët e OKB-së erdhën dhe mbikëqyrën burgje, institucione të paraburgimit, komisariatet e policisë dhe institucionet psikiatrike nga datat 14 deri më 20 prill.

Gjatë këtyre vizitave të paparalajmëruara, delegacioni zhvilloi intervista konfidenciale me të burgosur dhe të paraburgosur nga liria, roje të burgjeve, punonjës policie dhe personel shëndetësor.
Ekipi u takua gjithashtu me ministrin e Drejtësisë, atë të Shëndetësisë, shoqërinë civile dhe organizatat ndërkombëtare që veprojnë në Tiranë.

Delegacioni i OKB gjeti akses të pamjaftueshëm të të paraburgosurve në kujdesin shëndetësor, duke u shprehur se kjo çështje mund të rrezikojë jetën e të burgosurve.

“Jo vetëm që aksesi në kujdesin shëndetësor, përfshirë kujdesin mendor, është i vështirë, por edhe cilësia e shërbimeve është shqetësuese. Kjo çështje ndonjëherë përbën një kërcënim për jetët e njerëzve, duke shkaktuar vuajtje që mund të jenë keqtrajtime".

OKB do të hartojë një raport në lidhje me gjetjet dhe rekomandimet përkatëse. Raporti nuk do të publikohet nëse shteti shqiptar nuk jep miratimin për këtë


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë