Ngjarje

Lea Ypi dhe Mira Murati, anëtaret e reja të Akademisë së Shkencave që nuk i përmbushin kriteret

Nga Gazeta Si - Lea Ypi dhe Mira Murati janë dy anëtaret e reja të jashtme të Akademisë së Shkencave.

Me një votim në mbledhjen e Asamblesë së Akademisë së Shkencave, Lea Ypi dhe Mira Murati u votuan si anëtare të jashtme të Akademisë së Shkencave të Shqipërisë.

Në prezantimin e përgatitur nga Akademia e Shkencave, thuhet se Ermira (Mira) Murati (35 vjeç) është studiuese e drejtuese ekzekutive në "Open Artificial Inteligence" që nga viti 2018.

Pas një bashkëpunimi si studiuese prej më shumë se shtatë vjetësh ajo u zgjodh të udhëheqë punën në "ChatGPT".

Është supervizore e përparimeve teknike dhe e drejtimit të projekteve shkencore parësore të "Open AI". Veprimtaria e saj përfshin shtyrjen e kufijve të mësimit të makinerive, ndërkohë që mbron përdorimin e përgjegjshëm e etik të teknologjive të AI.

Është vlerësuar nga autoritetet teknologjike për një aftësi të shkëlqyer të demonstruar për të mbledhur me sukses ekipe me ekspertizë teknike, mendjemprehtësi tregtare dhe gëzon një vlerësim për rëndësinë e misionit. Rekomandues janë akademiku Anastas Angjeli dhe profesor Dhimitër Tona, që e cilësojnë kandidaten si një nga personalitetet më të njohur sot në fushën e zhvillimeve teknologjike dhe të inteligjencës artificiale.

Ndërkohë Lea Ypi, shkruan ASH në prezantimin e saj, është e njohur dhe e vlerësuar ndërkombëtarisht si studiuese e shkrimtare shqiptare; autore e tetë veprave studimore e letrare të mirënjohura, të botuara anglisht, gjermanisht, frëngjisht, holandisht, spanjisht, italisht e kinezisht; dy prej tyre të botuara dhe në shqip. Rekomandues të kandidaturës së saj janë akademikët Floresha Dado e Stefan Çapaliku, të cilët vlerësojnë se kandidatja është një personalitet me sukses të jashtëzakonshëm në shkallë ndërkombëtare, me prestigj të lartë.

Lea Ypi është doktore e shkencave në filozofi, profesore e filozofisë politike dhe titullare lënde në Shkollën e Shkencave Politike dhe Ekonomike të Londrës; profesore në Universitetin Kombëtar të Australisë; profesore e ftuar në dhjetëra universitete në të gjitha kontinentet me mbi 100 ligjërata të hapura.

Por a i përmbushin Ypi dhe Murati kriteret për të qenë anëtare të jashme, pavarësisht arritjeve të tyre?

Në statutin e Akademisë së Shkencave shkruhet se që një person të bëhet pjesë e ASH si anëtar i jashtëm duhet të përmbushe disa kritere specifike:

-Të ketë titullin “profesor” apo gradën "PhD", të fituar këtë të fundit prej të paktën 15 vjetësh në fushat teknike sociale dhe prej 10 vjetësh në shkencat e natyrës.

-Të jetë punonjës akademik pranë një shkolle të lartë a një qendre kërkimore me reputacion të mirë ndërkombëtar.

-Të ketë një aktivitet të dalluar shkencor me mbi 20 artikuj shkencor në revista të indeksuara a me faktor impakti të lartë.

-Të ketë botime shkencore të cituara e një numër të konsiderueshëm referimesh në veprimtari shkencore ndërkombëtare.

Nisur nga prezantimi që vetë Akademia e Shkencave ka bërë për dy anëtaret e reja të jashtme, asnjëra prej tyre nuk i përmbush kriteret specifike për të qenë anëtare e jashtme e Akademisë së Shkencave.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë