Ngjarje

Kontrollorët e trafikut ajror nuk mund të hyjnë në grevë

Nëse protesta e kontrollorëve të Aeroportit të Rinasit do të klasifikohet si grevë, atëherë ata mund të akuzohen për shkelje të Kodit të Punës, përkatësisht të nenit që u ndalon të drejtën e grevës për shkak se përfshihen tek sektorët jetikë, ndalimi i shërbimit të të cilëve përbën cenim të sigurisë kombëtare.

Kodi i Punës përcakton në nenin 197/5 shërbimet që vlerëson si jetike, duke theksuar se “grev dhe ndërprerja e punës nuk mund të ushtrohet në rast se ajo rrezikon jetën, sigurinë personale, ose shëndetin e një pjese, apo të tërë popullsisë.

Për zgjidhjen e të gjitha mosmarrëveshjeve në këtë sektor, Kodi i Punës udhëzon ndjekjen e procedurave të përcaktuara në nenin 196 të tij. Në këtë nen thuhet se “Në shërbimet e rëndësisë jetike…konfliktet zgjidhen në mënyrë të detyrueshme dhe përfundimtare pas procedurës së ndërmjetësimit dhe pajtimit nga një gjykatë arbitrazhi e përbërë nga tre arbitra të zgjedhur nga palët. në rast se palët nuk bien dakord, arbitrat caktohen nga Ministria e Çështjeve Sociale brenda pesë ditëve duke filluar nga data e kërkesës së njërës prej palëve”.

Kjo është arsyeja se përse Sindikata e kontrollorëve dhe përfaqësuesit ligjorë të tyre deklarojnë publikisht se nuk bëhet fjalë për një grevë në kuptimin që kjo ka në Kodin e Punës.

“E kemi thënë që në fillim që kjo nuk është një grevë, është një detyrim ligjor, që do të thotë se nëse një kontrollor ndihet në kushtet e paaftësisë për punë, ligjërisht janë të detyruar ta deklarojnë”, tha avokati i kontrollorëve, Rezart Kthupi.

Por, çfarë e shkaktoi paaftësinë për punë të të 60 kontrollorëve njëherësh.

“Dy prej tyre deklaruan më parë paaftësinë për punë dhe për ta u nisën procedurat për shkarkimin e tyre. Kjo dhe ulja e pagave pasuan stres dhe të gjithë së bashku deklaruan paaftësinë për punë”, tha avokati Kthupi, duke deklaruar se përmes këtyre deklarimeve, kontrollorët respektuan Kodin Ajror.

Megjithatë, grevë apo jo, kontrollorët nuk po ushtrojnë detyrën e tyre.

"Ata vijojnë të shkojnë në punë, por nuk ushtrojnë funksionin. Një kontrollor i trafikut ajror që është në kushtet e pamundësisë psikologjike për ta bërë punën është i detyruar ligjërisht të njoftojë. Moszbatimi i këtij detyrimi ligjor do të ishte pastaj arsye për heqja nga puna”, tha ai.

Kontrollorët mohojnë se pas protestës së tyre qëndron politika. Ai foli për nivele pagash të klientëve të tij shumë më të ulët nga sa deklaroi ministrja Balluku në konferencën për shtyp, ku tha se kontrollorët merrnin rreth 4500 dollarë dhe pagesa iu reduktua në 2400 dollarë për shkak të pandemisë.

"Paga aktuale mesatare e kontrollorëve është rreth 190 mijë lek dhe kjo është në nivelin më të lartë", tha avokati i kontrollorëve.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë