Ka ndodhur

Greva e punonjësve të “Albcontrol”, pezullohen të gjitha fluturimet në Rinas

Të gjitha fluturimet e parashikuara për sot në aeroportin e Rinasit, janë pezulluar, duke shkaktuar kështu mbylljen e përkohshme për shkak të protestës së kontrollorëve ajrorë.

Njoftimi është dhënë nga ICAO, Autoriteti Ndërkombëtar i Fluturimeve, ndërsa pezullimi i punës në aeroportin e vetëm të vendit, do të vijojë deri ditën e nesërme në orën 10:00.

Nuk dihet nëse deri atëherë do të mund të arrihet një marrëveshje mes ministres Balluku dhe kontrollorëve të Aviacionit Civil për rikthimin e tyre në punë.

Shkak për pezullimin e punës nga ana e punonjësve të “Albkontroll”, është bërë shkarkimi nga detyra i 3 kolegëve të tyre, si dhe ulja drastike e pagës me 70% gjatë kohëve të fundit.

Pas nisjes së grevës, rreth 60 punonjës kanë pasur një takim me ministren Balluku, por duket se palët nuk kanë gjetur një marrëveshje.

Sipas burimeve, rikthimi i kolegëve në punë dhe rritja e pagës, janë dy nga kushtet e panegociueshme të sindikatës së kontrollorëve, pa realizimin e të cilave nuk parashikohet të rifillojë puna.

Mëngjesin e kësaj të hëne, një avion i nisur nga Athina nuk ka mundur të ulet në Rinas, pasi ka qëndruar 30 minuta në ajër dhe është kthyer mbrapsht për në Greqi.

Ndërsa një tjetër fluturim i prekur nga kjo protestë 30 minutëshe e kontrollorëve, ishte edhe ai i “Air Albania” me destinacion Stamboll-Tiranë, i cili u ul në pistë me 40 minuta vonesë.

Në fakt, Sindikata e Pavarur e Kontrollit të Trafikut Ajror (SPKTA), kishte paralajmëruar një protestë, pasi punonjësit ishin të pakënaqur me trajtimin dhe kushtet e punës prej një viti, që nga fillimi i pandemisë marsin e kaluar.

Në një deklaratë zyrtare, Sindikata shkruante se atyre u janë ulur pagat dhe se u janë pezulluar të drejtat e fituara me kontratën kolektive të punës.

AlbControl është një kompani me kapital 100% shtetëror dhe në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës.

Janë 13 fluturimet e anuluara të parashikuara për sot

Austrian Airlines – Tiranë – Vjenë dhe kthim

Ëizz Air – Tiranë – Milano dhe kthim

Lufthansa – Tiranë – Frankfurt dhe kthim

Air Albania – Tiranë – Stamboll dhe kthim

Air Albania – Tiranë – Bolonja dhe kthim

Aegean – Tiranë – Athinë dhe kthim

Ëizz Air – Tiranë – Bergamo dhe kthim

Air Albania – Tiranë – Bergamo dhe kthim

Austrian – Tiranë – Vjenë dhe kthim

Pegasus – Tiranë – Stamboll dhe kthim

TUI – Tiranë – Bruksel dhe kthim

Air Albania – Tiranë – Romë dhe kthim

Alitalia – Tiranë – Romë dhe kthim


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë