Gazeta Si – Ministria e Drejtësisë i ka dërguar autoriteteve franceze dokumentacionin për ekstradimin e biznesmenit Ermal Beqiraj, i arrestuar disa ditë më parë në Francë, pasi u kap duke fluturuar me avion privat mbi një central bërthamor.
Sipas burimeve, SPAK i ka kërkuar Ministrisë së Drejtësisë të përshpejtojë procedurat ligjore drejt autoriteteve franceze me kërkesën për ekstradimin e 44-vjeçarit.
Bashkëngjitur kërkesës për ekstradim është edhe vendimi i Gjykatës së Posaçme për caktimin e masës së sigurisë “arrest në burg” ndaj tij, si person që dyshohet se ka kryer shtatë vepra penale.
Dy ditë më parë, SPAK kërkoi sekuestrimin e disa pasurive të biznesmenit, që dyshohen se kanë origjinë kriminale dhe ndodhen në Francë, konkretisht llogari bankare me një vlerë totale prej mbi 2 milionë eurosh, dy apartamente, një kështjellë në departamentin Oise me vlerë rreth 2.6 milionë euro, mjete motorike, si dhe pasuri të tjera.
Ermal Beqiraj kërkohet nga SPAK në kuadër të hetimeve për abuzimet me tenderat e AKSHI-t. Ndaj tij janë ngritur akuzat për veprat penale “Konkurrenca e paligjshme nëpërmjet dhunës”, “Heqja e paligjshme e lirisë”, “Shkelja e barazisë së pjesëmarrësve në tendera apo ankande publike”, e kryer në formën e veçantë të bashkëpunimit, atë të grupit të strukturuar kriminal, “Grupi i strukturuar kriminal”, “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”, si dhe “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale” dhe “Korrupsioni aktiv i personave që ushtrojnë funksione publike”.
Tanimë pritet vetëm përgjigjja e autoriteteve franceze përsa i takon kërkesës për ekstradim. Beqiri me kompaninë e tij “Soft & Solution” akuzohet nga SPAK se ka përfituar dhjetëra milionë euro tendera nga AKSHI në mënyrë të paligjshme duke vepruar si grup i strukturuar kriminal së bashku me Ergys Agasin dhe ish-drejtoreshën, Mirlinda Karçanaj.
SPAK deklaroi se kishte informacione se Beqiri ndodhej në Francë dhe se falë veprimeve hetimore kishin arritur të identifikonin edhe disa pasuri që biznesmeni kishte në shtetin ku u arrestua.
Mes tyre binte në sy një kështjellë me vlerë rreth 2.6 milionë euro, 2 apartamente, llogari bankare me mbi 2 milionë euro dhe disa mjete motorike. Ndaj Beqirit rëndojnë akuzat për 7 vepra penale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje