Drejtësia

Zyrtaret e pandehura nga SPAK, Kryemadhi: Ju garantoj që me barrë nuk ngel

Gazeta Si – Ish-deputetja e Partisë së Lirisë, Monika Kryemadhi u paraqit sot në SPAK në zbatim të masës së sigurisë të caktuar ndaj saj dhe ish-bashkëshortit, Ilir Meta.

Ajo u pyet nga gazetarët mbi deklaratën e bërë nga kryedemokrati Sali Berisha më herët, i cili tha se ish-zyrtaret e pandehura po mbeten shtatzënë me qëllim që t’i shpëtojnë burgut.

Me nota ironie e humori, Kryemadhi tha se ajo vetë garanton që nuk mbetet me barrë, ndërsa lëshoi një batutë se në këtë ritëm duket sikur po ngrihet një “mini-maternitet”, duke qenë se sipas saj e gjithë situata po shfrytëzohet për t’i shpëtuar drejtësisë.

“Unë ju garantoj se me barrë nuk ngel. Këtë e them. Sigurisht që njerëzit, për të gjetur mënyra dhe rrugë të ndryshme procedurale, mund të jenë thashetheme, por edhe të vërteta. Sa herë vjen në jetë një foshnje, është një gjë e mirë. Ndoshta, duke ditur që po shpopullojnë Shqipërinë, po ngrenë një mini-maternitet”, tha ajo.

Prokuroria e Posaçme akuzon ish-çiftin Meta-Kryemadhi për: fshehje pasurie, pastrim parash dhe korrupsion.

Meta ndodhet në paraburgim që prej tetorit të vitit 2024, ndërsa Kryemadhi është nën masën e “detyrimit për paraqitje”.

Më 13 korrik, Prokuroria e Posaçme kërkoi dënimin me 19 vite burg në total për 3 bashkëpunëtorë të ish-presidentit Ilir Meta dhe ish-deputetes Monika Kryemadhi, por në përfundim pezullimin e dënimeve dhe konvertimin e tyre në 5 vite shërbim prove.

Bëhet fjalë për nënën e Monika Kryemadhit, Fatime Kryemadhi, Ema Çokun dhe ish-kreun e AKEP, Pirro Xhixho.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë