Gazeta Si – Një situatë kritike është regjistruar këtë të hënë në Finiq dhe Delvinë nga zjarret, ku flakët po përhapen me shpejtësi të favorizuara nga era e fortë.
Mësohet se flakët janë afruar drejt Mesopotamit, Kostarit dhe Vllahatinit, duke rrezikuar zonat e banuara, ku ka nisur dhe evakuimi i qytetarëve.
Ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, ka bërë me dije se operacioni vijon nga toka dhe ajri, me angazhimin e zjarrfikësve, Policisë, Forcave të Armatosura dhe tre helikopterëve.
Lamallari u ka bërë thirrje banorëve të respektojnë udhëzimet e autoriteteve, ndërsa thekson se prioritet mbetet mbrojtja e jetës së qytetarëve dhe e pasurive të rrezikuara.
Ministri shprehet se situata në terren është e vështirë dhe se të gjitha strukturat shtetërore janë në zonë, duke punuar për të shuar zjarret. Shton se prioritet absolut i qeverisë është mbrojtja e jetës së qytetarëve.
Agjencia Kombëtare e Mbrojtjes Civile ka angazhuar forca të shumta në terren dhe mjete ajrore për izolimin e flakëve.
Sipas AKMC-së, në operacion po marrin pjesë forcat zjarrfikëse nga Delvina, Finiqi dhe Konispoli, 60 vullnetarë dhe 40 efektivë të Forcave të Armatosura.
Ndërhyrja po zhvillohet edhe nga ajri, ku Forcat e Armatosura kanë angazhuar tre helikopterë, dy Cougar dhe një Black Hawk.
Helikopterët po kryejnë ndërhyrje për izolimin dhe shuarjen e vatrave, ndërsa në terren vijon puna e forcave zjarrfikëse dhe strukturave të tjera të emergjencave.
AKMC bën me dije se të gjitha strukturat operacionale janë në koordinim të plotë dhe po punojnë për vendosjen e situatës nën kontroll.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)



Lini një Përgjigje