Politike

Bllokimi i fluturimeve në Rinas, Meta: I shqetësuar për sigurinë kombëtare

Pas ndërprerjes së punës nga punonjësit e “Albcontrol” për shkak të reduktimit të pagës dhe kushteve të punës, ka reaguar edhe presidenti Ilir Meta.

Kreu i shtetit, ka thënë se ndërprerja e punës nuk është një zgjidhje, por thekson se siguria e hapësirës ajrore, është një çështje e rëndësishme e sigurisë kombëtare në Shqipëri.

“Jam shumë i shqetësuar për situatën, që po zhvillohet me ndërprerjen e shërbimeve të fluturimeve ajrore për shkak të reagimit të Sindikatës së Pavarur të Kontrollit të Transportit Ajror, të cilët duket se nuk kanë arritur një dakordësi me Qeverinë dhe organet drejtuese të “Albcontrol”, lidhur me kërkesat e tyre. Ndërprerja e punës për monitorimin dhe kontrollin e Trafikut Ajror nga kontrollorët e “Albcontrol” nuk është zgjidhje. Siguria e hapësirës ajrore në Republikën e Shqipërisë, është çështje e sigurisë kombëtare”, - shkruan Meta në një postim në Facebook.

Presidenti pohon se i ka paralajmëruar publikisht dhe zyrtarisht të gjitha institucionet përgjegjëse të qeverisë për t’i dhënë zgjidhje kësaj çështjeje.

Ai shton se injorimi i kërkesave të kontrollorëve nuk është i drejtë.

“Edhe pse askush nga institucionet përgjegjëse nuk ka treguar sinqeritet dhe gatishmëri për të diskutuar në kohë me anëtarët e Sindikatës së kontrollorëve të trafikut ajror lidhur me shqetësimet e tyre, ritheksoj edhe një herë se është e domosdoshme që: kontrollorët duhet të qëndrojnë në detyrë pa asnjë ndërprerje dhe të përmbushin misionin e tyre për të garantuar funksionimin e përshtatshëm dhe pa asnjë problematikë të kontrollit të trafikut ajror shqiptar; në çdo kohë dhe pa ndërprerje të garantohet cilësia dhe objekti i punës së “Albcontrol” për administrimin dhe kontrollin e hapësirës ajrore të Republikës së Shqipërisë për fluturimin ajror civil dhe ushtarak, në përputhje me standardet e pranuara ndërkombëtare”.

Si vend anëtar i NATO-s, Meta thotë se Shqipëria ka përgjegjësinë dhe detyrimin, që të garantojë, që hapësira ajrore e saj të konsiderohet në çdo kohë e sigurt për fluturimet ajrore.

Sipas tij, “nuk duhet të lejohet asnjë rrezik për cenimin e sigurisë dhe mirëqarkullimit të hapësirës ajrore në Republikën e Shqipërisë, sidomos në kushtet kur për pak ditë në Shqipëri do të nisë përgatitja dhe zhvillimi i stërvitjes së përbashkët të forcave të vendeve anëtare të Organizatës së Traktatit të Atlantikut të Veriut dhe të vendeve partnere të kësaj organizate “Defender Europe 21”, nga ku pritet që trafiku ajror në vendin tonë të rritet ndjeshëm, si në fluturimet ushtarake, edhe në ato civile”.

Meta, i bën edhe një herë thirrje qeverisë dhe organeve drejtuese të “Albcontrol”, për gjetjen e një zgjidhjeje të drejtë, ku kryesore është garantimi i sigurisë së fluturimeve në hapësirën ajrore shqiptare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë