Biznes

Kërkesat e operatorëve të interesuar për parqet eolike shqyrtohen deri në 24 nëntor

Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë i ka ofruar ofertuesëve në ankandin e parqeve eolike të dërgojnë pyetje apo paqartësitë e tyre deri më datë 24 nëntor, ku MIE lë të hapur mundësinë e takimit dhe bisedimeve.

Ankandi për energjinë eolike u hap për herë të parë në fazën e parë në qershor 2021 dhe do të mbyllet në qershor 2022.

Momentalisht projekti është në fazën e kualifikimit të operatorëve sipas eksperiencës teknike, burimeve financiare dhe situatës juridike për të çuar deri në fund projektin që synojnë të zbatojnë.

“Në pritje të fazës së dytë  – Kërkesa për Propozime (RFP), MIE u ka rekomanduar ofertuesve të mundshëm që të fillojnë sa më shpejt të jetë e mundur aktivitetet për identifikimin e vendeve ku mund të bëhet i zbatueshëm projekti, financimi ndërtimi dhe funksionimi e impiantit të erës.

Gjatë kësaj faze, çdo ofertuesi të parakualifikuar i kërkohet të demonstrojë qëndrueshmërinë e tij zonës së propozuar, lejet ose të drejtat paraprake dhe për të paraqitur një ofertë financiare. Afati i fundit për t’iu përgjigjur kësaj faze do të jetë në shkurt 2023” thuhet në dokumentin e bërë publik nga MIE.

Më herët gjatë hapjes së ankandit ministria tha se ankandi do u japë mundësi prodhuesve që të japin ide për të ndërtuar impiante me kapacitet 10 MW dhe 75 MW. Në fillim çmimi i parafiksuar do të orientohet për 100 MW në total që do blihen nga Shqipëria. Çmimi 75 euro për MWh do të jetë tavani ndërkohë që ofertat duhet të jenë më të ulëta.

Qeveria në bashkëpunim më SECO zhvilluan një studim i cili u është vendosur në dispozicion kompanive dhe që tregon zonat me potencial për zhvillimin e energjisë nga era. Ky studim jep zonat e mbrojtura ku nuk mund të ndërtohet, zonat me prodhimin më të lartë eolik që zënë 20% të territorit duke i dhënë mundësi përzgjedhjeje.

Krijimi i parqeve eolike ka qenë gjithmonë qëllim i lënë mënjanë në Shqipëri, ndonëse kushtet gjeografike dhe sociale përshtatet me të. Pas shpalljes së një krize energjitike në vendin tonë, energjitë në burime të dyta mund të vijnë në ndihmë.

Më herët në shtator 2021, tre kompani kanë paraqitur një aplikim të përbashkët në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për një impiant eolik në Bashkinë e Dropullit, Gjirokastër.

Në muajin qershor, janë kryer 5 aplikime për impiante eolike secili me 10 MË kapacitet janë dorëzuar pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë duke pritur miratimin. Këto kompai kanë propozuar vendosjen e parkut në zonën e Karaburunit.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë