Ana e errët

U qëlluan me armë gjatë grabitjes nga 85-vjeçari italian, dëshmia e shqiptarëve që nuk njiheshin: Do të fitosh diçka!

Domenico Scarcella, i cili qëlloi dhe zmbrapsi hajdutët, duke plagosur njërin prej tyre, është nën hetim për plagosje. Hetuesit po shqyrtojnë nëse do të jetë e nevojshme të vlerësohet se ekzistojnë kushtet për vetëmbrojtje: "Unë qëllova lart". Ndërkohë, dy shqiptarët e arrestuar në Bergamo, japin versionin e tyre të ngjarjes

Gazeta Si - Domenico Scarcella, marshalli në pension i Guardia di Finanza-s, i cili mbrëmjen e së shtunës qëlloi me armë ndaj dy grabitësve shqiptarë, që hynë në shtëpinë e tij në Longuelo të Bergamos, është nën hetim në gjendje të lirë për plagosjen e V.P., 27 vjeç dhe M.J., 26 vjeç.

Sipas mediave italiane, po vlerësohet hipoteza e vetëmbrojtjes, pasi dy grabitësit shqiptarë, e kishin zgjuar nga gjumi me një goditje, ndërsa ishte në shtrat. “Ata ishin në një distancë prej rreth 80 centimetra, unë qëllova lart”, tha 85-vjeçari në dëshminë e tij.

Plumbi i qëlluar me një pistoletë të kalibrit 38 të mbajtur në mënyrë të ligjshme, ka prekur në qafë 27-vjeçarin shqiptar, V.P., i cili më pas u arrestua nga policia po atë natë, pak metra larg shtëpisë.

Megjithatë, shqiptari tjetër, 26-vjeç, u ndalua pak orë më vonë, mëngjesin e së dielës, pasi tentoi të arratisej duke u ulur nga streha e një apartamenti në katin e tretë të një banese në të njëjtën lagje.

Paraditen e të martës, dy të rinjtë shqiptarë janë përballur me marrjen në pyetje para gjyqtarit për hetime paraprake, pak pasi gjykata vendosi masën e sigurisë për të dy “arrest në burg”.

27-vjeçari, pa precedentë penalë akuzohet për grabitje të rëndë, ndërsa 26-vjeçari me precedentë penalë, duhet të përgjigjet edhe për rezistencë e dëmtim fizik ndaj policisë, si dhe kthimin në Itali në mënyrë të paligjshme, pavarësisht se është dëbuar prej tre vitesh. Të dy dëshmuan përpara gjyqtarit hetues dhe prokurorit, duke dhënë versionin e tyre të ngjarjes.

“Ka bashkëpunuar menjëherë, sapo u arrestua, – shpjegon avokati Roberto Beretta, i cili së bashku me kolegen e tij Monica Simona Gnesi mbrojnë 27-vjeçarin e plagosur. - Para gjyqtarit ai kërkoi falje dhe tha se i vjen keq. Nëse do të kishte dashur të arratisej, nuk do të ndalonte dhe të telefononte 118”.

Por mbi të gjitha ka shpjeguar se përse ka hyrë në shtëpi së bashku me bashkëkombësin e tij 26-vjeç, i cili mbrohet nga avokati Michele Coccia.

Mësohet se 27-vjeçari, i cili dy javë më parë u kthye në Itali nga Shqipëria, tha se e kishte takuar 26-vjeçarin në Milano.

Bashkatdhetari do t'i kishte ofruar mikpritje në Bergamo, edhe pse nuk e njihte; aq sa i riu i plagosur mendoi madje se  kishte origjinë nga Afrika e Veriut, duke qenë se ai komunikonte me të duke folur pjesërisht italisht dhe pjesërisht spanjisht.

Më pas, siç shkruajnë mediat italiane, 26-vjeçari e ka pyetur “nëse donte të fitonte diçka”, por pa specifikuar se si.

Dhe vetëm para shtëpisë, sipas asaj që i ka thënë hetuesve, 27-vjeçari ka kuptuar se do të kryenin një grabitje, me bindjen se nuk do të gjente njeri në shtëpi.

Pasi ka shqyer me kaçavidë dritaren në pjesën e pasme të pensionistit, 27-vjeçari ka qëndruar në katin e parë, derisa bashkëpunëtori i tij i ka thënë të ngjitet.

Sapo mbërriti në dhomën e gjumit të Scarcella-s, pa ish-financierin duke u ngritur nga shtrati dhe ai u largua pak para të shtënave.

Gjithçka ka ndodhur në pak çaste, por ndryshe nga sa ka dalë më parë, i plagosuri ka thënë se drita ishte ndezur në dhomën e gjumit.

Sipas tij, mbulimi i fytyrës deri te goja, ishte një ngrohës i qafës. Pas të shtënave, të dy shqiptarët u ndanë dhe në duart e 26-vjeçarit kanë mbetur kaçavida dhe çanta me sendet e vjedhura (500 euro).

Përshtati: Gazeta "Si"


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë