Menaxhim

Në Ministrinë e Energjisë janë dorëzuar 5 aplikime për impiante eolike në Karaburun

Pesë aplikime për impiante eolike secili me 10 MW kapacitet janë dorëzuar pranë Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë duke pritur miratimin.

Ministria bëri me dije në faqen e saj se aplikimet janë kryer nga shoqëri të ndryshme dhe nuk përfitojnë nga masat mbështetëse të qeverisë nëse do të ketë finalizim të projekteve.

Impiantet sipas aplikimeve do të vendosen në zonën e Karaburunit e cila është përfolur prej vitesh si një zonë me interes për ndërtimin e tyre.

Aplikimi i parë është ai nga shoqëria a “BRD Energy” Sh.p.k, i dyti nga “GMT Energy” Sh.p.k, i treti “GRS Energy” Sh.p.k, i katërti nga “MGN Energy” Sh.p.k dhe i fundit nga “ORT Investment” Sh.p.k.

Ministria sqaron se nëse konkretizohen këta impiante, ata nuk do të përfitojnë nga masat mbështetëse të qeverisë gjë që nënkupton se qeveria nuk u garanton blerjen e energjisë  me çmim të paracaktuar nga Enti Rregullator i Energjisë.

Kjo skemë aktualisht vlen për impiantet eolikë deri në 3MW për të cilat Enti ka caktuar një çmim 75.64 euro MWh. Këto impiante miratohen vetëm me firmën e ministrit përgjegjës në Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë.

Ministria deklaroi pak muaj më parë se tashmë do të zhvillonte ankande për energjinë eolike njëlloj si ajo në energjinë fotovoltaike dhe që synojnë edhe aplikimin e masave mbështetëse duke nxitur kështu zhvillimin e projekteve.

Autoritetet pritet që të mbajnë ankande ku kompanive të interesuara do t’ju mundësohet blerja e energjisë për një periudhë të caktuar nga ana e OSHEE.

Aktualisht në ERE janë të licencuar për prodhim energjie nga era tre kompani që kanë projekte në Lezhë, Sarandë dhe Kavajë vlefshmëria e të cilave është shtyrë kohë pas kohe për shkak se asnjë prej tyre nuk ka arritur të ndërtojë impiantet dhe të nisë prodhimin.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë