Drejtësia

‘Gërdeci’/ Bie kërkesa e Mediut për video-konferencë, dëshmia e amerikanëve do bëhet nga FBI

Gazeta Si - Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e avokatëve të Fatmir Mediut, i pandehur në procesin e çështjes "Gërdeci", të cilët kërkuan marrjen e dëshmisë së shtetasve amerikanë përmes një video-konference.

Kështu, marrja në pyetje e dëshmitarëve në SHBA, do të bëhet nga FBI-ja me prani edhe të avokatëve të Mediut. Seanca e rradhës do mbahet me 15 maj, ora 10:00.

Pavarësisht këtij vendimi, mbrojtja e përfaqësuar nga dy avokatët Ardian Visha dhe Henrik Ligori, iu drejtua gjykatës me një tjetër kërkesë, atë të autorizimit që ndërmjetësues të jetë gjeneral major avokati Andreë Turley.

Ky i fundit, sipas tyre do të jetë prezent në marrjen në pyetje të 5 amerikanëve, pyetje të cilat janë dërguar më herët nga SPAK drejt agjentëve të Byrosë Federale të Hetimit, FBI.

Në seancë avokati iu drejtua gjykatës: “Ju nuk mund ta kaloni kështu. Duhet të detyroni prokurorin të provojë aktet dhe provat. Si qenka kjo kështu? Duam të provojmë fajësinë për t’i bërë qejfin miletit, të kënaqet SPAK me një vendim fajësie? Ky është një proces shterpë, nuk pjell dot fajësi, nuk lind dot prova që implikojnë z. Mediu në shpërthimin e Gërdecit”.

Pritet që gjykata të dalë me një vendim për këto kërkesa. Në seancën e fundit në 24 prill, ish-ministri i Mbrojtjes Fatmir Mediu kërkoi ri-ekspertim të shpërthimit të ndodhur më 15 mars 2008 për të përcaktuar saktë shkaqet. Ai së bashku me avokatët kundërshtojnë konkluzionin e Prokurorisë se saldimi i i karrocës shkaktoi zjarrin.

Ish-ministri i Mbrojtjes, Fatmir Mediu po hetohet për shpërdorim detyre në lidhje me vdekjen e 26 personave dhe plagosjen e qindra të tjerëve pas shpërthimit që ndodhi në Gërdec më 15 mars të vitit 2008.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë