Biznes

Ndërtuesit çojnë në Kushtetuese rritjen e çmimeve referencë: Na rrit kostot e ndërtimit dhe taksën

Nga Gazeta 'SI' - Shoqata e Ndërtuesve ka dërguar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e qeverisë për rritjen e çmimeve referencë në kryeqytet.

Ndërtuesit kërkojnë shfuqizimin e ankesit 1 në vendim ku përcaktohen çmimet e ndryshuara të referencave të shitblerjes së apartamenteve dhe shkronjës nje pike të aneksit 2 të vendimit që përcakton veprime prapavepruese për “çmimin për metër katror sipërfaqe ndërtimore për ndërtimet e reja regjistruar sipas lejes së përdorimit në ASHK, pas hyrjes në fuqi të këtij vendimi, do të indeksohet me koeficientin 0.2 (zero pikë dy) herë më i lartë se çmimi i sipërfaqes së apartamentit të banimit".

Vendimi i qeverisë që u miratua verën e shkuar ka rritur ndjeshëm kostot e ndërtimit për zhvilluesit, që përkthehet në një taksë infrastrukture më të lartë për ato dhe në çmime më të larta për tregun.

Për Tiranën ajo është në nivelin 8% dhe llogaritet për metër katror mbi çmimet e referencës të cilat nga gushti i vitit të kaluar u rritën nga 5 deri 76% për 32 zonat kadastrale të Tiranës.

Nga rritja e kostos së taksave çmimet e apartamenteve në Tiranë sipas Shoqatës së Ndërtuesve janë rritur 200 deri 300 euro për metër katror.

Shoqata e Ndërtuesve edhe në letrën dërguar në muajin shtator kryeministrit Edi Rama paralajmëroi se me hyrjen në fuqi të vendimit për rritjen e çmimeve fiskale do të shtohet barra fiskale si te individët dhe ndërtuesit.

Përveçse efekteve të rritjes së taksës së pasurisë vendimi për rritjen e çmimeve të referencës, sipas shoqatës së Ndërtuesve do të rrisë edhe detyrimin e tatimit mbi të ardhurat për rastet e transaksioneve të shitblerjes, edhe te ata individë që kanë kryer rivlerësimin e shtëpive.

Shoqata e Ndërtuesve propozoi që hyrja në fuqi e vendimit me çmimet e rritura fiskale të jetë graduale ose aplikimi kundrejt zhvilluesve të lidhet vetëm me projekte që nisen dhe përfundojnë pas hyrjes në fuqi te vendimit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë