Biznes

Bizneset kundër anëtarësimit me detyrim në një dhomë ekonomike, PD: Qeveria po i nënshtron

Bizneset kundër anëtarësimit me detyrim në një dhomë ekonomike, PD: Qeveria po i nënshtron

Nga Gazeta 'SI' - Idenë e kryeministrit Edi Rama për të shkrirë dhomat e biznesit në një të vetme, e kanë kundërshtuar shumica e shoqatave të biznesit në vend.

19 shoqata biznesi nga Dhoma Amerikane, Gjermane, Italiane etj i kanë dërguar një letër ministres së Sipërmarrjes, Delina Ibrahimaj ku kundërshtojnë “anëtarësimin me detyrim”.

“Kjo bie ndesh me përpjekjen tonë të vazhdueshme për të mbrojtur të drejtën themelore kushtetuese të sipërmarrjes për të qenë e lirë, që të organizohet në shoqata publike apo private. Modeli i paraqitur nuk jep argumente se perse ekzekutivi është duke menduar të kalojë nga një sistem liberal në një sistem me anëtarësim të detyruar dhe të rregulluar me ligj të organizimit të Dhomave”, shkruhet në letër.

Sipas shoqatave të biznesit, nevojitet një studim i shërbimeve që janë ofruar deri më sot nga strukturat ekzistuese, për të qartësuar problematikat që janë shfaqur në performancën e këtyre organizmave publikë të tregtisë, si edhe mënyrën se si projektligj i ri mendon t’i zgjidhë përmes ristrukturimit.

Ata thonë se një ligj i tillë, krijon kosto shtesë për biznesin dhe vetë buxhetin e shtetit.

“Projektligji flet për tarifa të regjistrimit të biznesit në bazë të xhiros vjetore, pa dhënë shpjegime për natyrën e shërbimeve që do t’i ofrohen sipas kategorive të biznesit, apo një listë të përfitimeve që biznesi do të ketë, sipas kategorisë ku do të anëtarësohen në mënyrë të detyrueshme. Modeli i projektligjit të prezantuar për anëtarësim të detyrueshëm në Dhomën Ekonomike Kombëtare sjell vetëm kosto, si për buxhetin e shtetit, ashtu dhe për biznesin”, thuhet në reagim.

Pro kësaj nisme është shprehur vetëm Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë, që e cilëson si faktor zhvillimi.

“Shqipëria duhet të zgjedhë një model ose atë anglosakson ose kontinental për të orientuar krijimin e dhomës ekonomike. 70% e vendeve e BE kanë një ligj ku sipërmarrjet që operojnë në aktivitet privat dhe shtetëror janë të detyruar të regjistrohen në këtë dhomë. Është partneri i dialogut me qeverinë. Është oponenti kryesor për aktet ligjore që cenojnë sipërmarrjen private. Është promotori kryesor i zhvillimit ekonomik në Shqipëri. Harton trajnime aftësime profesionale shtëpi biznesi, panaire konferenca të gjitha këto duhet të orientohen nga dhoma ekonomike kombëtare”, u shpreh kreu i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë”, deklaroi Nikolin Jaka, kreu i kësaj dhome.

Kundër nismës është shprehur sot dhe Partia Demokratike, që e quan një nënshtrim të biznesit.

Akil Kraja, anëtar i Këshillit Kombëtar të Rithemelimit, citon raportin e Bankës Botërore që e konsideron si një taksë të fshehur dhe një pikë negative, anëtarësimin e detyrueshëm të bizneseve në një Dhomë tregtie publike. Ndër shumë reforma të tjera, edhe kjo nismë çliruese për sipërmarrjen i mundësoi Shqipërisë të përmirësonte disa dhjetëra pozicione atraktiviteti në renditjen e Bankës Botërorë.

“Mjerisht, prej vitit 2013, situata është në tatëpjetë. Shqipëria tanimë renditet ndër vendet e fundit në Ballkan. Biznesi shqiptar ka vuajtur jo vetëm dyfishimin e taksave nga braktisja e taksës së sheshtë 10%, por dhe nga shtimi i tarifave dhe taksave të fshehura, si kjo që parashikohet të futet në projekt ligjin që krijon Dhomën Ekonomike Kombëtare. Le të shtojmë këtu edhe se, me ndryshimet jashtëzakonisht të shpeshta të normave dhe praktikave fiskale, sot një biznes i ri e ka të pamundur të ketë një parashikueshmëri se çfarë do t’i paguajë shtetit jo pas 2-3 vitesh nga investimit fillestar, por as në 6 muajt e parë” thuhet ndër të tjera në deklaratën e PD-së.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë