Rend dhe Ligj

Policia pranon se ka fshehur sulmin me thikë të bashkëshortit të ministres Delina Ibrahimaj: Vocaj: Nuk hyn te ngjarjet sensitive!

Gazeta Si - Plagosja me thikë, ku u përfshi Andri Ibrahimaj, bashkëshorti i ministres së Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit, Delina Ibrahimaj, i cili goditi drejtorin e Trajtimit të Kredive, Eri Koshaj, është mbajtur e fshehur për rreth 6 muaj nga Policia e Shtetit.

Rasti nuk është publikuar në njoftimet zyrtare të policisë për shkak se nuk bëhet fjalë për një ngjarje sensitive.

Drejtori i Policisë së Tiranë, Tonin Vocaj, tha se kjo ngjarje nuk futet te rastet sensitive për të cilat policia jep njoftime për shtyp. Ai theksoi se të gjitha materialet janë referuar në prokurori, institucioni që po heton këtë çështje.

Drejtori i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj (djathtas), gjatë konferencës për shtyp

Ndërkohë, kërkesa e Prokurorisë së Tiranës për pushimin e çështjes së konfliktit të ndodhur në nëntor të vitit të kaluar, duket se lë shumë paqartësi mbi ngjarjen dhe dinamikën e saj.

“Lidhur me këtë ngjarje, ngjarja është e vitit të kaluar. Lidhur me këtë ngjarje strukturat e hetimit të komisariatit nr.1. kanë kryer procedurat. Materialet janë çuar në prokurori, për veprën penale goditje për shkak të detyrës. Është i vërtetë fakti se nuk është bërë e mundur që të kapej menjëherë autori i kësaj ngjarje. Lidhur me pyetjen tuaj se policia ka pasur një mungesë transparence, kjo ngjarje nuk futet te ngjarjet sensitive, për të cilat policia jep njoftime për shtyp. Të gjitha materialet janë referuar në prokurori dhe është prokuroria që po heton këtë çështje”, tha Vocaj.

Reagimi i ministres

Autori i goditjeve me thikë është Andri Ibrahimaj, bashkëshorti i ministres së Sipërmarrjes, në atë kohë ministre e Financave, Delina Ibrahimaj, i cili ka goditur disa herë me thikë drejtorin e Përgjithshëm të Agjencisë së Trajtimit të Kredive (ATK), Eri Koshaj.

Rasti në fjalë u bë publik vetëm pak ditë më parë në media, ndërsa është pranuar edhe nga vetë ministrja Ibrahimaj.

Ajo theksoi se ngjarja nuk ka të bëjë me detyrën e saj dhe se ka ndodhur në kohën kur ajo nuk ka qenë ministre, ku në varësi ishte Agjencia e Trajtimit të Kredive.

Në një reagim në rrjetet sociale, Ibrahimaj shkruan se ngjarja ka ndodhur jashtë zyrës se institucioneve dhe pas hetimit nga organet e drejtësisë në bazë të kallëzimit të bërë nga pala tjetër, çështja është pushuar për mungesë provash.

Pas daljes së ministres, Polica e Shtetit ka reaguar me një njoftim, ku  sqaroi se ngjarja ka ndodhur 5 muaj më parë dhe për këtë arsye është proceduar bashkëshorti i ministres.

Motivi i plagosjes

Policia, siç e pranoi dhe vetë, në një deklaratë zyrtare të premten, kur ngjarja u bë për herë të parë publike në media, ka bërë referimin në Prokurori, për veprën penale “Goditje për shkak të detyrës” më 4 dhjetor, 13 ditë nga momenti i kallëzimit nga ana e Koshajt.

Ndërsa Prokuroria vetë ka regjistruar procedimin penal, 24 ditë më vonë, më 28 dhjetor.

Prokuroria kërkon pushimin e çështjes për veprën “Goditje për shkak të detyrës”, pasi sipas saj drejtori Koshaj “në momentin që ka ndodhur konflikti, nuk ka qenë në kryerje e sipër të detyrës së tij” dhe se “motivi i pretenduar nga ana kallëzuesit, se është goditur për shkak të detyrës, për arsye se shtetasi Olsi Mëneri, shok i Andri Ibrahimaj, ishte shkarkuar nga detyra në Institucionin që drejton Eri Koshaj, përveç deklarimeve të dhëna nga kallëzuesi nuk rezulton të jetë i mbështetur në prova të tjera”.

Në fakt çështja nuk është pushuar, por ka vetëm një kërkesë të Prokurorisë drejtuar Gjykatës, për një akt të tillë. Do të jetë Gjykata ajo që do të thotë fjalën e fundit, ose duke e kthyer pas për plotësim hetimesh, ose duke e pushuar, gjë e cila i lë të drejtën zotit Koshaj, të bëjë dhe ankim, nëse dëshiron të mbrojë pretendimet e tij.

Delina Ibrahimaj, ministrja e Shtetit për Sipërmarrjen dhe Klimën e Biznesit

Ngjarja

Në 21 nëntor 2023 në komisariatin Nr.1 është paraqitur Eri Koshaj me detyrë drejtor i Përgjithshëm i Agjencisë së Trajtimit të Kredive.

Ai bën kallëzim penal për Andi Ibrahimajn, burrin e ministres së Shtetit për Sipërmarrjen, Delina Ibrahimaj. Sipas tij, Andi Ibrahimaj e kishte pritur në rrugë dhe e kishte goditur me thikë në trup disa herë.

Shkak për këtë sulm, siç ka deklaruar Eri Koshaj, ishte fakti se prej kohësh, Ibrahimaj e kërcënonte për të dhënë dorëheqje.

Para sulmit ai pretendon se ishte përndjekur nga Ibrahimaj. Nga ekzaminimi ka rezultuar se në trupin e Eri Koshajt u konstatuan dërrmishje në pjesën e fundshpinës të shkaktuara nga një mjet prerës.

Delina Ibrahimaj u largua nga drejtimi i Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë në Shtator 2023, për të marrë drejtimin e Ministrisë së Sipërmarrjes, detyrë të cilën e mban dhe aktualisht.

Pas kallëzimit, policia kërkoi burrin e ministres por nuk e gjeti në shtëpi. Nga sistemi TIMS rezultoi se ai ishte larguar nga Shqipëria. Çështja u mbyll më pas nga prokuroria e Tiranës.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë