Menaxhim

Agjencia Gjermane e Energjisë: Tre sfidat e Shqipërisë për zhvillimin e energjisë së rinovueshme

Agjencia Gjermane për Energjinë (DENA) në një publikim të dedikuar për Shqipërinë nënvizon se janë tre sfida thelbësore për integrimin e kapaciteteve të mëtejshme të rinovueshme.

Së pari, është forcimi i rrjetit të shpërndarjes. “Prodhimi i energjisë nga burimet e rinovueshme luhatet dhe është natyrshëm i ndryshueshëm. Kjo kërkon infrastrukturë më të sofistikuar të rrjetit dhe operimit që mund të përballojë flukset e dyanshme të energjisë dhe ndryshimin e profileve të furnizimit. Veçanërisht në qendrat me kërkesë të lartë si kryeqyteti Tirana, rrjetit shqiptar itë shpërndarjes i mungon kapaciteti i mjaftueshëm dhe funksionimi dinamik për të trajtuar injeksionin e ndryshueshëm të energjisë elektrike. Kjo e pengon në mënyrë domethënëse integrimin e suksesshëm të burimeve të rinovueshme të energjisë në vend” vlerëson raporti.

Sfida e dytë është përmirësimi i mekanizmave mbështetës për energjinë e rinovueshme.

Agjencia Gjermane e Energjisë vlerëson se teksa bëhet minimizim i përdorimit të tokës dhe mundësimi i skemave të blerjes, projekte me shkallë të vogël të energjisë së rinovueshme si për shembull , impiante fotovolatikë në çati shpesh janë më pak kosto efektive sesa parqet e eolikë apo fotovoltaikë të mëdhenj. Në këtë kontekst raporti vëren se duke marrë parasysh këtë, një rishikim i terrenit mbështetës për të rinovueshmet do të nxiste vendosjen e projekteve në shkallë të vogël të energjisë në vend.

Sfida e tretë është sigurimi i mbështetjes bankare për propozimet e projekteve. 

 “Investimet e Energjisë së Rinovueshme janë relativisht intensive në kapital dhe kërkojnë afate të gjata për të amortizuar kostot, të cilat bazohen pothuajse ekskluzivisht në çmimet e energjisë. Edhe pse teknologjia është e zhvilluar mirë, koha e gjatë dhe kushtet e pasigurta të tregut rezultojnë në rreziqe relativisht të larta të investimeve. Ulja e shkallës së rrezikut tek projektet e energjisë së rinovueshme do të kthehej në joshëse për investimet private dhe do të përshpejtonte zhvillimin. Përmes zhvillimit të planifikimit dhe instrumenteve financiare të tilla si Marrëveshjet e Blerjes së Energjisë për shembull do të krijonin besim dhe stimulonin investime ndërkombëtare në energjinë e rinovueshme në Shqipëri” thuhet në raport.

Raporti gjithashtu vlerëson se Shqipëria është aktualisht një nga vendet me prodhimin më të lartë të energjisë nga burimet e rinovueshme në Europën Juglindore. Prodhimi nga hidrocentralet zë 95% teksa 1 për qind vjen nga dielli dhe 4 për qind nga nafta bruto.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë