Mendim

Henry Kissinger, mjeshtri i real-politikës në diplomacinë botërore

Nga Charles Lipson - Javët e ardhshme do të jenë të mbushura me kujtime, vlerësime të mëdha por edhe kritika të ashpra ndaj Henry Alfred Kissinger, që ndërroi jetë të mërkurën në moshën 100 vjeçare. Fama e tij është e më se e merituar. Sekretarët e Shtetit të kohëve moderne që renditen në një listë me të janë George Marshall dhe Dean Acheson, të cilët në fundin e viteve 1940 ndërtuan arkitekturën e sistemit të kontrollit, që e karakterizoi gjithë Luftën e Ftohtë.

Arritja kryesore e Kissinger, ishte përditësimi i asaj arkitekture për të përfshirë në të Kinën, më pak si një aleate e SHBA-së sesa si një kundërshtare e Bashkimit Sovjetik. Deri në fundin e viteve 1960, Uashingtoni dhe Pekini e kishin parë njëri-tjetrin si armiq të egër.

Kjo jo vetëm sepse e kishin luftuar njëri-tjetrin në Luftën e Koresë, por sepse përfaqësonin dy ideologjitë e kundërta të epokës. Kissinger dhe shefi i tij, presidenti Richard Nixon, e pranuan se vetëm ideologjia komuniste nuk mjaftonte për ta mbajtur Kinën të lidhur me Bashkimin Sovjetik si një aleat vasal, ose mjaftueshëm për të penguar Amerikën të kërkonte lidhje reciproke e të dobishme me Pekinin.

Kissinger dhe Nixon, që ishte vetë një strateg shumë i zgjuar i politikës ndërkombëtare, e panë se Kina Maoiste po përballej me një kërcënim serioz sigurie nga Bashkimi Sovjetik, por edhe si një rivale në përhapjen e ideologjisë komuniste.

Ata e dinin se Amerika mund të shfrytëzonte ndarjen e thelluar midis BRSS dhe Republikës Popullore të Kinës, dhe se Mao kishte arsye të forta për ta pranuar ofertën e Amerikës për të pasur marrëdhënie dypalëshe më të ngrohta.

Marrëdhënia e Kissinger dhe Nixon me Kinën, gjeneroi përfitime reale strategjike për Uashingtonin. Sepse ajo qasje mbajti një pjesë të konsiderueshme të ushtrisë sovjetike të mbërthyer në kufirin me Kinën, duke e lehtësuar presionin ushtarak që Moska ushtronte ndaj aleatëve të Amerikës në Evropën Perëndimore.

Gjithsesi, partneritet i kufizuar midis SHBA-së dhe Kinës e pati një kosto, që u pagua pjesërisht nga Tajvani. Që nga viti 1949, ishulli ishte qeverisur nga pala humbëse në Luftën Civile Kineze. Qeveria e ishullit, e udhëhequr nga Chiang Kai-Shek, pretendonte se Tajvani ishte ende pjesë kryesore e Kinës, dhe se Chiang dhe partia e tij ishin sundimtarët legjitimë të të gjithë vendit.

Mao ra dakord që ishulli ishte pjesë e Kinës, por natyrisht theksoi se regjimi i tij duhet të sundonte të gjithë territorin. Ai konflikt vazhdon ende sot. Nuk mundi të zgjidhej as kur Kissinger dhe Nixon hapën marrëdhënien me Pekinin. Në fakt, kërcënimi i Kinës kontinentale ndaj ishullit, është sot një nga çështjet strategjike më të ngutshme me të cilat përballen Shtetet e Bashkuara.

Kissinger dhe Nixon, e dinin se Mao nuk do të pranonte asnjë marrëveshje në të cilën SHBA-ja do ta njihte Tajvanin si një shtet sovran, të ndarë nga Kina. Pra, ata bënë atë që do të bënte çdo realist:nuk u përpoqën ta zgjidhnin këtë problem të pazgjidhshëm, por u përpoqën vetëm që ta menaxhonin atë.

Kështu, ata pranuan zhvendosjen tek Kina të postit të anëtares së përhershme të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke ia njohur Pekinit dhe jo Tajvanit, të drejtën e vetos që ka ky rol. Njëkohësisht, ata vazhduan mbështetjen ushtarake dypalëshe të Amerikës për Tajvanin, një qëndrim që u drejtua përfundimisht kundër Kinës.

Marrëdhënia që krijuan Nixon dhe Kissinger me Kinën, hodhi themelet për transformimin e vetë Kinës. Pasardhësi i Maos, Deng Xiaoping, ruajti sundimin e Partisë Komuniste duke e ndryshuar ndjeshëm ekonominë, duke e hapur atë ndaj nismave të mëdha private dhe sipërmarrjeve fitimprurëse.

Bota ndryshoi rrënjësisht nga rritja ekonomike e Kinës dhe nga vendimi i SHBA-së për të kërkuar tregti dhe investime me të, si dhe për ta bërë anëtare të Organizatës Botërore të Tregtisë. Këto ndryshime ndodhën pasi Kissinger u largua nga detyra, por politikat e tij e inkurajuan ngritjen ekonomike të Kinës dhe forcimin e pozicionit të saj në çështjet ndërkombëtare.

Disa amerikanë, shpresonin se rritja ekonomike e Kinës do të çonte në demokratizimin e saj. Por Kissinger ishte shumë realist dhe nuk e ndante këtë shpresë. Ai e dinte se komunistët që sundonin Kinën nuk kishin ndërmend të sakrifikonin pushtetin  e tyre, se ata nuk kishin ndërmend të ndërmerrnin hapin fatal të Mikhail Gorbachev për të liberalizuar njëkohësisht sistemin politik dhe ekonomik të vendit.

Nëse do të kishte ndonjë dyshim të rrugës që do të zgjidhte Kina, ai mori fund me shtypjen e përgjakshme të protestave demokratike në sheshin Tiananmen në vitin 1989. Ai represion brutal, tregoi se Partia Komuniste Kineze do të vazhdonte të ruante kontrollin e saj të fortë politik mbi vendin.

Angazhimi i thellë i Kissingerit ndaj real-politikës në marrëdhëniet ndërkombëtare, është në të njëjtën kohë arsyeja pse ai kritikohet kaq ashpër. Dy kritikat kryesore kanë të bëjnë me rolin e tij në Luftën e Vietnamit, që vazhdoi gjatë gjithë presidencës Nixon, dhe përfshirja e tij në grushtin e shtetit të vitit 1973 që përmbysi presidentin Salvador Allende në Kilit dhe qeverinë e tij të majtë të zgjedhur në mënyrë demokratike.

Allende u zëvendësua nga gjenerali Augusto Pinochet dhe regjimi i tij i krahut të djathtë, i cili u lidh ngushtë me SHBA-në dhe me Henry Kissinger. Për shumë vite, kritikët mendonin se ishte SHBA-ja, ajo që mund ta kishte organizuar grushtin e shtetit, duke qenë përgjegjëse për të gjitha pasojat e tij vdekjeprurëse dhe represionin e vazhdueshëm.

Tani ne e dimë që SHBA-ja e mbështeti vërret grushtin e shtetit, por nuk e organizoi atë. Korporatat amerikane që operonin atje luajtën një rol mbështetës, kryesisht për të mbrojtur investimet e tyre nga qeveria e majtë e Allendes, e cila i kërcënonte.

Por arsyet pse Kissinger dhe Nixon mbështetën rrëzimin e Allende, dhe më pas regjimin e Pinochet, ishin shumë më pak ekonomike sesa gjeopolitike. Ata panë me shqetësim se si Allende po afrohej gjithnjë e më shumë me një aleancë me Bashkimin Sovjetik.

Reagimi brenda SHBA-së ishte i fortë, kryesisht sepse përmbysja e një qeverie të zgjedhur   në mënyrë demokratike, dhe zëvendësimi i saj me një regjim ushtarak, binte ndesh me vizionin më të madh të amerikanëve për rolin e mirë të vendit tonë në botë. Pavarësisht nëse i përmbahemi atyre vlerave apo jo, ne amerikanët besojmë në to.

Vetë Kissinger, e kuptoi tensionin midis këtyre vlerave demokratike dhe real-politikës që dëshironte të praktikonte. Udhëheqësit amerikanë dhe politikat e tyre, kishin nevojë për mbështetje popullore, dhe kjo mbështetje varej pjesërisht nga besimi i votuesve se politikat çonin përpara vlerat e tyre, por edhe interesat e tyre ekonomike dhe të sigurisë.

Kissinger i pa me të drejtë ato kërkesa si një kufizim themelor në ndjekjen e real-politikës  pa baza morale. Kissinger mund ta ketë admiruar kancelarin e famshëm gjerman Bismarck, por ai ishte mjaftueshëm i zgjuar për ta ditur se publiku amerikan ishte shumë i ndryshëm nga Kajzeri Wilhelm I i kohës së Bismarck-ut.

Kritika tjetër e madhe ndaj Kissinger, ka të bëjë me rolin e tij në vazhdimin e Luftës së Vietnamit, ndërsa mbante postin e këshilltarit të Sigurisë Kombëtare dhe më pas atë të Sekretarit të Shtetit. Rreth gjysma e vdekjeve të ushtarëve amerikanë ndodhën pikërisht gjatë atyre viteve.

Por përse Kissinger nuk punoi për t'i dhënë fund më herët asaj lufte? Vendimi ishte në dorën e Nixon dhe Kissinger u pajtua me të, nga frika se një tërheqje e menjëhershme dhe disfata e tmerrshme, do ta dobësonte pozitën globale të Amerikës.

Kissinger u bë negociatori kryesor i administratës amerikane në bisedimet e paqes në Paris që i dhanë fund rolit të SHBA-së në Luftën e Vietnamit, duke fituar Çmimin Nobel për Paqen për përpjekjet e tij. Por roli i tij në zgjatjen e asaj lufte të pafitueshme, dhe me një kosto kaq të madhe në jetë njerëzish dhe para, e vendosi në qendër të sulmeve nga lëvizjen e madhe kunder luftës që shpërtheu në Amerikë.

Roli tjetër i madh ndërkombëtar i Kissinger ishte gjatë Luftës së Yom Kipur të vitit 1973, e nisur nga Egjipti dhe Siria kundër Izraelit. Roli i tij atje ishte shumë më i suksesshëm, si në mbështetjen e ushtrisë izraelite me avionë, ashtu edhe në parandalimin shantazhit të Moskës ndaj Izraelit përmes arsenalit të saj bërthamor.

Kremlini e kishte inkurajuar qëllimisht sulmin e befasishëm, dhe ai përbënte një kërcënim bërthamor, pasi Izraeli rifitoi terren dhe nisi të mposhtë aleatët sovjetikë. Ura ajrore që organizoi Kissinger për të ri-furnizuar forcat izraelite, sinjalizoi mbështetjen e fortë të Amerikës për shtetin hebre në atë luftë.

Kërcënimi bërthamor u rrit shumë kur SHBA-ja zbuloi një anije sovjetike që ishte nisur drejt Egjiptit, për të cilën u besua gabimisht për disa orë se ajo mbante në bord armë bërthamore. Për të parandaluar përdorimin e arsenalit bërthamor nga Moska si një formë presioni ndaj Izraelit, Kissinger dhe Nixon urdhëruan vënien në gjendje gatishmërie të lartë të forcave bërthamore të Amerikës.

Përgjigja e Amerikës dhe perspektiva e një lufte bërthamore, i detyroi sovjetikët që të tërhiqen. Izraelitët e fituan luftën konvencionale. Këto episode janë vetëm disa që ato mbi të cilat do të debatojnë polemistët dhe studiuesit në libra dhe revista në vitet në vijim.

Ata do të flasin për rolin e tij si një eminencë gri pas largimit nga detyra, dhe për ndërmjetësimin e tij të vazhdueshëm në raportet SHBA-Kinë, por edhe konsultimeve fitimprurëse në mbarë botën. Në këtë mënyrë, ata duhet ta kujtojnë atë jo vetëm në kulmet e karrierës, por si një personalitet, jeta e të cilit ka pasur një trajektore të jashtëzakonshme.

Burimi: The Spectator/Përshtati Gazeta Si

Shënim*: Charles Lipson, profesor i shkencave politike në Universitetin e Çikagos, SHBA.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë