Bota

Bota vlerëson Kissinger pas vdekjes, Kina: Një humbje e madhe. Putin: Burrë shteti dhe largpamës

Gazeta Si - Reagimet në mbarë botën kanë qenë të menjëhershme dhe të ndjera për vdekjen e ish-Sekretarit të Shtetit Amerikan, i cili vdiq mbrëmë në shtëpinë e tij në Konektikat në moshën 100-vjeçare.

Georg W. Bush -"Amerika ka humbur një nga zërat më të besueshëm dhe më domethënës për çështjet e jashtme", deklaroi ish-Presidenti George W. Bush, duke i bërë jehonë tonit që shumë zyrtarë amerikanë të nivelit të lartë, në të kaluarën dhe të tashmen, janë përpjekur të përcjellin.

“Unë e kam admiruar prej kohësh njeriun që iku nga nazistët si i ri nga një familje hebreje dhe më pas i luftoi ata në Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara”, tha Bush në një deklaratë.

“Kur më vonë u bë Sekretar i Shtetit, emërimi i tij si ish-refugjat tregoi po aq për madhështinë e tij sa për madhështinë e Amerikës”.

Meloni – “Ai ishte një pikë referimi për politikën strategjike dhe diplomacinë botërore. Ishte një privilegj që së fundi pata mundësinë të diskutoja me të për tema të ndryshme në agjendën e ditës ndërkombëtare. Vdekja e tij na trishton dhe unë shpreh ngushëllimet e mia personale dhe të qeverisë italiane për familjen dhe të dashurit e tij", - ka shkruar në një shënim kryeministrja italiane Giorgia Meloni.

Scholz - Henry Kissinger "formoi politikën e jashtme si pak të tjerë" të Shteteve të Bashkuara tha kancelari gjerman, Olaf Scholz. “I lindur në Gjermani, i dëbuar nga nazistët, i emëruar Sekretar Amerikan i Shtetit dhe i vlerësuar me Çmimin Nobel për Paqen: Henry Kissinger, figura e shekullit në politikën ndërkombëtare, ka vdekur”. Kështu komenton ministrja e Jashtme gjermane, Annalena Baerbock, për vdekjen e ish-sekretarit amerikan të shtetit.

“Për shumë njerëz ai ishte model. Ndërsa të tjerët e kritikuan. Ajo që do të mbetet mbi të gjitha, është madhështia e tij për të shtrirë dorën drejt vendit tonë pas Luftës së Dytë Botërore dhe për të qëndruar i lidhur me miqësinë deri në fund”, ka shkruar sërish Baerbock.

Putin - Presidenti rus Vladimir Putin të enjten shprehu ngushëllimet e tij për vdekjen e ish-Sekretarit të Shtetit të SHBA-së, Henry Kissinger, në një mesazh për të venë e Kissinger, Nancy: “E nderuar zonja Kissinger, ju lutem pranoni ngushëllimet e mia më të thella për vdekjen e bashkëshortit të saj Henry Kissinger. Një diplomat i shquar, një burrë shteti i mençur dhe largpamës, i cili për shumë dekada gëzonte autoritet të merituar në të gjithë botën, ka ndërruar jetë”, tha Putin në një mesazh të publikuar në faqen e internetit të Kremlinit.

Kina - Kina ka vlerësuar pas vdekjes Kissingerin, duke nënvizuar rolin e tij të paçmuar në ndërtimin e marrëdhënieve midis Pekinit dhe Uashingtonit: “Një mik i vjetër dhe shumë i çmuar”, - lexohet në një komunikatë zyrtare. Ndërsa ambasadori kinez në SHBA, Xie Feng, tha se ishte "thellësisht i pikëlluar" nga lajmi për vdekjen e ish-sekretarit amerikan të Shtetit: "Është një humbje e madhe, si për vendet tona ashtu edhe për botën", shkroi Xie në një postim në X, në atë që është komenti i parë zyrtar i Pekinit për këtë çështje.

"Historia do të kujtojë" kontributin e Kissinger në marrëdhëniet Kinë-SHBA dhe "ai do të mbetet gjithmonë i gjallë në zemrat e popullit kinez si një mik i vjetër shumë i vlerësuar".

Cameron - Sekretari i Jashtëm britanik, David Cameron tha se ishte i pikëlluar nga lajmi i vdekjes së Henry Kissinger: "Ai ishte një burrë shteti i madh dhe një diplomat thellësisht i respektuar që do t'i mungojë shumë në skenën botërore", shkroi ai në “X”. "Edhe në moshën 100 vjeçare , mençuria dhe mendimet e tij shkëlqenin".


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë