Mendim

Falenderim shqiptarësh për Albinin

Nga Megi Iskurti - Qeveria e Kosovës ishte zotuar të nxiste tregtinë me Shqipërinë fqinje dhe të reduktonte varësinë e vendit nga importet serbe që sipas saj do i jepte fund një absurditeti dhe ushqente shëndetshëm patriotizmin. Të dhënat tregojnë se më në fund, ia doli.

Masa ‘politike’ e Kosovës që dikton ndalimin e mallrave serbe ka ndikuar pozitivisht pas 12 vitesh ekonomitë këtej e mandej kufirit.

E vendosur në qershor të vitit të shkuar pas rrëmbimit të tre policëve kosovarë nga forcat serbe, kjo masë që kryeministri Albin Kurti atëbotë e konsideroi si sigurie dhe jo tregtare, në fakt ka rifreskuar për mirë hartën gjeografike të eksporteve.

Për herë të parë pas shumë kohësh, Shqipëria dhe Kosova të cilat e ‘kishin humbur’ njëra-tjetrën në drejtimin e shkëmbimeve tregtare,tani kanë forcuar ndjeshëm tregtinë.

“Shifrat tregtare me Kosovën dhe Serbinë nuk pasqyrojnë as sovranitet, as zhvillim ekonomik dhe as patriotizëm”, deklaronte më herët Kurti ndërsa theksonte që është absurde që partneri kryesor i Kosovës të mbetej për vite me radhë, Serbia.

Por tani, të dhënat më të fundit nga qeveria e Kosovës dëshmojnë se Serbia ka humbur 50% të tregut në Kosovë dhe se importet nga Shqipëria përgjatë 2023-shit u rritën me 28% duke rikthyer ‘patriotizmin patriotik në patriotizëm pragmatist’ të cilin bizneset kosovare dhe shqiptare prej vitesh nuk e konsideronin më.

Ndonëse vendimi i Kurtit për ‘sanksionet’ e mallrave serbe që në krye të herës u dënua nga ndërkombëtarët me arsyetimin se dikush që aspiron të jetë anëtar i BE-së nuk mund të ndalojë qarkullimin e mallrave, ai i qëndroi vendimit të tij duke e mbajtur ende në fuqi edhe pas tetë muajsh vendimin. Sakaq, edhe paratë mes shqiptarëve.

Qeveritë shqiptare të Kosovës dhe Shqipërisë janë mbledhur disa herë vitet e fundit me qëllim për të lehtësuar tregtinë mes dy vendeve dhe meritat për këtë Kurti mbrëmë nuk u kursye që të ia atribuonte vetes.

Në një postim në Facebook, Lëvizja Vetëvendosje, partia e tij në pushtet në Kosovë theksoi se është pikërisht Kurti ai që po e dërgon Kosovën drejt pavarësimit ekonomik.

Mandej, nuk ngurruan t’i përgjigjeshin as opozitës e cila për vite me radhë ka kritikuar qeverinë e Kurtit e cila erdhi në pushtet pjesërisht me një premtim për të thelluar lidhjet ekonomike me Shqipërinë dhe për t’i dhënë fund varësisë së Kosovës nga importet nga Serbia.

“Ne ia dolëm të bëjmë atë që ju nuk e bëtë dot për 20 vjet”, shkroi LVV-ja.

Barrierat kosovare për Serbinë edhe pse shkojnë kundër frymës liberale të tregtisë, edhe pse e ka burimin tek një konflikt shtetëror, edhe pse krijoi kosto për disa biznese në Kosovë, për shqiptarët sollën më shumë të ardhura që më përpara i merrnin serbët, të cilët jo vetëm nuk e njohin Kosovën, jo vetëm nuk i njohin viktimat e gjenocidit, por ende vrasin.

Në këtë kuptim, veprimi i qeverisë së Prishtinës tingëllon si një veprim që ndalon indirekt sponsorizimin e armiqësisë ndaj tyre duke e kthyer në një përfitim për shqiptarët. Ky është fakt edhe s’kemi pse të mos jemi falenderues...


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë