Mendim

Pse Zelensky largoi nga Ukraina rivalin e tij kryesor dhe më popullor se ai në sondazhe?

Nga Bohdan Nahaylo - Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky, vendosi më në fund të plotësojë vendin vakant prej kohësh në Londër, duke emëruar në këtë post ish-shefin e ushtrisë së Ukrainës, Valerii Zaluzhnyi. Kjo është në fakt në kompetencën e tij. Dhe në parim, unë jam i lumtur që i është dhënë fund kësaj vonesë të pashpjegueshme në plotësimin e këtij posti të rëndësishëm.

Është identifikuar më në fund një zëvendësues i ambasadorit të mëparshëm shumë të aftë si Vadym Prystaiko, i shkarkuar në korrikun e vitit 2023 me dëshirën e presidentit. Tek e fundit, Britania e Madhe është bërë aleatja kryesore e Ukrainës në këtë luftë, ndaj është jetike mbajtja e marrëdhënieve diplomatike në nivelin e duhur.

Nuk kishte asnjë justifikim që Zelensky dhe ekipi i tij ta shkarkonin ambasadorin e Ukrainës në Londër, diplomatin shumë të aftë Vadym Prystaiko, në mënyrë të papritur dhe të pashpjegueshme siç edhe ndodhi, dhe ta vononin kaq shumë emërimin e zëvendësuesit të tij.

Përveçse, nëse dikush lart kishte interes për këtë? Si një nënshtetas britanik me origjinë ukrainase, i përkushtuar ndaj çështjeve ukrainase, e them hapur se nuk jam aspak i kënaqur me zgjedhjen e zëvendësuesit, dhe jam i bindur se kjo zgjidhje e çuditshme shtron më shumë pyetje sesa ofron zgjidhje.

Pse Valerii Zaluzhny po zhvendoset papritur në Londër? Caktimi i tij me një detyrë diplomatike në Britani është vërtetë një vendim shumë i çuditshëm. Sepse ish-shefi i ushtrisë ukrainase është me siguri ende shumë i nevojshëm në Kiev për të ndihmuar në drejtimin e përpjekjeve ushtarake të Ukrainës dhe jo jashtë vendit.

Për më tepër, kush në Kiev dëshironte që ta degdiste kaq larg? Në fund të fundit, Zaluzhny është ende figura më popullore në Ukrainë në momentin që flasim. Prej disa kohësh, ai ka qenë në krye të sondazheve mbi popullaritetit e figurave drejtuese në Ukrainë, madje edhe më lart se vetë Zelensky.

Dhe raportohet se ky i fundit se është shumë i ndjeshëm ndaj vlerësimeve që merr në sondazhe. Zelensky ka shkarkuar gjeneralin Valery Zaluzny si komandant i përgjithshëm i forcave të armatosura. Mediat evropiane kanë hedhur ide të ndryshme se çfarë duhet të presim nga ky ndryshim.

Si një britanik, kujtoj rastin e mbretit Henrit II në shekullin XII-të, i cili kur u përball me autoritetin në rritje të një bashkëpunëtorit të tij të ngushtë që po e kundërshtonte, kryepeshkopin Thomas Becket pyeti me zë të lartë:”E kush do të më shpëtojë nga ky prift ngatërrestar?”. Menjëherë pas kësaj, disa nga miqtë e tij e kuptuan kërkesën, dhe e vranë mikun dhe kritikun e tij. Unë nuk sugjeroj që në këtë rast kemi të bëjmë me një atentat, por dërgimi i një rivali politik potencial në mërgim, dhe largimi i tij nga ekrani i radarit të politikës së brendshme, është një formë tjetër e neutralizimit politik të një rivali të mundshëm politik.

Cila do të jetë vlera e shtuar e Zhaluzny në Londër? A ka ai përvojën dhe aftësitë e nevojshme diplomatike? Sa i mirë është niveli i anglishtes së tij? A do të shihet Zaluzhny si një refuzim politik nga rrethi i brendshëm i Zelensky, që ka nevojë për një “pensionim” të respektueshëm, në vend të ndërtimit një kanali të ri të vërtetë diplomatik midis Kievit dhe Londrës?

A mos vallë mungojnë diplomatë të tjerë të lartë ukrainas, që presin dhe meritojnë detyra të reja, të cilët mund ta kishin zënë këtë post të rëndësishëm? Ndër të tjera unë mendoj për ish-ministrat e jashtëm Andrii Deshchytsia dhe Pavlo Klimkin, ose ish-ambasadorin e Ukrainës në OKB, Volodymyr Yelchenko.   

Dhe çfarë ndodhi me kandidaturën e ish-Ministrit të Mbrojtjes Oleksii Reznikov, për postin e ambasadorit të Ukrainës në Londër? Në fillim u prezantua në media si një emërim që ishte gati i sigurt. Pse pati mungesë transparence me rastin e tij?

Fatkeqësisht, e gjitha kjo sjellje duket e lidhur me uzurpimin gradual nga ekipi i brendshëm i Zelensky-t i rolit të Ministrisë së Jashtme dhe i përqendrimit të vendimmarrjes dhe emërimeve në duart e saj. Për një vend demokratik që shkon drejt Evropës, kjo nuk është një gjë as e mirë dhe as e pranueshme. Dikush duhet të pyesë: Ej, çfarë po ndodh? Është detyra ime si gazetar që të flas për këtë problem.

Shënim: Bohdan Nahaylo, kryeredaktor i “Kyiv Post”, gazetar britaniko-ukrainas dhe analist i vjetër mbi çështjet e Ukrainës. Më herët ka qenë zyrtar i lartë i Kombeve të Bashkuara.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë