Ana e errët

Dosjet, lista e 30 zyrtarëve si spiunë të ish-Sigurimit të Shtetit

Bledar Hoti - Në institucionet shtetërore rezultojnë 30 zyrtarë të shtetit të cilët kanë qenë spiunë të ish-Sigurimit të Shtetit, aktiv ose bashkëpunëtor. Kjo është shifra e konstatuar në raportin vjetor të këtij Autoriteti, i cili është paraqitur zyrtarisht në Parlament nga drejtuesja e këtij institucioni, Gentjana Sula në komisionin e Ligjeve. “Në ushtrim të veprimtarisë sonë, gjatë këtyre dy viteve kanë rezultuar gjithsej 30 persona pozitiv (figurojnë në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit kryesisht b.p) nga të cilët, në konkretizim të sa më sipër 13 rezultojnë pozitiv (figurojnë në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit) vetëm për vitin 2017, ndërsa pjesa tjetër i përket rekordeve të vitit 2018”, thuhet në këtë raport të siguruar nga Gazeta "Si".

Në raport vlerësohet se Autoritetit (AIDSSH) ka verifikuar figura qendrore me peshë dhe rëndësi në jetën politike të vendit, si Presidenti i Republikës, Anëtarë të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, si dhe gjyqtarë të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit (Vettingu), Anëtarë të KLGJ-së, Anëtarë të KLP-së, gjeneralë, Avokati i Popullit, anëtarë të KQZ-së, anëtarë të Akademisë së Shkencave, Prokurori i Përgjithshëm i Përkohshëm, çka përbëjnë përparim në koeficientin e njohjes dhe zbatimit të ligjit, vlerësim për institucionin dhe besueshmëri për publikun.


Ish-spiunët në drejtësi, diplomaci, polici dhe në politikë
Autoriteti është përfshirë në procesin e Vettingut në drejtësi ku ka verifikuar 294 kandidatë, prokurorë e gjyqtarë, apo dhe kandidatët për anëtarë në Këshillin e Lartë të Prokurorisë dhe Këshillin e Lartë Gjyqësor. Sipas raportit 5 individë kanë rezultuar të figurojnë dhe të ketë dokumentacion. Më konkretisht, tre persona nga verifikimi rezultoi se figurojnë në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit, 2 persona si subjekte proceduese ish-gjyqtar dhe ish-prokuror në procese penale politike (N.S, F.L) dhe për 1 person si bashkëpunëtor (S.V).

Me kërkesë nga Prokuroria e Përgjithshme është bërë verifikimi i figurës për kandidat për anëtar të Këshillit të Lartë të Prokurorisë. “Nga verifikimi, Autoriteti ka dalë me vendimin Nr.12, që ka të bëjë me subjektin e verifikuar (B.SH), për të cilin ka rezultuar se figuron në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit. Rasti është në shqyrtim administrativ nga ana jonë, me kërkesë të vetë subjektit të verifikuar. Gjithashtu, po ndiqet dhe në rrugë procedurale nga ana e Prokurorisë”, thuhet në raportin e Autoritetit. Edhe pse këtu përmendet me iniciale, bëhet fjalë për anëtarin e KLP-së, Bujar Sheshin, i cili po ankimon vendimin e Autoritetit në Gjykatë.

Gjithashtu, me Vendimin nr. 33 i vitit 2018 (marrë në shqyrtim kryesisht), me objekt shqyrtimi i publikimeve për pastërtinë e figurës së kandidatit për anëtar të KLP (K.J), duke vendosur korrigjimin e Vendimit nr. 11 i vitit 2017 për shtetasin (K.J). Vendimi është marrë në fillimin e veprimtarisë së Autoritetit, kohë kur identifikimi dhe gjetja e dokumentacionit realizohej nëpërmjet institucioneve të tjera. Rasti është në proces gjyqësor.

Ndërsa me kërkesë të dy partive politike Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet; Aleanca Popullore për Drejtësi janë verifikuar 285 persona në kuadër të verifikimit të figurës për kandidat për deputet në Kuvendin e Shqipërisë për zgjedhjet e 25 Qershorit. Nga ky verifikim ka rezultuar se 4 persona figurojnë në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit (XH.A, R.T, F.T dhe Z.G). Në ministrinë e Brendshme, Autoriteti ka verifikuar 30 persona përpara emërimeve ose të ngritjes në detyrë. Ky institucion ka dalë më një vendim, ku 1 person figuron në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit (A.XH).

Ndërsa me kërkesë nga Akademia e Shkencave janë verifikuar të gjitha kandidaturat në kuadër të verifikimit të figurës përpara emërimeve ose ngritjes në detyrë. Nga verifikimi, Autoriteti thotë se 2 persona figurojnë në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit (Gj.Sh, I.M). Në lupën e Autoritetit janë përfshirë edhe punonjës të Fakultetit Ekonomik, ku janë verifikuar 116 persona. “Nga verifikimi, Autoriteti ka dalë me vendim se 2 persona figurojnë në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit (A.M dhe I.K). - Njoftimi mbi rezultatet e verifikimit u është dërguar të gjithë aplikuesve”, thuhet në raport.

Ndërsa në Ministrinë e Jashtme, Autoriteti ka konstatuar se 7 persona figurojnë në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit. Nga verifikimi, Autoriteti ka dalë me vendimet për zyrtarët me inicialet F.R; E.M; Ll.K; J.Sh; G.S; A.A dhe A.D.

Sipas raportit, nga këto vendime janë ankimuar vetëm dy prej tyre dhe konkretisht Vendimi nr. 74 i viti 2018 (Ll.K), i cili, pasi u shqyrtua në Autoritet, mbi bazën e ankimit të subjektit të verifikuar, me vendim të arsyetuar, mbi bazën e provave të paraqitura dhe nga kërkimi i thelluar është vendosur ndryshimi i tij. Kjo, pasi rezultoi se kishim të bënim me person tjetër me gjeneralitete të njëjta, që në kohën e rekrutimit, subjekti i verifikuar nga ana jonë ndodhej jashtë juridiksionit në të cilin ishte krijuar dhe gjendej dokumentacioni dhe në këtë kontekst, Autoriteti korrigjoi vendimin përkatës. Rasti është për shqyrtim në gjykatë. Gjithashtu, rasti i verifikimit për punonjësin e kësaj ministrie (V.M), gjatë procesit u konstatua se kishte qenë subjekt i verifikimit nga ana e Komisionit “Bezhani”, shkak për të cilin verifikimi u ndërpre.

Për verifikimin e figurës së punonjësve ka bërë kërkesë edhe Shërbimi Informativ Shtetëror, ku janë verifikuar 45 persona. Nga gjysma e procesit të realizuar nga këto punonjës rezulton se tre persona janë punonjës të ish-sigurimit të Shtetit. Kontrolle mësohet se janë kryer edhe në pushtetin vendor ndaj 25 personave në kuadër të verifikimit të cilësive etike, morale dhe profesionale. “(DH.S dhe Z.K) figurojnë në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit” thuhet në raport.
Me kërkesë nga Garda e Republikës janë verifikuar 7 persona në kuadër të verifikimit të figurës dhe 1 person figuron në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit (Q.P).
Nga kandidatët për Komisioner pranë Avokatit të Popullit 1 person inicialet (S.N) figuron në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit.
Me kërkesë nga Kuvendi i Shqipërisë janë verifikuar kandidaturat në kuadër të verifikimit të cilësive etike, morale dhe profesionale të kandidatëve për anëtar në Këshillin Drejtues të Radio Televizionit Publik Shqiptar. “1 person (P.P) figuron i regjistruar si bashkëpunëtor në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit. Vendimi është ankimuar nga subjekti i verifikuar dhe është lënë në fuqi nga ana e Autoritetit”, thuhet në këtë raport.
Sipas dokumentit, për vitin 2018 janë trajtuar 67 kërkesa, nga të cilat: janë verifikuar 463 kandidatë apo zyrtarë, nga të cilët: 446 individë rezultojnë negativ (figura të pastra); 17 individë kanë rezultuar pozitiv (figurojnë në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit në cilësi të ndryshme që nga subjekte procedues, anëtar ose b.p.)


“Nëse vërejmë në rrafshin krahasues në vitin 2018, kemi rritje të numrit të kërkesave, por njëherazi zvogëlim të numrit të personave të verifikuar, për vetë stabilitetin, dinamikën e zhvillimeve dhe rekrutimeve në administratë, pasi në vitin pararendës kemi pasur ngritjen (krijimin) e disa institucioneve të reja, sidomos të atyre në drejtësi dhe procesin elektoral, ku në proceset e verifikimit u përfshinë disa subjekte politike, çka ka rritur numrin e individëve të verifikuar. E veçanta e vitit 2018 është numri në rritje i kërkesave edhe për raste të veçanta, që tregon sensibilitetin dhe kuptimin më të drejtë e rritjen e shkallës së përgjegjshmërisë dhe të kuptimit të procesit nga ana e institucioneve dhe administratës publike”, thuhet në raport.

Gjatë vitit 2017, janë trajtuar 48 kërkesa (institucione kushtetuese apo autoritete publike), ku janë verifikuar 821 kandidatë apo zyrtarë. Gjatë raportimi në komision parlamentar, Sulaj kërkoi që Kuvendi të miratojë vendin e lënë vakant nga një anëtar i Autoritetit, si dhe të shtojnë numrin e organikës së punonjësve.

Kryetarja e Autoritetit për Informimin mbi Dosjet e Ish Sigurimit, Gentiana Sula/ Foto LSA

Deputeti i PS-së, Bashkim Fino shprehu rezerva se Autoriteti duhet të jetë i kujdesshëm në nxjerrjen e vendimeve, pasi ka pasur raste kur edhe është tërhequr nga “njollosja” e zyrtarëve. Ndërsa kryekomisioneri Manja kërkoi që të bëhet më shumë punë nga Autoriteti ne lidhje me median dhe sa më shumë transparencë. “Duhet të keni kujdes, jemi 30 vite pas regjimit të sistemit komunist dhe ne vazhdojmë të përpëlitemi me këtë kaluarën, e jam i bindur se kjo është vetëm maja e ajsbergut. Më ka bërë përshtypje në fakt se shoqëria nuk reagon. Ju jeni një zë i mbytur kur konstatohet një gjë e tillë, por nuk ka reagim, të bashkëpunoni më shumë me median”, theksoi Manja. Ai i kërkoiu Sulës që t'i publikojë emrat e zyrtarëve.
Por Sula u shpreh se mund të ketë pasur gabime, që janë njerëzore, por kjo ka ndodhur në dobi të interesit të publikut,i cili, sipas saj, prevalon ndaj atij privat. “Kemi parë edhe në SHISH dokumente për përfshirje për personave me bashkëpunëtorë me shërbimet e huaja”, theksoi kryetarja e Autoritetit, e cila theksoi se punonjës e saj që merren me dokumentacionin kanë certifikata sigurie.

Lista e ish-spiunë apo bashkëpunëtorëve
Në organet e larta të sistemit të drejtësisë 5 individë kanë rezultuar të figurojnë dhe të ketë dokumentacion
3 persona janë në ish-Sigurimit të Shtetit, 2 persona si subjekte proceduese ish-gjyqtar dhe ish-prokuror në procese penale politike (N.S, F.L) dhe për 1 person si bashkëpunëtor (S.V).
1 kandidat, me inicialet K.J për anëtar në KLP rasti është në proces gjyqësor.
Subjektin e verifikuar B.SH anëtar i KLP, figuron në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit, çështja është në gjyq
Ministria e Jashtme 7 persona, Autoriteti ka dalë me vendimet për zyrtarët me inicialet F.R; E.M; Ll.K; J.Sh; G.S; A.A dhe A.D
Në ministrinë e Brendshme, 1 person figuron në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit (A.XH)
Në SHISH 3 persona me inicialet K.P; Q.D dhe R.M
Nga lista e PDIU dhe Aleanca Popullore 4 persona figurojnë në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit -XH.A; R.T; F.T dhe Z.G
Në Akademinë e Shkencave 2 persona figurojnë në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit Gj.Sh dhe I.M
Në Fakultetin Ekonomik të UT, 2 persona figurojnë në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit A.M dhe I.K
Në pushtetin vendor 2 raste, D.H.S dhe Z.K figurojnë në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit
Në Gardën e Republikës 1 person me inicialet Q.P figuron në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit
Avokati i Popullit, 1 person S.N figuron në dokumentacionin e ish-Sigurimit të Shtetit.
1 kandidat për anëtar të KD në Radio Televizionin Shqiptar me inicialet P.P ka dalë si bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë