Njerez

In Memoriam – Maks Velo

Maks Velo në studion e tij. Fotografia:Jetmir Duraku

Maks Velo mbylli sytë këtë të enjte në moshën 84-vjeçare. Deri në ditën e fundit ai ishte ndërthurje e vazhdueshme e artistit-arkitekt, që nuk bënte kompromis me të vërtetat që mendonte.

E në këtë ditë të humbjes së madhe, Gazeta “Si” e rikujton edhe përmes fjalëve të thëna nga vetë ai gjatë promovimit të librit “Jetë paralele” në verën e 2018.

Dosja e Sigurimit – Maks Velo lexon jetën e tij të shkruar nga të tjerët…

Më  shumë sesa jetë paralele, ajo që mbruhej në terr të plotë prej Maks Velos gjatë viteve ’70 ishte një jetë e nëndheshme, si një lloj laboratori me qëllime djallëzore ku eksperimentohej një qenie-klon, me vështrim ultravjollcë dhe dëgjim ultratinguj që vëzhgonte në hije , ndërsa ai do të vazhdonte jetën pa e ditur se ç’e priste...

“Mendoja se kisha shokë, kisha artistë... Ata ishin përbindësha” – tha Maks Velo, gjatë promovimit të librit me 106 dokumentet e Sigurimit të Shtetit, mbledhur në  titullin “Jetë paralele” , botuar së fundi nga shtëpia botuese “UET Press”.

Në çdo faqe të dosjes së tij  kolegët, miqtë, të afërmit i  shndërroheshin në agjentë, bashkëpunëtorë sigurimi, kallëzimtarë, herë me  nofka si  “Energjiku”, “Motori”, “Shigjeta”, “Pisha” “Semani”. Edhe ato  që Maks Velo i fliste si biseda dhe rrahje mendimesh mes miqsh e njerëz të artit në atë  dosje ishin vijë sjelljeje të diskutuara më parë nga punëtorë operativë .

Dosja, ka  një numër të madh dokumentesh sekrete dhe jo sekrete –aktakuza, ekspertiza, procesverbale të marrjeve në pyetje nga hetues dhe vendime të gjykatës.  Maksi e dispononte pjesën më të madhe qysh nga koha e hetuesisë dhe i pati me vete gjatë gjithë kohës së burgut – kalvar, i cili nisi më 14 tetor të vitit 1978.  

Materialet e arkivit të Sigurimit nuk i kishte e as nuk ishte në dijeni ,derisa aplikoi pranë Autoritetit të Informimit mbi Dosjet e Sigurimit të Shtetit për ta marrë të plotë dosjen e tij.

Maks Velo gjatë promovimit të Librit "Jetë Paralele" .

Ata  që e kanë njohur Maks Velon pas viteve ’90 dhe u bie në duar ky libër do vërejnë se është një roman absurdi si një shkrirje mes “1984” të George Orwell dhe “Procesi” të Franz Kafkës  por që  është shkruar nga  të gjithë ata që e dhanë një dorë drejt arrestimit të tij dhe ku realiteti ia kalon trillit dhjetërafish

Nga libri do e kuptoni menjëherë se  Maksi Velo ka mbetur i njëjti;  të njëjtat ide të artikuluara atëherë dhe sot me të njëjtën besnikëri për të qenë i vërtetë, së pari dhe para së gjithash, me veten.

Fryma moderne ose ekziston,  ose nuk ekziston.” – më thotë Maksi, ndërsa i gjithë filli që tjerr akuzat ndaj tij sillet rreth modernizmit.

“Si piktor është i pasionuar pas artit borgjezo-revizionist-abstraksionist e surrealist. Rrethi i tij shoqëror ka qenë i përbërë nga njerëz  të shthurur e me pikëpamje revizioniste, është takuar me turistë të huaj. Për sa i përket pikturës Maksi ka qenë i prirur ndaj artit modernist”, shkruhet në dokumentin Nr.5 të kësaj dosje, nënshkruar nga punëtori operativ Ropi Postoli.

Mendoja se kisha shokë, kisha artistë… Ata ishin përbindësha”

Maks Velo

Ata që e kallëzuan , që bashkëpunonin me aparatin e shtetit përsërisin thuajse njëzëri të njëjtën tezë; Maks Velo është modernist, lexon dhe priret nga arti dekadent, ngre në qiell dhe lëvdon emra si Picasso,Chagall, Modigliani,Gauguin, Mattise, Henri Moore... Në shtëpinë e tij ka të varura piktura që e deformojnë realitetin,  me ngjyra aspak realiste , është formalist në pikturë, duke i dhënë më shumë rëndësi formave se përmbajtjes.

Të thoshe se  në pikturë nuk funksionon ajo që funksionon në letërsi, se piktura nuk ka pse të shpjegohet me fjalë, duket se ka qenë krimi më i madh e i vetëm i Maks Velos.

Në studio. Foto: Jetmir Duraku

Ai ishte i mendimit se piktori nuk ka pse të jetë thjesht  imitues besnik i asaj çka sheh, por mund të bëhet krijues e të shkrihet njëheri me subjektin duke sjellë bashkë me atë që sheh ndjesitë e veta siç do të bënte çdo rrymë përtej realizmit-ekspresionizmi, impresionizmi, postimpresionizmi, modernizmi, abstraksionizmi e surrealizmi. Si  pedagog i lëndës së Perspektivës, Maksi  u citonte studentëve të Institutit të Arteve  thënie dhe ide të filozofëve reaksionarë si Didëro, Hegel apo Niçe. Por edhe ky ishte krim ndaj pushtetit popullor.

Mendimeve të tij  i qëndroi  besnik, edhe pse u kritikua nga Lidhja e Shkrimtarëve dhe Artistëve , edhe pse u dënua e u çua të punonte në fshatin Gurrë e u hoq nga detyra si pedagog i Institutit të Arteve.

“Kam ngulmuar  vazhdimisht këto vite dhe kam thënë që Lidhja e shkrimtarëve dhe  Artistëve ka qenë një tmerr dhe kur e thosha të gjithë më dilnin kundër, ndërsa kur lexon librin e kupton që kjo është e vërtetë.”, thotë ai, ndërsa shton se Lidhja ish bërë qendër rekrutimi agjentësh.

Nuk futet piktori në burg!  Kjo ishte lidhja, ky ishte Dritëroi!  Dua ta keni të qartë se më thoni: “ Maksi sillesh keq.”  Po  të kishte qenë burrë i mirë ishte larguar, ekspertizat e gjyqit janë bërë nga lidhja, Lidhja nuk duhet të ishte qendër e Sigurimit të shtetit, kur ajo merrte në analizë dhe kontrollonte artistë një për një...”

Gjuha e ftohtë, raportimet deri te hollësitë më të parëndësishme  dhe ndjekja këmbë pas këmbe, ta bën të vështirë të mendosh, se  ata që akuzonin kinse me neveri prirjen e tij drejt artit dekadent apo largësinë e interesit të artistit për jetën e masave dhe klasës punëtore, të ishin qenie njerëzore.

U shkatërrua e gjithë familja. Babai vdiq i tmerruar, vëllain e hoqën nga kirurg – ishte i shkëlqyer në Vlorë, motra shkoi në çmendinë… Çfarë njerëzisht janë këta?! Çfarë kriminelësh?!

Maks Velo

Hijet thellë në shtëpi

Për Sigurimin e Shtetit, Maks Velo ishte objekti 2/A, i biri i Sotirit dhe i Anies, i lindur në vitin 1935 në Paris, banues në Tiranë, lagjja nr2., rr.’Hoxha Tahsim’, nr 57/2, i padënuar, i martuar, i paorganizuar, me kombësi e shtetësi shqiptare, me arsim të lartë, me profesion nëpunës, me detyrë inxhinier... Kështu përshkruhet në një dokument të vitit 1975, ndërsa të dhënat e tij do të përditësoheshin e ndryshoheshin, sikur të ishte në proces një jetëshkrim.

Nga dokumenti në dokument, Maks Velo kalon nga puna si inxhinier në Komunalen e Durrësit, pastaj në Ndërmarrjen e Gjelbërimit në Tiranë, më vonë në Ndroq si arkitekt, si pedagog i jashtëm në Institutin e Arteve, pastaj në vitin 1969 pranohet në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve  për t’u dëbuar një vit më vonë e pastaj do të përfundonte në kooperativën bujqësore të fshatit Gurrë...

Jo vetëm miqtë, kolegët, ata me të cilët ndau të rejat e artit botëror, pasionin për abstraksionistët dhe surrealistët, duke këmbyer  me ta libra që i kishte në shtëpi apo i siguronte në Bibliotekë, ku drejtor ishte Mihal Hanxhari, por  u tradhtua edhe nga njerëzit më të afërt.

Kallëzohet nga e vjehrra, austriakja Gertrudë Buheckes , ndërsa dorëzon në shtëpinë e Kujtim Buzës, asokohe Sekretar i Arteve Figurative në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve një libër (sipas saj) pornografik në gjuhën frënge, ku flitej për marrëdhënie seksuale mes mashkullit dhe femrës. Bëhej fjalë për librin “Zoti i Turpit” , ndërsa ish-bashkëshortja Luçiana Naraçi, e cila fillimisht do të kërcënonte të ëmën nëse Maksit do i ndodhte ndonjë gjë e keqe, përfundon duke e kallëzuar një vit pasi ishin divorcuar.

Librat që iu konfiskua në shtëpinë e tij.

Sipas kallëzimit të ish-bashkëshortes me cilën Velo kishte edhe një fëmijë, ai ishte i dhënë pas artit dekadent, i thoshte shpesh asaj kur qenë të martuar se Picasso ishte artist i madh, ndërsa në Shqipëri artin e tij nuk dinin ta vlerësonin. Jashtë, i kishte thënë mikesha e tij frënge, artistë të tillë marrin famë dhe para. Naraçi do të vijonte rrëfimin–ndoshta e shtyrë edhe nga xhelozia –se  Maksi kishte pasur marrëdhënie me disa gra, përfshirë këtu edhe një franceze, e cila  kish vizituar shtëpinë e tij e po ashtu për Fadil Paçramin, kishte thënë se “Qëndroi si burrat”. Në dëshminë e firmosur prej saj fliste edhe për dy libra me ilustrime të Zhan Eiffel e po ashtu si provë implikuese  kishte çuar një fotografi ku Maksi dhe i vëllai, fëmijë, shfaqeshin të veshur me uniforma fashiste –në një kohë kur Shqipëria ishte në fakt pjesë e Mbretërisë së Italisë.

"U grumbulluan aq shumë dhimbje sa  nuk më bënë shumë përshtypje kallëzimet e vjehrrës dhe ish-gruas. Ato organizuan disa mbledhje në lagje për të diskredituar tërë familjen. Më vinte turp nga vetja që e zgjodha, ishte  faji im.” –përgjigjet Maksi.

Për të vjehrrën, një nga ato gra të huaja të cilat u martuan me burra shqiptarë dhe mbetën brenda kufijve gjatë regjimit komunist, Maks Velo ishte borgjez. Po ashtu do e cilësonin edhe dhjetëra bashkëpunëtorë të Sigurimit dhe denoncues.

Në kallëzimet e tyre nuk do të linin pa përmendur edhe luksin aristokratik të shtëpisë së tij në rrugën Hoxha Tahsim, me qilima, sixhade, shpata të varura në mure e servise të çmuara argjendi. Mes rreshtave duket se lexohet se po të qe e mundur do të quhej faj edhe përkatësia e familjes së tij prej nëpunësish të lartë. I ati, Sotiri, ishte shkolluar në Francë ndërsa në vitin 1937 u kthye në Tiranë dhe ushtroi profesionin e mjekut okulist, po ashtu edhe i vëllai ishte mjek kirurg, i emëruar në Vlorë. “Kjo familje ka qenë e privilegjuar në regjimet e shkuara gjatë okupacionit kanë mbajtur qëndrim indiferent, nuk janë  aktivizuar në jetën politike”, shkruhet në një prej dokumenteve në dosje.

“U shkatërrua e gjithë familja.  Babai  vdiq i tmerruar, vëllain e hoqën nga kirurg – ishte  i shkëlqyer në Vlorë, motra shkoi në çmendinë... Çfarë  njerëzisht janë këta?! Çfarë  kriminelësh?! Ç’shpirt krimineli kemi, nuk arrij ta kuptoj!”- do të revoltohej Velo, ndërsa edhe pas dyzet viteve dhimbjet janë ende të freskëta.

Edhe pse e kuptonte se rrethohej nga spiunë, se përndiqej dhe vëzhgohej në çdo hap që hidhte, do ia hapte derën e shtëpisë dhe do ia zbulonte pikturat atyre që shprehnin dëshirën t’i shihnin, do u fliste pa doreza kujtdo që kërkonte një mendim rreth artit modern dhe pikëpamjes së tij për artin e realizmit socialist. Për shumë nga ata piktorë që e kallëzuan apo implikuan në dëshmitë e tyre, Maks Velo kishte shërbyer si një portë drejt perëndimit, një lloj mentori që do të kapte prej dore artistë për t’i kaluar nga arti realist –sepse siç thoshte Maksi edhe Picasso-ja e kish nisur si realist, por duke mos u përmbushur  artistikisht   kishte hapur shtigje të rinj të pikturës drejt surrealizmit e më pas kubizmit.

Si të mos i besoja një piktori, një artisti?! Çfarë të bëja unë? Unë nuk thosha ‘do vrasim’, flisja për Henri Moore, për Picasso-n, për vizatimin… Ky nuk është krim!”

Maks Velo

Një prej miqve të tij (lexo:spiunë) i kish folur edhe për fotografin me origjinë shqiptare Gjon Mili, i cili atë kohë pat bërë një prej shpikjeve më të mëdha të shkencës për artin; fotografinë stroboskopike dhe se kishte realizuar një set fotografik me Picasso-n ndërsa pikturonte me një dritë në ajër... Nuk u duhej shqiptarëve se ç’ndodhte në botë, ndërsa ngjyenin penelat e krijimtarisë me vijën ideologjike të partisë

Dosja e botuar e Maks Velos, nga UET Press

Në procesin gjyqësor  të vitit 1975,  piktori Edison Gjergo do e implikonte Maks Velon kur  rrëfente se Maksi ndër të rrallët e përgëzoi pikturën e tij, “Epika e yjeve të mëngjesit”, shumë e kritikuar nga Plenumi i Lidhjes së Shkrimtarëve dhe Artistëve, së bashku me pikturën “Mbjellja e Pemëve” të Edi Hilës.

Gjergo, i arrestuar për veprimtari armiqësore në art,  do të zbulonte se në vitin 1972 , kishte vizituar studion e Maks Velos ndërsa kishte parë punime me ndikim nga piktorët për të cilët Velo  i kishte folur të riut si;  Picasso, Chagall,Renoir, etj.

Me Gjergon, Maks Velo ishte njohur  në vitin 1963, në Institutin e Arteve, ku ai edhe pse ishte diplomuar në Inxhinieri do të ndiqte leksione të pikturës. Atëkohë, rrëfen Maksi se lejoheshin ende pikturat që më pas u quajtën dekadente, ku studentët pikturonin edhe nudo. Ai shkonte në mbrëmje, kur nudot vendoseshin mbi pod...

“Janë implikuar shumë njerëz, për Edisonin më ka ardhur keq, nuk e besoja për të. E njihja si natyrë e vogël,  por e doja , edhe  kur lëshoi ato deklaratat dhe u ndamë keq në Spaç. Megjithatë  kjo është një gjë e trishtuar.”

Librat e Picasso-s, Gauguin, Van Gogh-ut do i merrte shpesh në Bibliotekën e Universitetit, me autorizim për libra të arkitekturës dhe artit modern. Kështu do të raportonte Mihal Hanxhari, asokohe drejtor. Në bibliotekë ishin dy fonde; një lart dhe një poshtë që administrohej nga ai. Fondi dispononte libra arti dhe letërsie moderne, të cilat më vonë u hoqën. “Maksi ka marrë libra të Picasso, Gauguin dhe Van Gogh. Jo vetëm i pëlqente, por edhe i pikturonte. I kam thënë Maksit se klasikët janë të paarritshëm ndërsa modernët pseudopiktorë .Edhe ti Maksi, që pikturon në mënyrë moderne, nuk je i aftë për të pikturuar, prandaj përpiqesh të bësh pikturë të deformuar.” –do të dëshmonte Hanxhari.

U refuzua të çelte një ekspozitë me piktura në sallën ekspozitave në Teatrin Popullor, kur Maksi do të paraqiste një natyrë të qetë me një kafkë. Ata që kishin vizituar studion e tij do të raportonin për shumë të tilla, me realitet të deformuar si arixhofka me shportë, një malësore me qafë të gjatë e të hollë e fytyrë jo simetrike, nudo, valle labe, motive primitive, një vesh dhe një gisht, varreza e  kryqe...

Në diskutimin krijues për ekspozitën me rastin e  30 –vjetorit të Partisë, shumë do të ishin ata kolegë që do e kallëzonin se ai kishte folur keq për veprat me frymë revolucionare dhe se kishte shfaqur pikëpamje të huaja në lidhje me pikturën.

Njihej si beniamin i Fadil Paçramit dhe jo pak herë ishte provokuar nga bashkëpunëtori i Sigurimit, i cili në libër shfaqet kryesisht si “Semani” pas arrestimit të Paçramit.  Dhe  ky fakt, se kishte qenë i përkrahur prej tij , nuk i kish pëlqyer veçanërisht skulptorit Hektor Dule dhe Kujtim Buzës, sekretar për Artet Figurative i Lidhjes së Shkrimtarëve.

Hektor Dule do të thoshte për operativin  që e merrte në pyetje se  “Maks Velo është tip borgjezi dhe njeri i lig... Maksi ka bërë pjesë në rrethin shoqëror të Fadil  Paçramit dhe mbahej afër prej tij.Velo ka kritikuar me ashpërsi piktorë të shëndoshë  e realistë të vendit tonë si Fatmir Haxhiu.”

Në vitin 1973, në hotel “Drini” ishte ekspozuar një krijim i Velos me rrahje në bakër ku shfaqej një dhi, një gërnetaxhi, një valle labe dhe një daullexhi. Hektor Dule do të thoshte se pasi bisedoi me shokët ra dakord që të hiqej prej aty, sepse ishte deformim i përmbajtjes.

Asgjë armiqësore nuk u gjet nga vëzhgimet atyre viteve, megjithë tendencën për ta shtyrë drejt agjitacionit dhe propagandës kundër pushtetit popullor. Pak rrëfime fragmentare ku Velo ishte shprehur se do të kishte dashur të jetonte në Paris, qytetin ku kishte lindur apo se ekonomia shqiptare do të përkeqësohej pas prishjes së marrëdhënieve me Kinën nuk përbënin prova të mjaftueshme për veprimtari armiqësore. As nga pyetjet e fshatarëve në Ndroq apo në Gurrë nuk u gjet ndonjë element ku Velo – përveçse me sinqeritet ankohej për kushtet e vështira në fshat – nuk ishte munduar të sabotonte veprat  komuniste.

Ai shpesh u provokua të mos u përmbahej planeve kur hapnin kanale në kooperativë, por ai i qëndroi rigoroz planit në letër. Fshatarët, të porositur për ta mbajtur syrin hapur ndaj “snobit me sjellje imorale” thoshin se kohën e kalonte duke vështruar sesi ishin ndërtuar shtëpitë në fshat –për arkitekturën me ndikim oriental të të cilave do të fliste shumë vite më vonë.

Do të ndiqej me ditë të tëra që sa  linte shtëpinë dhe në çdo hap që bënte, nëse shkonte në markatë apo bibliotekë, në ç’faqe  kishte të hapur gazetën ‘Zëri i Popullit’ ,në ç’apartament do të bënte vizitë, kë takonte rrugës... Atyre që ndaleshin t’i shtrëngonin duart dhe bisedonin përtej përshëndetjes do u viheshin pseudonime e do të thirreshin më vonë të pyeteshin rreth lidhjeve me objektin Maks Velo. Ja që realiteti i “Vëllait të Madh” të Orëell-it nuk ishte aspak një realitet distopik...

Ndërsa vitet  ’70 kishin ardhur në perëndim të tyre , dosjes së Maks Velos i shtoheshin dokumentet dhe akuzat për agjitacion e propagandë. Nga terri  nisën të dilnin e të marrin identitet  krijesa të nëndheshme, që në fillim të librit shfaqen me nofka.  Ngjarjet rrjedhin drejt fundit tamam si në  një libër artistik .

Krijesat e nëndheshme nisin dhe kafshojnë

Lista e dëshmitarëve në Procesin e Maks Velos

Ndërsa arrestohet dhe merret në hetuesi, kallëzuesit do të shndërroheshin në dëshmitarë.

“E gjitha jeta ime e atëhershme u përmbys” – kujton Maks Velo, dhe  thotë se në hetuesi iu parashtruan kallëzimet e atyre që dolën si dëshmitarë në gjyq. “Agjentët nuk i tregonin, por një pjesë i merrje me mend. Tani, i di me detaje.” –vijon ai, duke shtuar  se me disa syresh edhe është ballafaquar. Asnjëri nuk ka kërkuar falje. Publikimin e dosjes e quajti edhe një formë hakmarrjeje për të gjithë ata që i shkatërruan jetën dhe nuk patën as ngasjen më të vogël t’i kërkonin falje. ( Më vjen ndërmend filmi “Vdekja e kalit”  dhe shprehja emblematike “Ti e di, ashtu ishte sistemi.”, që do të mbështillte kinse apologjinë e atyre që i ndynë duart në sistemin ku të gjithë përgjonin e ishin të përgjuar. Maks Velos, ata që e kallëzuan as kaq nuk i thanë...)

Nga dosja e plotë thotë se mësoi shumë detaje, sesi ishte ndjekur për një periudhë të gjatë dhe sesi funksiononin teknikat e Sigurimit dhe se kur gënjenin agjentët.

“Si është e mundur?! Llambi Blido njëzet e ca denoncime! Madje edhe duke gënjyer,  sepse edhe vetë  shteti thotë se këto informacione që na jep Llambi  nuk na  vërtetojnë. Thonë se si është e mundur që Maksi u beson akoma.  Si të mos i besoja një piktori,  një artisti?!  Çfarë të bëja unë? Unë nuk thosha ‘do vrasim’,  flisja për Henri Moore, për Picasso-n, për  vizatimin... Ky nuk është krim!”

Në një prej dokumenteve ku operativët vënë në diskutim vërtetësinë e raportimeve të bashkëpunëtorit “Semani” e ku ai shfaqet me nistoret Ll.B –që lë të kuptosh se bëhet fjalë për Llambi Blidon, mik i afërt me MaksVelon atëkohë – është një bisedë mes Velos dhe Safo Markos dhe këtij të fundit, që në tekst identifikohet si burimi. Ishte koha kur sapo kishin arrestuar të birin e Petro Markos.

“Ty nuk ka pse të të vijë  turp!   Yt  bir as nuk ka vjedhur e as nuk ka vrarë. Kjo mund t’i ndodhë kujtdo, secili nga ne shkon e tregon. Fare  mirë mund ta hajë secili.”, mësohet ta ketë ngushëlluar Velo Safo Markon, nga raportimet e “Semanit” dhe të vetë Markos.

“Unë vajta të ngushëlloj Safon se i kishin arrestuar djalin,  ajo raportonte në Sigurim. Megjithatë, them se nuk kemi ndryshuar shumë,  ata jemi akoma, vetëm se tani e bëjnë në forma të tjera.”

Më 14 tetor të vitit 1978 do të arrestohej. Me vete, siç shkruhet në një prej dokumenteve kishte pesë lekë, në rrip mesi meshini ngjyrë kafe, një orë dore të markës “Kelton” me fushë të bardhë  e pa numra, një palë lidhëse këpucësh në ngjyrë kafe dhe librin “Kujtimet e një zbuluesi”. 

Dëshmitarë në gjyqin e tij ishin pesëmbëdhjetë. Tanimë të shfaqur me emra e mbiemra.  Aristotel Papa, Edison Gjergo, Luçiana Naraçi, Hirushka Zekthi, Konstandin Leka, Dhimitraq Trebicka, Elsa Drita, Ermir Grezda, Dhimo Gogollari, Hektor Dule, Miltjadh Jorgji, Nelson Çabej, Genc Hajdari, Andrea Nikolla, Mihal Hanxhari u thirrën në hetuesi, patën ballafaqime me Velon dhe dëshmuan gjyq. Ishin  miq,  të afërt, kolegë, të njohur.

Nga kontrollet në banesën e tij u gjendën 246 piktura dhe 73 punime në dru.

Në dokumentin nr.99 të Dosjes së Sigurimit për shtetasin Maks Velo përfshihet një akt ekspertimi mbi përmbajtjen e pikturave të Maks Velos, kryer nga  Kujtim Buza, asokohe sekretar i Lidhjes së Shkrimtarëve, Foto Stamo dhe Skënder Milori, piktorë dhe anëtarë të Lidhjes. Të ngarkuar nga hetuesi Dhimitraq Shkodrani, treshja e ekspertëve do të dilnin në konkluzion se MaksVelo kishte rënë plotësisht në pozitat e artit formalist.

“Ashtu sikundër është kritikuar në dritën e mësimeve të partisë dhe materialeve të Plenumit të 4-t të  KQ të PPSh,  MaksVelo me punimet e tij në përgjithësi dhe këto që pamë në veçanti ka rënë plotësisht në pozitat e një arti formalist, të rrymave dhe drejtimeve borgjeze revizioniste , duke përfshirë ekspresionizmin, abstraksionizmin, kubizmin...Ai është i shkëputur  nga jeta , preokupacionet e popullit tonë , nga heroizmi dhe fryma luftarake.  Si snob që ishte, Maks Velo krijuar punime që janë në kundërshti të plotë me metodën tonë të artit të realizmit socialist.”

Autori   me këtë revan që kishte marrë, shkruan Buza i cili ka përpiluar edhe aktin e ekspertimit, tregon se me siguri do të eksperimentonte të gjitha rrymat dhe drejtimet,  me siguri do të provonte hiperealizmin, pop- artin dhe ap -artin. Këtë e tregon etja e tij.”

Punimet e tjera dalin me ndikime të artit formalist dhe shprehje e degjenerimit të plotë

“të këtij njeriu që me trup jetonte në tokën tonë ndërsa me mendje dhe zemër shëtiste në bulevardet e Parisit Moskës, Nju Jorkut e pastaj po t’i premtonte koha edhe në Pekinin revizionist.” E quajnë pseudo-artit, ndërsa krijimtarinë e tij pjellë e degjenerimit politik dhe moral, në kundërshti me porositë e Partisë.

“Mesa duket kështu do ta mbaroj jetën. Kisha të gjithë dëshirën e mirë për t’i dhënë këtij vendi, por është e pamundur.

Maks Velo

Të 246 veprat e konfiskuara u dogjën në kaldajën e gjykatës së Tiranës nga Ruko Sako.

Sistemi kishte arritur të shkatërronte jo vetëm karrierën dhe ambiciet e një piktori dhe të një arkitekti që thoshte se i duhej të kuptonte kubizmin për veprat,  por edhe besimin e njeriut tek lloji i tij.

“Po është e vështirë të besosh më  pas  në njerëzit, por në  burg ngushëllohesh me të tjerë qe kishin vuajtur më  shumë. Në  jetë  është konkurrenca e lumturive, në  burg është konkurrenca e vuajtjeve.” –rrëfen Maks Velo ndërsa pohon se i mbyllur në birucë ka sjellë ndërmend si në një film të gjithë bisedat, takimet, analizonte se ku mund të kishte gabuar. “

“Dhe kështu,  dalëngadalë  krijon një tabelë, si tabela e Mendelejevit, me gjithë ish-spiunët.”

Gjatë viteve të burgut, kaluar në famëkeqin kamp të Spaçit, zemërimi do i bëhej shok. Po ajo frymë moderniste që aq shumë e akuzuan dhe për të cilën e përndoqën një aparat i tërë me të gjithë strukturat e tij a ishte venitur nga izolimi, uria dhe puna e rëndë?

“Asnjë burg nuk e fshin dot, se ajo është ne vetë qenien tënde, përndryshe nuk e ke.

Kështu kam qenë gjithmonë, mesa duket që kur kam lindur.”

Në sfond fondi i krijimeve të Maks Velos. Foto: Jetmir Duraku

Nga masakra me veprat e pikturuara prej tij arritën të shpëtonin tri vizatime, të cilat ia pat dhuruar mikeshës së tij franceze, Odile Daniel.

Do të njihej me të renë që studionte Albanologji në fund të viteve ’60 në bibliotekën Kombëtare, do të shoqëroheshin bashkë ndërsa ajo qëndronte në hotel “Dajti”, do i rrëfenin njëri-tjetrit më shumë për jetët dhe më pas Maksi do e prezantonte në familje. Në dokumentet e dosjes zbulohet se francezja i pat propozuar edhe martesë, por Maksit iu urdhërua t’i rrinte larg. Daniel e vizitoi edhe dy herë të tjera Shqipërinë dhe u takua me Maks Velon në studion e tij. Si shenjë mirënjohjeje për pikturat, ajo do i sillte nga Franca libra të Picasso-s. U tha se ishte agjente e huaj, por ky pretendim  mbetet mister.

Në vitin 1992, kur Maks Velo do të vizitonte sërish Parisin, qytetin e tij të lindjes do të takohej me Odile-ën, e cila ia ktheu tre vizatimet.

MaksVelo do të lirohej nga burgu në vitin 1986, por vetëm pas përmbysjes së regjimit diktatorial do të binte në gjurmët e Dosjes së tij, ku do të gjente të fotografuara edhe veprat që iu dogjën. Shumë prej tyre do i rikrijonte me po atë zjarr që i kish punuar dhjetëra vite të shkuar në studion e tij, nën ndikimin e gjallë të përfaqësuesve të artit modern botëror dhe tre vite të shkuar do të çelte edhe një ekspozitë vetjake në Galerinë Kombëtare, ku do të mund të shfaqte në liri motivet primitive, vallen labe, nudot femërore, vajzën me gërshetë, plakat, ciganen me shportë, natyrën e qetë me ibrik, pyllin me selvi, vizatimet me bojë kine...Ato që kishin qenë “fajtoret” e të qenit tejet moderne për Shqipërinë e realizmit socialist.

Do të sillte edhe skulptorin  Henri Moore, veprat e të cilit i pa nga afër dhe i vizatoi në vend, teksa i kundronte në galeritë e Parisit, në një prej udhëtimeve të tij dimërore në kryeqytetin e artit botëror, së bashku me Giacometti-in, Zadkine, Rodin , Picasso dhe të tjerë.  I solli në librin e tij “Skulptura e Realizmit Socialist dhe Skulptura në Europë” , ku do të shfaqte të gjitha veprat e epokës gjysmë shekullore, vënë përballë më të mirës që ofroi bota në skulpturë.

Për ata që do të thoshin se nuk është aq thjeshtë të gjykohet sistemi apo ata që ishin të detyruar të bashkëpunonin me të për njëmijë arsye –qoftë edhe mbijetesa apo shpëtimi i vetes nga i njëjti fat si ai i të denoncuarve –një dokument në Dosjen e Sigurimit zbulon se agjentë të këtij aparati “përbindësh” iu afruan për ta rekrutuar Maks Velon si informator nga burgu  i Spaçit dhe ai refuzoi.  Pra, të thoshe “jo” ishte një opsion.  Kjo do të thoshte se pas daljes nga burgu, Sigurimi nuk do ia ndante sërish sytë.

Kohën e burgut e ka sjellë në një tjetër formë të  artit, aty ku fjalët të lejojnë të shprehesh, ndryshe nga piktura. Ka shkruar disa libra me tregime, ku i fundit është përmbledhja “Përkthyesi”. “Gjithmonë them se nuk do shkruaj më dhe pastaj papritmas filloj një tregim të ri. Le të  shpresojmë se miniera e Spaçit  nuk ka mbaruar.” – thotë ai.

Në jetë është konkurrenca e lumturive, në burg është konkurrenca e vuajtjeve.” 

m

Dosja e Maks Velos është dosja e një artisti, dënimet ndaj të cilëve ishin të rralla në të gjithë kampin socialist, por mbase më të dendurat në vendin më të izoluar dhe fortesën e fundit të  komunizmit në të gjithë Lindjen.

Ka luftuar gjatë këta 26 vite tranzicion, ndërsa shprehet i trishtuar për ecurinë e jetës.

“Mesa duket kështu do ta mbaroj jetën.  Kisha të gjithë dëshirën e mirë për t’i dhënë këtij vendi, por është e pamundur.  Artistët  tanë janë injorantë dhe të ligë dhe kur bashkohen bëhet eksploziv...”  Kemi mbetur po ata, përfundon Maks Velo, vetëm se tani përndjekjet shfaqen në forma të reja...


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë