Njerez

E shpalli ish-sigurims, Sheshi kallëzon kreun e Autoritetit të Dosjeve

Anëtari i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, Bujar Sheshi kallëzon në prokurori kreun e Autoritetit të Hapjes së Dosjeve, Gentjana Sula për veprën penale të “ Falsifikimit të dokumenteve” të kryer nga personi që ka për detyre lëshimin e tyre si dhe veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga nenet 186/3 dhe 248 të Kodit Penal.
Ky ka qenë veprimi më i fundit i anëtarit Sheshi pas dokumentit të nxjerrë nga ana e AIDSSH-së se ai figuron të ketë qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit dhe të ketë mbajtur pseudonimin “Venus” në moshën 18-vjeçare.
Në kallëzim e tij, që e ka siguruar Gazeta Si, Sheshi thekson se personi që AIDSSH bazohet nuk figuron të jetë ai, por një tjetër.
“Të gjitha faktet e pasqyruara në pikën a) të dispozitivit të vendimit janë të rreme sepse nuk përputhen dukshëm me të dhënat e administruara nga AIDSSH. Në pjesën përshkruese të vendimit është e qartë që në të dhënat e gjetura apo të administruara nga AIDSSH janë: “Kartel model 2, nr.8023, me këto të dhëna, Bujar Rasim Shesha, datëlindja 1957, vendlindja Tiranë, arsimi dy të mesme, profesioni nxënës në shkollën e Mesme “Petro Nini Luarasi”, kategoria Inf, pseudonimi, Sektori V, drejtimi Inteligjencë Rini. Gjeneralitet e mija nuk përputhem, në disa komponentë, me gjeneralitet e përshkruara në këtë dokument. Në vendim nuk ka asnjë shpjegim se si Autoriteti ka arritur në konkluzionin që personi i përshkruar në këtë dokument jam pikërisht unë Bujar Sheshi, për të cilin, Prokuroria e Përgjithshme kishte kërkuar informacion, në kushte kur gjeneralitet nuk përputhen dhe për më tepër kur nuk ka asnjë të dhënë tjetër në lidhje me aktivitetin e këtij personi”, argumenton Sheshi në kallëzimin e tij.


Sipas tij, asnjë nen i ligjit 45 të vitit 2015, nuk i ka dhënë të drejtë Autoritetit që të përshtasë të dhënat kryesisht dhe të nxjerrë konkluzione që këto të dhëna i përkasin një personi tjetër, me gjeneralite të ndryshme nga ato të përshkruara në dokumentet e administruara nga AIDSSH-ja.
Ndërsa sa i përket akuzës tjetër që anëtari i KLP-së ka qenë hetues dhe Hetuesia ka qenë pjesë e Sigurimit të Shtetit, ai thekson se AIDSSH gabon në qëndrimin e tij.

Sheshi e pranon se është emëruar në datë 12.07.1979 , me detyrën e hetuesit në Degën e Punëve të Brendshme të Fierit dhe ky fakt është i pasqyruar qartësisht në jetëshkrimin e tij apo në çdo dokument të tjetër që ka të bëjë me kandidimin për Anëtarë të Këshillit të Lartë të Prokurorisë dhe jo vetëm.

“Në vitin 1974 bazuar në dekretin nr. 5139 datë 30.01.1974 , të Presidiumit të Kuvendit Popullor të Republikës së Shqipërisë, hetuesia është unifikuar dhe është përqendruar pranë Ministrisë së Brendshme dhe vepron në bazë të rregullave të Kodit të Procedurës Penale. Është e shprehur qartë në dekret dhe rrjedhimisht është e qartë edhe për çdo anëtarë të AIDSSH-së se mbas vitit 1974, Hetuesia dhe Organi i Sigurimit të Shtetit kanë qenë dy organe të ndryshme. Në këto kushte konkluzioni se bazuar në ligjin 45 të vitit 2015, ka të dhëna ““….figuron të ketë materiale në emër të tij, si anëtar, në dokumentet e sigurimit të shtetit.” është i rremë dhe është shënuar në vendim, me qëllim cenimin e integritetit tim moral dhe profesional”, thuhet në kallëzim.


Si fakt tjetër, Sheshi thekson se “në vitin 1997 unë jam emëruar Drejtues i Prokurorisë së Tiranës, nga KLD dhe me sa jam në dijeni, Komisioni i ngritur në atë kohë ka kryer verifikimet edhe për mua dhe ka nxjerrë certifikatën e pastërtisë së figurës. Në këto kushte përpara se kërkesa duhet të administrohej duhet të verifikuar nëse për mua është lëshuar certifikata e pastërtisë së figurës”.

Gjithashtu ai cilëson si shkelje edhe faktin se Autoriteti i ka kthyer përgjigje Prokurorisë së Përgjithshme për rastin e tij vetëm pas rreth tre muajsh vonesë, duke shtuar se fakti që kërkesa është zvarritur kaq gjatë, në ndryshim nga raste të ngjashme, tregon tendencën dhe qëllimin e kundërligjshëm në rastin konkret.

“Nga sa më sipër rezultojnë plotësisht elementët e anës objektive dhe subjektive të veprave penale të “ Falsifikimit të dokumenteve” të kryer nga personi që ka për detyre lëshimin e tyre si dhe veprës penale të “Shpërdorimit të detyrës” të parashikuar nga nenet 186/3 dhe 248 të Kodit Penal nga shtetësia Gentiana Sula me detyrë Kryetare e Autoritetit për Informimin mbi Dokumentet e Ish-Sigurimit të Shtetit(AIDSSH)”, përfundon kallëzimi i Sheshit.

Tre ditë më parë PD-ja bëri të ditur se Bujar Sheshi kaloi fazën e Vettingut dhe u bë anëtar i Këshillit të Lartë të Prokurorisë duke shkelur ligjin dhe për këtë fajësoi Prokurorinë e Përgjithshme, pasi nuk kishte marrë në konsideratë dokumentin e AIDSSH-së ku theksohej se ai kishte qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit.

Kjo akuzë u hodh poshtë nga Sheshi i cili theksoi se nuk ka qenë asnjëherë bashkëpunëtor, ndërsa KLP ka vendosur që të administrojë dokumentet dhe brenda javës do të japë një qëndrim në lidhje me këtë çështje.

Ndërsa Prokuroria e Përgjithshme nga ana e saj ka bërë të ditur se ka nisur një hetim mbi këtë çështje.

Autoriteti : Të hapur për hetim, s’ka asnjë ngatërresë me Sheshin
Kryetarja e Autoritetit, Gentjana Sulaj pas një aktiviteti të zhvilluar ku e pranishme ishte edhe ambasadorja e Republikës Gjermane në Shqipëri, u shpreh e hapur për t’u hetuar nga prokuroria në lidhje me çështjen Sheshi. Hetimi është hapur nga Prokuroria e Përgjithshme, por edhe një kallëzim i dytë është bërë nga ana e vetë anëtarit të KLP-së, Bujar Sheshi.
“Na vjen keq që ka dalë vendimi në shtyp pasi nuk duhet të dilte, por është e vërtetë që ne punën e kemi krejtësisht të pandikuar nga çdo gjë që ndodh dhe i shërbejmë vetëm ligjit dhe reformave të rëndësishme të Shqipërisë”, theksoi Sulaj.
Por a ka pasur ndonjë ngatërresë në rastin e zotit Sheshi, i cili nëpërmjet kallëzim të kryer në Prokurori pretendon se emri i tij është ngatërruar?

Ambasadorja gjermane dhe kreu i Autoritetit, Gentjana Sulaj


Sekretari i përgjithshëm i këtij institucioni, Skënder Vrioni përpara medias theksoi se nuk ka asnjë ngatërresë sa i përket shkresës që Autoriteti ka paraqitur pranë Prokurorisë së Përgjithshme.
“Autoriteti ka zhvilluar të gjithë procedurat administrative dhe për më tepër i kemi shkuar të drejtës deri në fund, sepse në të vërtetë ka pasur problematika në gjeneralitetin e zotit Sheshi, por ato që kanë qenë në përputhje me rekordet e tjera, të verifikuara edhe nga Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile kemi pasur një shkresë zyrtare ku thotë se në emrin e personit në fjalë figuron ky person dhe asnjë person tjetër. Kjo ka qenë dhe vendimtare që Autoriteti është investuar në marrjen e vendimit për të saktësuar faktin që është ky person. Pjesët e tjera të procesit i kemi arritur në një nivel shumë të lartë transparence dhe standard ligjshmërie në marrjen e vendimit të Autoritetit. Autoriteti është shprehur me vendim dhe në mënyrë të saktë eksplicite si figuron, mbi bazën ligjit tonë”, deklaroi Vrioni.
Sipas këtij qëndrimi, Autoriteti rikonfirmon se Sheshi është person me të kaluar të dyshimtë, pas rezulton se ka qenë bashkëpunëtor i Sigurimit të Shtetit në kohën e regjimit komunist.

 

Më Shumë