Politike

‘Ballkani, 70 vite larg BE’. Presidentja e BERZH, 3 porosi për Shqipërinë dhe rajonin

Nga Gazeta 'SI' - Presidentja e BERZH, Odile Renaud-Basso ka dhënë disa porosi për vendet e Ballkanit Perëndimor në samitin që po mbahet momentalisht në Londër.

Në fjalën e saj, presidentja tha se ndonëse rajoni, ku përfshihet dhe Shqipëria, ka bërë progres pozitiv, ka një hendek të thellë me vendet e Bashkimit Europian, plot 70 vite.

“Sipas një studimi të ri të BERZH-së mbi konvergjencën me standardet jetësore të BE, ka mundësi që duhen mes 40 dhe 70 vjet, ose edhe më shumë, për të mbyllur këtë hendek. Ky zbulim nxit në mënyrë kritike nevojën për të kombinuar fondet publike me kapitalin privat për të shpejtuar konvergjencën. Kështu, BERZH ka bashkëpunuar me institucione financiare ndërkombëtare dhe Komisionin Europian për të gjetur mënyra për të përfshirë kapitalin privat në projektet kryesore të infrastrukturës rajonale, përmes PPP-ve ose tërheqjes së investimeve private në sektorin e energjisë”, deklaroi Renaud-Basso.

Ajo theksoi se është koha për të njohur forcat dhe potencialin e vërtetë ekonomik të vendeve të Ballkanit Perëndimor. Po ashtu, ajo shprehu gatishmërinë e BERZH për të bashkëpunuar ngushtë me Komisionin Euopian dhe qeveritë e rajonit në zbatimin e Planit të Rritjes së BE për Ballkanin Perëndimor, duke parë në këtë një mundësi për të sjellë investime dhe reforma të nevojshme.

Renaud-Basso rekomandoi qeveritë e vendeve të Ballkanit Perëndimor të fokusohen në përmirësimin e qeverisjes publike, hapjen e mëtejshme të tregtisë dhe investimeve si edhe tranzicionin e gjelbër.

“Së pari, është e nevojshme që vendet e Ballkanit Perëndimor të përshpejtojnë procesin e tyre të gjelbërimit. Investimet e shtuara në fushën e energjisë rinovueshme, si dhe në rrjetet elektrike dhe në efikasitetin e energjisë, do të ndihmojnë në rritjen e rezilienecës së rajonit ndaj sfidave të ardhshme në fushën e energjisë dhe konkurrueshmërisë ekonomike. Së dyti, përmirësimi i standardeve të qeverisjes publike duhet të jetë një prioritet, duke përfshirë reformën e ndërmarrjeve shtetërore, luftën kundër korrupsionit dhe përdorimin e teknologjisë dixhitale. Së treti, përhapja e hapësirave për tregti dhe investime është thelbësore. Integrimi më i thellë në zinxhirët globale të vlerave do të jetë kyç për rritjen e konkurrueshmërisë dhe inovacionit”, përfundoi presidentja e institucionit.  


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë