Politike

Samiti në Londër / Rama: Jemi një vend i mirë për të shtuar investimet serioze. Kurti: Kosova në një linjë me SHBA-në

Nga Gazeta 'Si'- Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka marrë pjesë online në Samitin e investimeve në Ballkanin Perëndimor që po mbahet në Londër.

Rama në fjalën e mbajtur tha se Shqipëria ka ndryshuar shumë, ndërsa paraqiti si shembull të këtij suksesi arritjen e 10 milionë turistëve vitin e kaluar. Ai theksoi gjithashtu se borxhi publik në vend për herë të parë ka shkuar nën 60%.

“Unë jam veteran i këtyre lloj formateve,sepse kam qenë i pranishëm qysh prej kur ka lindur ky format, para 10 vjetësh. Për 10 vjet kanë ndryshuar shumë gjëra, përveç sasisë dhe ngjyrës së flokëve të mi tani. Rajoni po shkon mirë dhe derisa bota po ashtu po ndryshon, Shqipëria ka ndryshuar shumë. Prej një vendi me stigmën e një vendi të pasigurt, në një vend i cili vitin e kaluar ka mbërri në një shifër prej 10 milionë turistësh, më shumë se trefishi i popullatës që kemi”, tha Rama.

Ai përmendi resurset e reja energjetike, ndërsa tha se më parë sistemi energjetik i Shqipërisë ishte “gati duke u shkatërruar”, për shkak se, siç tha ai, “shumica e popullatës nuk paguante faturat”.

“Çmimi i energjisë elektrike në Shqipëri nuk ka ndryshuar fare dhe jemi nën nivelet e rajonit”, tha ai.

I pranishëm fizikisht në këtë samit ku po marrin pjesë gjashtë kryeministrat e vendeve të Ballkanit është edhe kryeministri i Kosovës Albin Kurti i cili tha se janë në një vijë me Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Britaninë e Madhe sa i takon rendit, ligjit dhe luftës ndaj korrupsionit.

“Jemi të dedikuar për rendin, ligjin dhe luftën kundër korrupsion në vijë me Amerikën dhe Anglinë, si në vlerat politike po ashtu edhe në ato të biznesit, sidomos pas agresionit rus në Ukrainë”, ka thënë ai në fjalimin e tij mbi pyetjen se pse duhet të investohet në Kosovë.

Kurti ka përmendur edhe përparimin në zhvillim ekonomik dhe stabilitetin institucional, që sipas tij, ka ndihmuar për t’i luftuar rreziqet për sigurinë.

“Kosova udhëheq Ballkanin Perëndimor sa i përket projektimeve në vitet 2024-2025, kemi po ashtu përparime në rend dhe ligj dhe avancime në të drejtat politike, civile dhe demokracinë zgjedhore. Kjo e pozicionon Kosovën në një situatë të favorshme në hartën globale. Kemi një fuqi punëtore, mosha mesatare e Kosovës është 31-vjecare. Kemi ekonomi të tregut të hapur që krijon një ambient të mirë për bizneset. Jemi të vendosur mirë për investime teknologjike, nga 23 vende evropiane, Kosova del e 11-ta në rangim, duke i lënë prapa të gjitha vende kandidate për anëtarësim në BE. Në këto tri vjet kemi dyshuar si eksportet, ashtu edhe investimet e drejtpërdrejta të huaja, na nevojiten ende investime të këtij lloji”, është shprehur ai.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë