Ngjarje

Paketa Antishpifje, Qeveria zbulon arsyen: Ka monopol mediash. OSBE i rrëzon draftin

Qeveria pavarësisht se organizmat ndërkombëtare kërkojnë që draftet të rishikohen, paraqiti në Parlament paketën “Antishpifje”. Në vjeshtë, Parlamenti pritet të diskutojë këtë nismë të debatueshme, ku parashikohet detyrimi i regjistrimit të medias online dhe vendosja e gjobave dhe sanksioneve, në rast se mediat online nuk pranojnë që të publikojnë sqarim apo përgënjeshtrim nga Këshilli i Ankesave, një organ në varësi të Autoritetit Medias Audiovizuale.

Në projektligjit të ri, parashikohet që AMA të ketë të drejtën që të vendosin masa ndëshkimore me gjobë, pezullim të përkohshëm të licencës dhe/ose autorizimit dhe/ose aksesin në internet; uljen e kohëzgjatjes së vlefshmërisë së licencës dhe/ose autorizimit dhe heqje të licencës dhe/ose autorizimit.

Drafti i qeverisë për ndryshimin e ligjit të AMA-s, si pjesë paketës Antishpifje

Në relacionin e siguruar nga Gazeta "Si", qeveria shprehet se është bazuar në modelin e Kroacisë, por siç theksohet, duke e përshtatur me kontekstin shqiptar. “Teknologjia digjitale mund të shërbejë si një forcë shumë e fuqishme për të minuar proceset demokratike dhe lajmet e rreme shkatërrojnë cilësinë e diskutimit në demokraci dhe marrëdhëniet e qytetarëve me qeverinë, ndaj është i nevojshëm përcaktimi i disa rregullave ligjore dhe standardeve etike e profesionale, me qëllim parandalimin e këtij fenomeni”, thuhet në relacionin e nismës së qeverisë.

Qeveria ndërkaq ka merakun se mediat online po krijohen nga persona të caktuar duke krijuar monopole dhe kjo është një ndër arsyet se pse po e ndërmerr një nismë të tillë. Në relacionin që Gazeta "Si" disponon, theksohet se ky monopol në media mund të ndikojë në lirinë e saj. “Në Shqipëri është e nevojshme marrja e masave për regjistrimin e portaleve/online të medias për tri arsye kryesore: Regjistrimi i portaleve dhe medias i shërben transparencës mbi pronarët e mediave, shmangies së konfliktit të interesave, ndikimit të papërshtatshëm mbi median të aktorëve politikë ose ekonomikë, garantimin e pavarësisë së medias si dhe pluralizmit të medias; Nëpërmjet regjistrimit mund të mbikëqyret nëse media është e përqendruar në duart e një apo dy-tre pronarëve, çka do të cenonte pluralitetin e medias në përmbajtje. Përqendrimi i medias në duart e pak pronarëve cenon parimin e pluralitet të medias”, thuhet në relacionin (linku) që disponon Gazeta "Si".

Arsyeja e tretë e qeverisë lidhet me faktin se ka gazetarë të punësuar në portalet on-line, të cilët nuk kanë kontratë as mbrojtje sociale (sigurime shoqërore, shëndetësore). “Është e nevojshme që punësimi i këtyre personave të jetë në përputhje me legjislacionin e punës dhe mbrojtjes sociale në fuqi, si edhe me Kartën Evropiane Sociale, edhe pse këta gazetarë punësohen nga kompani të vogla apo persona fizikë, apo nuk kanë kontrata standarde/ me kohë të plotë”, thuhet më tej në relacion.


Në lidhje me këtë përcaktim Aleksandër Çipa, kryetari i Unionit të Gazetarëve në Shqipëri, shprehet se kjo është një droje absurde, pasi pluraliteti i medias në vendin tonë ka ardhur pikërisht nga media online. “Qeveria nuk po risheh ligjin për mediat audiovizive apo atë të ndarjes se frekuencave, por shpall si rrezik monopolizimi mediat e reja. Kjo është një droje absurde. Madje duhet thënë se pluraliteti është forcuar me lindjen e mediave të reja online në vend. Kjo droje qeveritare të lë shijen se vlen si alibi për të kontrolluar edhe këtë alternativë sfidante të pluralitetit medial në vend”, thekson Çipa për Gazetën "Si".

Aleksandër Çipa, kryetari i Unionit të Gazetarëve në Shqipëri


Më tej ai shprehet se bordet që do të gjykojnë ekzistencën ose jo të shpifjes janë pjesë e enteve që i zgjedh dhe mban nën ndikim politika ose grupet e mëdha financiare që flirtojnë me politikën qeverisëse. “Në këtë mënyrë, gjobat dhe ndëshkimet financiare nuk çohen në Gjykatë. Ligji nuk e parasheh këtë mundësi që ka lidhje me të drejtën themelore të njeriut. Autoriteti i pushtetit politik direkt ose indirekt i shtyn bordet e AMA dhe AKEP të bëjnë censurë të rafinuar mbi poseduesit dhe editorët e mediave on-line në vend”, thekson Çipa.
Edhe më parë socialistët kërkuan që të ndryshohet ligji i AMA-s për çështjet e pronësisë në media ku përcaktohej se një person fizik ose juridik që ka aksione në një subjekt që zotëron një licencë transmetimi audio lokale apo rajonale, nuk mund të ketë më shumë se 40 për qind të kapitalit të përgjithshëm në një shoqëri të dytë, që zotëron një licencë transmetimi audio lokale apo rajonale. Kryetari i grupit socialist Taulant Balla me amendamentin e tij kërkonte që të hiqej kjo klauzolë, por pas kontestimit të organizmave ndërkombëtare dhe BE-së, ai e tërhoqi propozimin.

OSBE rrëzon ligjin: AMA nuk merret me shpifjen
Qeveria pretendon se drafti i paraqitur tashmë në Parlament ishte konsultuar me organizmat dhe ekspertë ndërkombëtarë. Por përfaqësuesi i OSBE-së për Lirinë e Medias, Harlem Desir në një reagim të sotëm ka bërë kërkesë që të rishikohet ligji për lirinë e medias. Në faqen zyrtare të OSBE raportohet se Desir i ka dërguar një letër kryeministrit Edi Rama, ku i kërkohet një rishikim ligjor i paketës “Antishpifje” përpara se Parlamenti t’i votojë ndryshimet.

https://twitter.com/OSCE_RFoM/status/1153585835964555264


Në letrën e tij drejtuar Kryeministrit të Shqipërisë, sipas njoftimit të OSBE-së, Désir theksoi se ka disa çështje të mbetura që ende duhet të adresohen, të cilat ai rekomandon për t'i ndryshuar në procesin legjislativ. Rishikimi ligjor propozon, në veçanti, të modifikojë nenin 132/1 që i jep AMA-s kompetencën për të detyruar ofruesit e shërbimeve të medias elektronike të publikojnë një kërkesë faljeje, heqjen e përmbajtjes ose futjen e një njoftimi pop-up në rastet e shkeljeve të dispozitave në veçanti në neni i ri 33/1. Në këtë artikull, referimi ndaj "respektit të privatësisë dhe dinjitetit të qytetarëve", i cili është i gjerë, i jep AMA-s fuqi të madhe të re që mund të ndikojë në lirinë e shprehjes.
Për më tepër, sipas ekspertizës (linku) së kryer nga OSBE-ja, neni 133 i projektligjit ende u referohet gjobave ekonomike shumë të larta që do të vendosen në rastet e shkeljeve. Gjithashtu në opinionin ligjor dhe rekomandues prej 22 faqesh, OSBE-ja e thekson se detyrimi për të publikuar një apologji (ndjesë) është konsideruar si një masë e papërshtatshme për të rivendosur ose kompensuar dëmet e mundshme ose shkeljet e të drejtave të individëve.

Faksimile e raportit te OSBE

“Shpresoj se analiza ligjore, që përfshin një numër rekomandimesh, do të jetë i dobishme në diskutimet e mëtejshme. Zyra ime do të vazhdojë të jetë e angazhuar ngushtë në këtë proces, i cili duhet të jetë gjithëpërfshirës për të gjithë aktorët relevantë deri në përfundimin e saj", përfundoi Désir. Analiza e kryer nga Dr. Joan Barata Mir, ekspert i pavarur për lirinë e medias, është një variant i zgjeruar dhe i përditësuar i analizës ligjore që Zyra e Përfaqësuesit për Lirinë e Medias e cila u botua më 11 korrik.

Qeveria kërkoi që AEKP, autoritet në varësi të saj, të detyronte në dhjetor të 2018-ës, të gjitha mediat online që të regjistroheshin në Qendrën Kombëtare të Biznesit, pasi në të kundërt i kërcënonte me mbylljen e tyre. Ky detyrim solli reagim e menjëhershëm të Zyrës së OSBE-së, ku vetë Desir e cilësonte si kundër parimeve të medias së lirë.

Takimi i zhvilluar mes kryeministrit Rama dhe përfaqësuesin për Lirinë e Medias, Desir


Në shtator nismat pritet që të diskutohet në Parlament, ndërsa shoqëria civile dhe shoqatat e medieve pritet të nisin një përballje të re me qeverinë sa u përket ligjeve që cilësohen si një përpjekje për kontrollin e medias. Dy ditë më parë dhjetë organizata shqiptare të medias, përfaqësues të gazetarëve apo organizata të të drejtave të njeriut, publikuan një deklaratë kritike ndaj nismës së kryeministrit Edi Rama për “disiplinimin” e medias online, duke i quajtur projektligjet një mjet censure dhe duke kërkuar tërheqjen e menjëhershme të tyre.


Organizatat BIRN Albania, Civil Rights Defenders, Instituti Shqiptar i Medias, Instituti Shqiptar i Shkencave, Këshilli Shqiptar i Medias, Qendra Res Publica, Qendra Shqiptare MediaLook, Qendra Shqiptare për Gazetari Cilësore, Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë dhe Unioni i Gazetarëve të Shqipërisë thonë se projektligjet në fjalë, jo vetëm që janë të paprecedentë si nisma ligjore në vendet e botës demokratike, por edhe të gabuara në thelb, të tilla që rrezikojnë vendosjen e një regjimi censure për fjalën e lirë në internet.
Shoqatat theksojnë se të katër nismat, të katër nismat e mëparshme, të njohura si “Nisma Rama” për kriminalizimi i shpifjes ndaj zyrtarëve të lartë, Amendamenti “Bregu” kundër komenteve online, “projektligji Harito” për tregtinë elektronike dhe “propozimi Balla” për regjistrimin e portaleve në kohë zgjedhjesh, kanë dështuar të miratohen pas protestave vendëse dhe ndërkombëtare. Por asnjë nga këto nisma nuk mbërriti deri në fazën e dorëzimit si projektligj në Parlament, siç është rasti i dy projektligjeve të fundit.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë