Rend dhe Ligj

Pse ‘Antishpifja’ cenon lirinë e medias dhe bie ndesh me Kushtetutën

Qeveria ka përgatitur disa nisma ligjore si pjesë e paketës Antishpfije, duke synuar që të ndëshkojë mediat online në rast se nuk zbatohen disa prej kritereve të këtij projekti, duke e argumentuar mes mos respektim të të drejtave dhe lirive të njeriut. Në këtë draft parashikohet krijimi i një regjistri të posaçëm për mediat online, por ajo që mund të cilësohet si shqetësuese është vendosja e gjobave nëse nuk zbatohen kërkesat e Këshillit të Ankesave, një strukturë në varësi të Autoritetit të Medias Audiovizive (AMA-s).

Drejtuesja e Komitetit Shqiptar të Helsinkit, juristja Erida Skëndaj, thotë se "Antishpifja" do të ketë pasoja për funksionimin e medias në Shqipëri, nisur nga masa ndëshkimore për gjobitjen në vlera monetare, apo nga “shmangia” e gjykatave sa u përket ankimeve gjyqësore.

Erinda Skëndaj


Në nenin 132/1 të projektligjit parashikohen masat për shkeljet e kryera nga operatorët e mediave. Vendimet e Këshillit të Ankesave bëhen të ekzekutueshme menjëherë, pavarësisht nëse është ushtruar e drejta e ankimit në Gjykatë. “Kjo mund të cenojë reputacionin e medias, në rast se kjo media rezulton të jetë fituese në shkallët e tjera të ankimit gjyqësor dhe rrjedhimisht mund të dëmtojë apo ndikojë negativisht në lirinë e shprehjes së sanksionuar në nenin 10 të Konventës Evropiane të të Drejtave të Njeriut. Në rastet kur jepet dënim administrativ me gjobë ndaj operatorëve të medias, vërehet se gjobat variojnë nga 100.000 deri 1. 000.000 lekë të reja ose në masën fikse 800 000 lekë, kur nuk respekton vendimin e Këshillit të Ankesave ose të drejtën e përgjigjes. Ky është një nivel tepër i lartë gjobash në kontekstin shqiptar po t’i krahasojmë këto gjoba me nivelin mesatar të pagave dhe standardin e varfër të jetesës në vendin tonë”, shprehet Skëndaj.

Projektligji i qeverisë


Për më tepër, sipas saj, pavarësisht se këto gjoba vendosen ndaj operatorit, ekziston risku që me padi regresi ose me sanksione të tjera ekstra-ligjore, këto gjoba të mbahen nga pagat e gazetarëve, ndërkohë që këta të fundit përballen me një informalitet të lartë në tregun e punës, paguhen me paga të ulëta, në disa raste nuk u paguhen as sigurimet shoqërore dhe shëndetësore dhe punojnë në kushtet e një mbingarkese tepër të lartë. “Këto gjoba e riviktimizojnë gazetarin pavarësisht se në vendin tonë ashtu sikurse në vende të tjera të Ballkanit, linja editoriale nuk respektohet në të gjitha mediat dhe gazetarët janë të ndikuar nga kërkesat e pronarëve të medias”, thekson drejtues e KSHH-së.


Një tjetër shqetësim i ngritur nga kjo analizë ligjore është edhe fakti i dhënies së shumë kompetencave të AMA-s, një institucion që sipas KSHH-së zgjidhet nga përbërja politike, por me një shumicë të thjeshtë votash, pra formula e propozimit dhe zgjedhjes së anëtarëve të AMA-s çon në një ndarje 4 anëtarë të zgjedhur me mbështetje të mazhorancës parlamentare dhe 3 anëtarë të zgjedhur me mbështetje të opozitës parlamentare. “Nëse do e shohim me paralelizëm me rekomandimet e OSBE/ODIHR-it për KQZ-në, kjo formulë ligjore e parashikuar në ligj për AMAn nuk garanton depolitizim të këtij institucioni, pavarësisht nga fakti që sipas ligjit ky institucion është i pavarur”, thekson Skëndaj.


Ndërsa ngrihen pikëpyetje për mënyrën e funksionimit të Këshillit të Ankesave, i cili do të jetë në varësi të AMA-s, me një rritje të numrit në përbërje nga 3 në 4 anëtarë. Ky këshill shihet si një ombrellë e AMA-s dhe projektligji i propozuar, për KSHH-në nuk parashikon kriteret që duhet të përmbushë anëtari i Këshillit, kush konsiderohet specialist i medias, kush i propozon kandidaturat për në këtë strukturë. “Mungesa e garancive të parashikuara në ligj krijon vakum ligjor dhe hapësira për subjektivizëm në përzgjedhjen e tyre. Për me tepër, vetë komuniteti i gazetarëve nuk asnjë atribut në drejtim të zgjedhjes së anëtarëve të këtij Këshilli. Duke parë objektin e punës së këtij Këshilli por edhe mangësitë e evidentuara më sipër nga pikëpamja e krijimit të tij, kam mendimin se vetëm një autoritet gjyqësor i pavarur dhe i specializuar mund të shqyrtojë ankesat ndaj operatorëve të medias si dhe ankesat nëse ka shkelje të dinjitetit dhe të drejtave të njeriut”, thekson Skëndaj.
Gjithashtu në opinionin e saj, juristja shprehet se penalizimet apo rastet me ndëshkime mund t’i japin vetëm gjykata në Shqipëri. “Ky është parim i njohur kushtetues i sanksionuar në nenin 17/1 të Kushtetutës. Përsëritja e këtij parimi në ndryshimet ligjore të propozuara nuk jep garanci praktike se ai do të zbatohet efektivisht”, thotë ajo.

Pikërisht në këtë dispozitë sanksionohet se “Kufizime të të drejtave dhe lirive të parashikuara në këtë Kushtetutë mund të vendosen vetëm me ligj për një interes publik ose për mbrojtjen e të drejtave të të tjerëve. Kufizimi duhet të jetë në përpjesëtim me gjendjen që e ka diktuar atë”.
“Nëse do të krijohej një mekanizëm ligjor për rregullimin e medias, që merr sanksione ndaj të gjithë sektorit të medias, nëse vlerësohet e drejtë ankesa e një personi që ankohet për informacione të pasakta të publikuara në media të cilat mund të shkelin dinjitetin apo të drejtat e tij, kam mendimin se anëtarët e këtij mekanizmi duhet të përmbushin kritere të forta ligjore, të meritës dhe integritetit moral, paanshmërisë dhe objektivitetit. Për të bërë një vlerësim të drejtë, profesional dhe objektiv të këtyre ankesave, kërkohet njohje shumë e mirë e gjithë legjislacionit tonë të brendshëm, e konventave ku ka aderuar Republika e Shqipërisë, jurisprudencës së gjykatave vendase dhe e Gjykatës së Strasburgut për lirinë e shprehjes. Në kushtet dhe kontekstin e vendit tonë, vetëm një autoritet gjyqësor si pjesë e pushtetit të pavarur gjyqësor mund të japë garanci ligjore për të bërë vlerësimin e drejtë, profesional dhe objektiv të këtyre ankesave” thekson Skëndaj.


Paketa “Antishpifje” pritet të kontestohet nga shoqata të ndryshme që janë në mbrojtje të lirisë së medias në Shqipëri. Gjergj Erebara, gazetar dhe aktivist i njohur i të drejtave të njeriut, në një prononcim për Gazeta "Si", shprehet se paketa e re e quajtur "Antishpifje" përbën një përmirësim të madh, megjithatë tejet të pamjaftueshëm, në krahasim me draftin e dhjetorit të kaluar dhe numri i shkeljeve të rënda kushtetuese në draftin e ri është reduktuar në krahasim me draftin fillestar, pavarësisht se mbetet pabesueshmërisht i lartë. Pavarësisht këtyre përmirësimeve, Erebara thekson se drafti duhet rrëzuar nga ana e Parlamentit, pasi bie ndesh me Kushtetutën.

Gazetari Gjergj Erebara

“Ndërsa drafti fillestar parashikonte të drejtën e një institucioni aparatçikësh publikë për të urdhëruar mbylljen e një medie, një veprim i pakonceptueshëm në botën demokratike, drafti i ri parashikon "vetëm" gjoba të rënda dhe disproporcionale me synimin që iniciuesi i ligjit i ka vënë vetes. Pavarësisht këtij përmirësimi të madh dhe tërësisht të pamjaftueshëm, projektligji i miratuar nga Këshilli i Ministrave bie ndesh me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë dhe me Kartën Europiane të të Drejtave të Njeriut duke ngatërruar konceptet nga fusha e etikës me koncepte ligjore, duke krijuar një sistem policie morale me fuqi gjyqësore, duke cenuar në këtë mënyrë lirinë e shprehjes dhe të medias. Për këto arsye, projektligjet e përfshira në të ashtuquajturën "paketë Antishpifjeje" janë antikushtetuese e duhet të mos miratohen nga parlamenti. Duke qenë se parlamenti nuk ekziston si një institucion me autoritet të vetin, por aktualisht është zyrë personale e kryeministrit, sugjeroj se është në nderin e Kuvendit të Shqipërisë dhe në veçanti, të shumicës socialiste, rrëzimi i këtij projektligji”, shprehet Erebara për Gazeta "Si".
Qeveria Rama paraqiti në dhjetor ndryshimet ligjore që prekin ligjet për AMA-n dhe AKEP-in, por që pati reagime të forta edhe nga shoqatat e medieve dhe të shoqërisë civile. Pesë organizata si BIRN Albania; Shoqata e Gazetarëve Profesionistë të Shqipërisë; Lidhja e Gazetarëve të Shqipërisë; AIS/Open Data Albania; Civil Rights Defenders; Këshilli Shqiptar i Medias dhe Qendra Shqiptare MediaLook me anë të një deklarate të bërë shprehen se këto dy projektligje rrezikojnë ta kthejnë Shqipërinë në një vend jodemokratik, cenojnë rëndë lirinë e shprehjes dhe nuk zgjidhin asnjë nga problematikat ekzistuese të medias, përfshirë gjuhën e urrejtjes, shpifjen, propagandën apo dizinformimin. Gjithashtu pati edhe një reagim të përfaqësuesit për Lirinë e Medias, Harlem Désir, i cili shprehu shqetësimin për lajmërimin për 44 faqe interneti dhe mbylljen e mundshme të tyre nga qeveria nëse nuk regjistrohen në QKB. Ai kërkoi që drafti i ri të realizohet në konsultime me OSBE-së, e të jetë sipas konventave ndërkombëtare për lirinë e shtypit dhe të shprehjes.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë