Komunitet

Mediat online, a po shkojmë drejt skenarit të Erdogan?

Mentor Kasa  - Asnjë qeveri nuk i ka të mira marrëdhëniet me median, sidomos me median online, por qeveritë dhe sistemet dallojnë mes tyre nga mënyra sesi zgjedhin që të ndërtojnë marrëdhëniet dhe të zgjidhin "mosmarrëveshjet" me këto media. Ka nga ato vende si Gjermania, Franca e Anglia nga njëra anë, ku liria e shprehjes medias nuk diskutohet, por ka edhe nga ato vende si Kina, Rusia apo Turqia, ku liria e shprehjes mund të të ndëshkojë edhe me burg.

Deri më tani, qeveritë shqiptare kanë zgjedhur grupin e parë, herë me hir dhe herë me pahir si pasojë e presionit të ndërkombëtarëve dhe organizmave si Bashkimi Europian, ku synojmë që një ditë të jemi vend anëtar.

Por, ditët e fundit ky kurs po vihet në pikëpyetje. Shkak u bë një listë e pasaktë e Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, që u kërkonte publikisht 44 faqeve informative online dhe portale që të regjistroheshin në QKB, në të kundërt rrezikonin mbylljen.

Ultimatumi i AKEP, që sipas ligjit është një autoritet i pavarur, u bë menjëherë pas një cicërime të Kryeministrit Edi Rama në Twitter.

https://twitter.com/ediramaal/status/1050123498352463872

Faqet informative online dhe portalet e lexuan dhe të hënën një pjesë e madhe e tyre reaguan. Disa thanë se ishin vendosur gabimisht në listën e AKEP, pasi rezultojnë të regjistruar me NIPT prej kohësh, ndërsa për një pjesë baza ligjore se nga ka marrë shtysë AKEP për t’i paralajmëruar mbetet enigmë.

Kërkesa për regjistrimin e këtyre mediave në QKB dhe licencimi është përplasja e fundit e Kryeministrit me mediat online, të cilave u referohet shpesh si “kazan” e “xhungël”, që të dy terma të përdorur pasi dështoi që t’i konkurrojë me dy platformat e veta online.

Për të reduktuar ndikimin e mediave online në tetor të 2015, qeveria njoftonte hapjen e portalit transparenca.al. Gjatë prezantimit të këtij portali, Endri Fuga, këshilltari për komunikimin i Kryeministrit Edi Rama deklaronte se në të, të gjithë gazetarët dhe qytetarët do të gjenin “të vërtetën e të gjitha akuzave që hidhte në atë kohë opozita”.

https://www.facebook.com/edirama.al/videos/10153268082111523/

“Me shpresën se ky portal do të kthehet në një pikë referimi për gazetarët, të cilët do të kenë mundësi të informohen përpara se të shkruajnë, por edhe për publikun e gjerë. Ne do të fillojmë të publikojmë që sot të gjithë informacionin e nevojshëm që Qeveria shqiptare të komunikojë në një mënyrë sa më të drejtpërdrejtë dhe transparente me shqiptaret e shqiptarët”, thuhej në këtë njoftim.

Portali nuk u kthye asnjëherë në një pikë referimi, as për qytetarët dhe as për mediat dhe sot nga një vizitë e thjeshtë në të sheh që “e vërteta” e fundit e Qeverisë është postuar më 20 janar të 2017, ku u është përgjigjur akuzave të Sali Berishës se ka përgjuar në mënyrë të jashtëligjshme qytetarët shqiptarë.

Por, një nismë më e qëndrueshme është ERTV-ja në Facebook. “Kanali” personal i Kryeministrit vazhdon të jetë sinjali i parë për të gjitha mediat e tjera në pasqyrimin e aktiviteteve të Edi Ramës. Por, asnjë shqiptar nuk pret që në sinjalin e tij të transmetohet një vështrim kritik i punës së qeverisë, e për këtë u drejtohen mediave, ku një përparësi, nisur edhe nga zhvillimi i teknologjisë kanë marrë mediat online.

Një pjesë e mirë e gazetarëve dhe pronarëve të këtyre mediave e njohin nevojën për një rregullim të tregut, sidomos në fushën e mbrojtjes së të drejtës së autorit, por për urdhrin e AKEP, që mbërrin në të njëjtën kohë kur diskutohet një paketë antishpifje nga mazhoranca e paralelizojnë me hapat e ndjekur nga Recep Taip Erdogan për të nënshtruar median në Turqi.

Sipas raporteve ndër vite të “Reporterëve pa Kufij”, Erdogan ka patur që në ditët e para të pushtetit të tij një prirje për të kontrolluar mediat kritike, por vetëm pas 2013 arriti që ta nënshtrojë atë në një masë të madhe. Çfarë ndodhi në 2013? I gjendur në morinë e kritikave të medias online dhe të përdoruesve në rrjetet sociale, Erdogan urdhëroi ngritjen e një grupi pune prej 6 mijë personash. Detyra e tyre ishte vetëm një: monitorimi, identifikimi dhe më pas raportimi i qortuesve të Erdogan në mediat online dhe rrjetet sociale.

Pikërisht në këtë vit, Twitter thotë se 97 për qind e kërkesave që ka marrë për fshirjen e përmbajtjeve të postuara nga përdoruesit e tij i ka marrë vetëm nga Turqia. Ky trend, sipas këtij rrjeti social, vijon të jetë në nivele të larta.

Veç kësaj, vetë Presidenti turk ka qenë i angazhuar duke paditur personalisht për shpifje dhe fyerje përdorues të rrjeteve sociale, një pjesë e mirë e të cilëve është dënuar me burg. Në momentin kur kritikat bëheshin masive, apo në prag zgjedhjes autoritetet turke kanë bllokuar fare rrjetet sociale, ndërsa mediat online kundërshtare përballeshin gjobiteshin në rastin më të mirë dhe paditeshin.

Me këtë klimë, para grushtit të shtetit të 2016 u krijua një frymë autocensure mediatike, që përfshinte të gjitha format e saj, që nga mediat tradicionale, e deri tek ato online. Ato pak media që e kundërshtonin Erdogan u blenë nga biznesmenë të afërt me të duke ndryshuar linjën editoriale.

Më 15 korrik të 2016 ndodhi grushti i dështuar i shtetit. Çuditërisht, rrjetet sociale, ato që Erdogan urrente deri në ato momente, ato e shpëtuan nga rrëzimi me dhunë. Presidenti turk përdori Facetime, statuset dhe mesazhet e drejtpërdrejta telefonike në numrat e qytetarëve turq për t’u thënë se “ishte në këmbë dhe po luftonte”. Ngjarjet dihet si rrodhën. Mbështetësit e tij dolën në rrugë dhe sprapsën jo pa kosto në përleshje pjesët e ushtrisë dhe të policisë që tentuan grushtin e shtetit.

Një javë më vonë, Parlamenti turk vendosi gjendjen e jashtëzakonshme, që u hoq vetëm pas zgjedhjeve të fundit në vend. Gjatë gjithë kësaj periudhe, Erdogan vendosi nën kontroll të plotë të gjitha rrugët e komunikimit, përmes të famshmit ligji digjital, që ngarkonte autoritetin e mediave tradicionale me detyrën e licencimit të çdo aktiviteti mediatik online. Pa licencën e këtij autoriteti, asnjë media online, kanal informativ në platforma si Youtube e të tjera nuk mund të hapet, ndërkohë që të gjithe aplikuesit i nënshtrohen më parë një hetimi të imtësishëm policor dhe të prokurorisë.

Ky është shkurtimisht skenari sesi Erdogan nënshtroi mediat në vendin e tij. Por, a mund të realizohet një skenar i tillë në Shqipëri? Gjergj Erebara, gazetar i Rrjetit Ballkanik të Gazetarisë Investigative (BIRN) mendon se jo.

“Mendoj se Edi Rama nuk mund të bëhet Erdogan, sepse nuk ka avionë ushtarakë, se Shqiperia nuk ka 90 milionë banorë, se Shqipëria nuk është superfuqi rajonale dhe nuk ka gjë në dorë për stabilitetin e një zonë të gjerë, siç është rasti i Turqisë”, thotë ai për Gazetën “Si”.

Debatin e fundit të ndezur nga Kryeministri ai e sheh më shumë si përpjekje për të tërhequr vëmendjen. “Mendoj se Edi Rama sulmin ndaj medias e ka një shashkë për të tërhequr vëmendjen”, shton më tej Erebara.

Megjithatë, Erebara shton se vetë “shashka” e hedhur është problematike dhe në vetvete antikushtetuese.

“Por, përsa kohë është një kërcënim joserioz, unë e shoh thjeshtë si një banalitet. Çështja do të shtrohej shumë ndryshe në rast se AKEP do të guxonte të mbyllte efektivisht një faqe medieje. Atëherë do të kishin të bënim me shkelje të Kushtetutës dhe do të duhej që ta trajtonim si të tillë”, mbyll komentin e tij, Gjergj Erebara.

Për çështjen në fjalë ka reaguar edhe kreu i PD-së, Lulzim Basha. Ai akuzon AKEP se është shndërruar në “Polici Mendimi” në duart e Edi Ramës dhe paralajmëron dështimin e nismës.

“Rama kërkon që mediat online të regjistrohen si biznese që t’u lëshojë tatimorët për t’i shantazhuar dhe dhunuar. Do të dështojë turpshëm, së bashku me veglat qorre në AKEP”, shkruan kreu i PD-së në rrjetet sociale.

https://twitter.com/lulzimbasha_al/status/1052120326820257792

AKEP iu kundërpërgjigj duke deklaruar se nuk synon mbylljen e asnjë medieje online, as censurë, por vetëm zbatimin e ligjit. Sipas AKEP, çdo media online (përjashto Blogjet individuale) është një entitet tregtar duke ofruar edhe hapësira për reklama tregtare, apo shitje të natyrave të tjera. Në fund, AKEP këshillon kreu e PD-së.

“Prandaj zoti Basha, shikoni punën tuaj dhe nëse nuk e ndihmoni dot, të paktën mos e sulmoni e shantazhoni AKEP-in, sepse AKEP-i është një institucion i ligjshmërisë dhe shtetit të së drejtës, jo një vegël qorre, siç qorrazi e etiketoni ju”, thotë AKEP.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë