Ngjarje

Neuropsikiatri i Shkodrës: Alma Arrazi është mjekuar para 2 vitesh për ankth, nuk ka qenë paciente kronike me probleme të shëndetit mendor

Nga Gazeta Si - Neuropsikiatri dhe njëherësh shefi i shërbimit të psikiatrisë në Shkodër, Gjon Preçi ka deklaruar se Alma Arrazi që u vetëmbyt tragjikisht me 3 fëmijët e saj në ujërat e lumit Buna nuk ka qenë një paciente me probleme të shëndetit mendor. Për mediat, Preçi ka thënë se Arrazi para pak vitesh ka marrë shërbim për çrregullim të humorit dhe ankth. Më tej, ai ka thënë se Alma nuk ka qenë paciente me probleme madhore psikiatrike se po të kishte qenë e tillë do të ndiqej nga ata dhe do të kishte kartelë.

“Nuk ka qenë paciente me probleme kronike, me probleme madhore të shëndetit mendor. Para disa vitesh ka marrë shërbim tek ne me një terapi për çrregullim të humorit me ankth, e cila na ndodh edhe ne në përditshmërinë tonë. Nuk ka qenë paciente me probleme madhore psikiatrike se po të ishte e tillë do ndiqej nga ne dhe do kishte kartelë e do trajtohej. Ajo ka marrë një shërbim për një problem të caktuar, siç mund të marrë çdokush dhe nuk ka qenë paciente kronike me probleme madhore të shëndetit mendor.”

Mjeku neuro-psikiatër Gjon Preçi.

Më tej, Preçi shprehet se para 2 vitesh, Alma Arrazi ka marrë shërbimin e fundit dhe se mjekimi që ajo ka patur nuk ka qenë i karakterit të një sëmundshmërie kronike.

“Patjetër që ka gjithmonë zhvillime të papritura, por dy vjet më përpara kam patur një kontakt me të dhe nuk e di se si janë zhvilluar problemet tek ajo si dhe nuk është konfirmuar nga shërbimet tona se mund të ketë patur probleme që e kanë çuar drejt atij vendimi”, thotë Preçi, duke shtuar se para dy vitesh ka marrë shërbimin e fundit.

“Dhe këtë ma kanë kujtuar familjarët sepse unë nuk e mbaj mend si paciente. Mjekimi që ka patur nuk ka qenë i karakterit të një sëmundshmërie kronike. Duhet që të kalojë një periudhë e caktuar që një person të quhet kronik. Nëse ka ankth, pagjumësi apo të tjera si këto dhe fakto se ka një recetë nuk presupozohet se ka qenë me një paaftësi të rëndë rreziku për veten apo të tjerët.”

Preçi e mbyll komunikimin e tij për mediat duke thënë se nga biseda që ka pasur me stafin e tij, Alma Arrazi nuk është konfirmuar si një person i regjistruar dhe i trajtuar nga ana e tyre për probleme kronike të shëndetit mendor.

“Kam patur një telefonatë nga prokurori dhe i kam thënë më jep kohë sa ta sqaroj dhe në bisedat me stafin tim nuk është konfirmuar si person i regjistruar dhe i trajtuar nga ana jonë dhe ja kam dhënë këtë përgjigje.”

Nga ana tjetër, familjarët e bashkëshortit të Alma Arrazit si dhe vetë bashkëshorti pretendojnë se e ndjera mjekohej me ilaçe për probleme të shëndetit mendor.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë