Ngjarje

Kush i mbron gazetarët?

Pjesërisht në të gjitha vendet perëndimore liria e informimit është e garantuar në Kushtetutë. Të gjithë njerëzit mund të shprehin lirisht mendimet e tyre për një çështje të caktuar, por kur bëhet fjalë për gazetarët kjo temë është ende e diskutueshme. Gazetarët shpeshherë kanë ekspozuar korrupsionin, mashtrimin nga politikanët dhe shumë grupe mafiesh, duke rrezikuar kështu edhe jetën e tyre. Shumica e tyre ndjejnë trysni gjatë gjithë kohës për sa i përket informacioneve të ndryshme shtetërore, por jo vetëm që ata përpiqen t’i shpalosin publikut.

Gjatë vitit të kaluar organizata ndërkombëtare “Reporterët e Rinj” kreu një raport i cili zbuloi që vorbulla e madhe kërcënimeve të gazetarëve nuk ka të ndalur. Në vitin 2017 janë raportuar 12 kërcënime në polici kundrejt gazetarëve të ndryshëm, ndërsa në vitin 2018 janë raportuar tre raste të cilat kanë qenë shumë të njohura për publikun shqiptar.

Klodiana Lala

Por kush i mbron gazetarët?

Kryetari i organizatës Unioni i Gazetarëve Shqiptarë tha për Gazetën “Si” se është shumë e qartë që raste të tilla ka pasur gjithmonë dhe gazetarët mund të kërkojnë mbrojtjen nga organet ligjore apo dhe nga organizata të ndryshme që mbështesin punën e tyre.

“Një ndër problemet më të mëdha që hasim është mos raportimi i dhunës nga gazetarët. Shumicën e kohës gazetarët nuk raportojnë se janë të kërcënuar. Për sa i përket rasteve ligjore, shumë  dhunues të gazetarëve nuk janë dënuar. Fatmirësisht vendi ynë nuk ka gazetarë të vrarë, por ky fenomen botëror është tepër shqetësues. Gjithashtu, një nga problematikat që hasin gazetarët më së shumti është dhe mos zbatimi i Ligjit për informim. Gazetarët sot përballen me një mungesë të madhe informacioni, që nuk vjen për shkak të  mos angazhimit të tyre,” shton Cipa

Gjithashtu, një tjetër problem i konstatuar nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarëve është edhe kushtet financiare të gazetarëve, të cilat shpesh herë  janë të pajustifikueshme për punën që kryejnë.

Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit të Gazetarëve Shqipëtarë

Janë bërë përpjekje të shumta nga organizata apo dhe nga gazetarë individualë për të ndryshuar problemet e ndryshme që ata hasin, por në një rreth politikë-pronarë, organizatat nuk i’a kanë arritur ndonjë rezultat konkret për ndryshimin e këtij fenomeni prej kohësh.  

Kanë qenë të shumta rastet kur është diskutuar se gazetarët janë sulmuar në forma të ndryshme për shkak të shkrimeve të ndryshme. Për shkak të ngjarjeve të ndryshme gazetarët janë bërë gjithnjë e më të ekspozuar ndaj presionit, kërcënimit dhe abuzimit verbal dhe fizik në një mënyrë shumë brutale. Një ndër gjërat më të mëdha që përjetojnë gazetarët në mbarë botën është dyzimi që i shoqëron mes ushtrimit të standardeve  profesionale dhe kërcënimeve të një pas njëshme. Përgjithësisht ushtrimi i profesionit të gazetarëve në Shqipëri dhe jo vetëm, ndikohet nga një mori faktorësh, që kufizojnë lirinë e shprehjes dhe profesionalizmin e medieve të ndryshme.

Gjatë vitit 2018 gazetarët Klodiana Lala, Alida Tota dhe Basir Collaku janë kërcënuar në forma të ndryshme, për shkak të investigimeve të ndryshme që kanë kryer.

Në gushtin e vitit të kaluar  shtëpia e prindërve të gazetares, Klodiana Lala, u bë pre e një sulmi me armë. Në drejtim të banesës u derdh një breshëri plumbash të cilat rrezikuan jetën e familjarëve të gazetares.

Gjithashtu, i ngjashëm është edhe rasti i gazetares Alida Tota, e cila u shkarkua nga detyra e saj një ditë pasi kërkoi informacion në Bashki për vdekjen e 17-vjeçarit në fushën e grumbullimit të plehrave, duke u kërcënuar më pas edhe me mesazhe të ndryshme telefonike. Ndërsa gazetari Basir Çollaku, që realizoi intervistën në Shijak TV me ish-oficerin Emiljano Nuhu, u detyrua të largohet nga vendi pasi mori kërcënime të shumta me vdekje.  

Alida Tota

Ngjarje të ngjashme kanë ndodhur edhe në vende të tjera. Gazetari Zekirja Shabani në Kosovë, i cili ka qenë edhe kryetar i Asociacionit të Gazetarëve të Kosovës, është kërcënuar nga pronarë kompanish, madje edhe nga kolegët e tij të cilët kanë lidhje me ta.  Në dhjetorin e vitit të kaluar, deputeti socialist Oleg Savva, i cili kandidon për rizgjedhje, kërcënoi haptazi gazetarin investigativ Mariana Colun me dhunë fizike dhe nëse ajo apo kushdo tjetër, do të shkruante për punën e tij do të kishte pasoja.

Gjatë gjithë kohës vërehet një anashkalim i kësaj çështje nga organet ligjore. E vetmja siguri që kanë gazetarët është urdhri mbrojtjes që marrin nga policia e shteteve ( në rastin e Shqipërisë), por nga ana tjetër, masat e marra duket se kanë qenë të pamjaftueshme për të ndaluar sulmet e  kriminelëve dhe pushtetarëve. Ndërhyrja në media nga interesat politike dhe ekonomike është e pashmangshme dhe ka edhe nga ato raste kur gazetarët shkruajnë në favor të “pronarëve” që kanë.  Liria e medias dhe informimit i mban shoqëritë të shëndetshme dhe në moment që ndërpritet rrjedha e lirë e informacionit shoqëritë përfshihen në vorbulla trazirash dhe mashtrimesh të heshtura.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë