Mendim

Vetëm rritja e normës së interesit nuk e frenon dot inflacionin

Nga Gisela Troplini -“Kur të shpërthejnë flluskat ekonomike të tregut të banesave, çmimeve të kapitalit dhe aseteve, dhe kur çmimet e mallrave të konsumit të përditshëm të bëhen të papërballueshme, atëherë do të kujtohemi që e kemi lënë Bankën e Shqipërisë pa mbështetje të politikës fiskale.”

Kështu e përcakton eksperti i ekonomisë, Enriko Ceko, panoramën e muajve në vijim, duke shtuar se rritja e normës së interesit nga BSH, nuk mund të jetë masë e vetme, kundër inflacionit në vend.

Pak ditë më parë, guvernatori i Bankës, Gent Sejko, njoftoi për një rritje të dytë të normës së interesit, 0.25%, pas rritjes në 1% gjatë muajit mars, me një inflacion që vazhdon të rritet në raport mujor.

Ai shpjegoi se kjo masë synon normalizimin e situatës ekonomike në vend, pasi gjatë muajit maj njoftoi, se rritja e parë e normës, nuk kishte dhënë ende efekt në kreditim.

Për ekspertin Ceko, që shfrytëzimi i rritjes së normës, si kundërpërgjigje ndaj çmimeve në rritje të jetë efektiv, duhet të jetë i sinkronizuar me një sërë masash të tjera, përfshirë politikat fiskale, politikat rajonale dhe sektoriale. Mungesa e mbështetjes së Bankës, me këto masa, kanë sjellë zbrazjen e vendit nga të rinjtë dhe pakësimin e investimeve vendase dhe të huaja.

Enriko Ceko, ekspert ekonomie/ Gazeta "SI", korrik 2022

Nëse normat e interesit në periudhën afatshkurtër dhe afatmesme janë të qëndrueshme, të përshtatshme dhe në harmoni me politikat e tjera, atëherë ato ndikojnë në një inflacion të qëndrueshëm dhe nën kontroll, duke ndikuar edhe në qëndrueshmërinë e prodhimit. Por në rastin e Shqipërisë kjo nuk funksionon, pasi ne nuk kemi prodhim industrial, shpjegon ai.

“Në këtë gjendje, është e dukshme se rritja e normës së interesit në masën që ka përcaktuar Banka e Shqipërisë është si të hedhësh një kothere bukë të thatë misri në turmën e të varfërve, që nuk kanë as një pikë dhallë që të njomin bukën”, - shprehet Ceko për Gazetën “SI”.

Ai kritikon BSH-në, se nuk ka ndjekur një tendencë të rritjes graduale të normës ndër vite, por ajo është luhatur nga 1-10%. Sipas tij, kjo ka çorientuar investitorët dhe ka bllokuar diversifikimin e ekonomisë në vendin tonë.

Ndërkohë, Ceko, liston për Gazetasi.al dhe efektet që do të ketë rritja e normës së interesit.

Ai shpjegon se normat e rritura të interesit nxisin qytetarët të vendosin para në bankë si kursime në llogari kursimesh.  Po ashtu, investimi në obligacione, bono thesari dhe aksione, janë alternativa që ofrojnë një kthim të besueshëm të të ardhurave nga interesi.

“Por, kur Leku është i fortë, aktiviteti i bizneseve ulet, eksportet pengohen dhe sektorët e ekonomisë shqiptare nuk kanë shans që të ekspozohen ndërkombëtarisht duke bërë që investimet e huaja direkte të mos jenë në shifrat që pretendojmë të jenë në vitet që vijnë.”

Eksperti i ekonomisë, Fatos Çocoli, tregon për Gazetasi.al, se rritja e normës nuk do të jetë 100% efektive për shkak të mungesës së një tregu kapital.

“Tek ne shtrenjtimi i parasë nuk kalon në mekanizmat e duhur për të frenuar sa duhet  inflacionin sepse nuk kemi tregjet e duhura kapitale. Bursa është me embrion të pazhvilluar”,-shprehet Çocoli.

Fatos Çocoli, ekspert ekonomie/ Gazeta "SI", korrik 2022

Të njëjtën pengesë, përmend edhe eksperti Ceko.

“Në periudhën afatgjatë, nëse normat e interesit kanë prirje të qëndrueshme, atëherë ato kontribuojë në ekuilibrimin e tregjeve të kapitalit, por në Shqipëri kjo nuk funksionon pasi ne nuk kemi bursë. Mungesa e bursës bën që në Shqipëri të mos ketë akumulim legal kapitali me kalimin e kohës, por ilegalitet në të tëra fushat”, - shpjegon ai.

Eksperti Çoçoli, shpjegon se impakti i parë i rritjes së normës është ai i tkurrjes së kredimarrjes për individët dhe sipërmarrësit, pasi kredia shtrenjtohet, por jo në nivele të larta.

“Gjykoj se fakti që brenda 4 muajsh kemi kaluar nga 0.5% në 1.25% tani, do ta shtrëngojë disi kredinë, por mendoj se janë masa që ende nuk e bëjnë shumë të ndjeshëm shtrenjtimin e kostos së parasë, mbiçmim të lekut, por në tërësi nuk do të jetë problem për qytetarët dhe sipërmarrësit.”

Sipas ekspertit Çoçoli, një para më e shtrenjtë në treg do të thotë, më pak të ardhura nga eksporte në varësi të kursit të  këmbimit dhe se “paraja e shtrenjtë është një e keqe e domosdoshme në një situatë kur inflacioni është shumë i lartë.”

Në përfundim të analizës së tij për Gazetasi.al, eksperti Ceko, përmend edhe rrezikun e një norme të lartë interesi, që sipas tij “do të bënte që borxhi publik që kemi aktualisht shumë të lartë, të mund të mos paguhej për të paktën 200 vitet ardhshme.”

Sipas tij, situata në të cilën ndodhet Shqipëria dhe bota, kur ka mungesë lëndësh të para dhe kosto të rritur të prodhimit, është skenar i zymtë, që rrezikon qëndrueshmërinë në tërësi dhe jo vetëm çmimet e mallrave të konsumit.

“Është shumë e rëndësishme të kuptojmë se kur bëhet fjalë për ekonominë e qytetarëve dhe familjeve, nuk mund të vëmë në drejtim të ekonomisë amatorë dhe individë me njohuri të përgjysmuara apo të cunguara, që kanë si orientim vetëm fitimin e disa bizneseve pranë qeverisë.

Këta njerëz janë me njohuri të tilla janë shumë më të rrezikshëm se injorantët”, -përfundon eksperti.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë