Analize

A ka këllqe BSH për të ngadalësuar ekonominë në këmbim të uljes së çmimeve?

Për aq të dhëna sa disponohen zyrtarisht, inflacioni i majit me vlerën 6.42 për qind ishte më i larti që prej 2009-ës. Përgjatë kësaj dekade, vetëm disa muaj në 2011, inflacioni kapërceu tavanin objektiv prej 3 për qind të Bankës së Shqipërisë. Por tani të paktën që prej prillit të vitit të kaluar rritja e çmimeve nuk është dalluar derisa fundi u ankorua në 6.42 për qind.

A do të ketë dallgë edhe më të madhe inflacioni?

Në botë po llogarisin se inflacioni po vjen më i nxehtë dhe po rezulton më kokëfortë nga sa kishin shpresuar politikëbërësit.

Banka e Shqipërisë ka premtuar se do të luajë rol aktiv në luftën kundër inflacionit megjithëse pranon se nuk e bën dot e vetme. Ajo kërkon ndihmë edhe nga qeveria, e cila zotëron instrumentin tjetër më të rëndësishëm, politikën fiskale.

Bankierët qendrorë kanë premtuar të jenë të shkathët, ndërsa luftojnë inflacionin – një qëndrim ky që të shtyn të mendosh se ata do të diskutojnë nëse duhet të rrisin normat e interesit.

FED-i amerikan i rriti normat me gjysmë pikë përqindjeje në maj dhe zyrtarët kishin sugjeruar për javë të tëra që një rritje e ngjashme do të garantohej në mbledhjet e tyre në qershor dhe korrik, nëse të dhënat evoluonin siç pritej.

Nëse edhe Banka e Shqipërisë kërkon t’i tregojë publikut dhe tregjeve ndjenjën e shqetësimit i duhet të ndërhyjë për inflacionin përpara se ai të ndryshojë sjelljen dhe të bëhet një tipar më i përhershëm i sfondit ekonomik.

Në SHBA, Jerome H. Powell, kryetari i FED dhe zyrtarë të tjerë kanë theksuar vazhdimisht nevojën për të ulur çmimet në një nivel të qëndrueshëm për të siguruar një ekonomi të shëndetshme. Vargu i lajmeve shqetësuese ka bërë që ekonomistët dhe investitorët të vënë bast se banka qendrore do të fillojë të rrisë normat e interesit me një ritëm më të shpejtë për të sinjalizuar se e njeh problemin dhe po e bën luftën kundër inflacionit një prioritet.

Nga ana tjetër nëse shkohet drejt politikës së rritjes së normës së interesit do të ketë implikime të mëdha për ekonominë. Kur bankat qendrore ngrenë normën e interesit të politikës së saj, ato filtrojnë nëpër ekonomi për të bërë më të shtrenjta huamarrjen e të gjitha llojeve – duke përfshirë borxhin hipotekor dhe kreditë e biznesit. Kjo ngadalëson tregun e banesave, i pengon konsumatorët të shpenzojnë kaq shumë dhe frenon zgjerimet e bizneseve, duke dobësuar tregun e punës dhe ekonominë më të gjerë. Kërkesa e ngadaltë mund të ndihmojë që presionet e çmimeve të lehtësohen, pasi më pak blerës konkurrojnë për mallra dhe shërbime.

Por normat e interesit janë një mjet i hapur dhe koha e transmetimit të tyre është më e gjatë se shpejtësia me të cilën kërkohet ndërhyrja. Po kështu, është e vështirë të parashikohet se sa duhet të ftohen kushtet për të ulur inflacionin në mënyrë bindëse. Ekspertët ndërkombëtarë parashohin se çështjet e furnizimit të lidhura me pandeminë mund të lehtësohen, duke krijuar një mundësi për ngadalësim të rritjes së çmimeve, por lufta në Ukrainë dhe bllokimet e reja të vendosura rishtazi të Kinës që synojnë të frenojnë koronavirusin mund t’i mbajnë çmimet të larta.

Pyetja e vështirë për Bankën Qendrore është: A e ka lejen, megjithëse supozohet se është e lirë, që ajo të ndërhyjë për të ngadalësuar ekonominë, në këmbim të frenimit të çmimeve?

Ben Bernake, ish-kreu i FED në opinionin e tij në New York Times shkroi se edhe në SHBA krerët e FED-it nuk e kanë pasur të lehtë. Madje kanë pasur presione politika të forta për të mos bërë ndërhyrje të tilla. Por nëse në ShBA kohët kanë ndryshuar dhe presidenti Biden ka dhënë pavarësi të plotë, a mund ta themi ne këtë për Shqipërinë?

Ngadalësimi i ekonomisë, e cila e ka projektuar që tani për vitin tjetër një rritje më të vogël dhe një popullsi ku 40 për qind të shportës së konsumit e zë ushqimi, ku të varfrit me shumicë do të ndiejnë më shumë inflacionin sesa të pasurit, dhe ku punësimi është i moderuar më shumë për shkak të rënies së forcës aktive në punë (emigrimi) vendimi është si të shpallësh luftë.

A do t’i qëndrojë qeveria në krah BSH-së apo së paku nuk do të ndërhyjë? Për momentin ka shumë distancë. Politika fiskale që tani ka krijuar te publiku idenë se së shpejti një pjesë do të ngarkohen me një barrë më të rëndë – ndryshimet në ligjin për të ardhurat personale. Nga ana tjetër, bordet “komuniste”, tani që litri i karburantit në pompë ka shkuar më shtrenjtë se koha kur nisën protestat, kanë krijuar përshtypjen se u krijuan për të certifikuar rritjen e çmimeve, por jo frenimin e tyre: ato do të ndodhin gjithsesi.

Koha jo shumë e largët do të tregojë se kush do të ketë kurajën për të ndalur rritjen e çmimeve. A do të ketë liri banka qendrore për të vepruar dhe a është e gatshme qeveria të mbajë përsipër disa kosto elektorale në emër të qëndrueshmërisë së tregjeve dhe ekonomisë?


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë