Para

Bizneseve iu vështirësua kredimarrja gjatë tremujorit të dytë. Individët zgjodhën kredinë në valutë

Nga Gazeta "SI" - Individët dhe bizneset në Shqipëri vijuan kredimarrjen me ritme të larta edhe për tremujorin e dytë të vitit 2022.

Analiza e Bankës së Shqipërisë, tregon se zgjerimi i kredisë për biznese ka ndodhur tek ato të mesme dhe të mëdha, ndërsa ka rënë për bizneset e vogla dhe është ngadalësuar për ato mikro. Sipas BSH-së, të dy këto segmente janë edhe kategoritë më të ekspozuara ndaj pasigurisë dhe rrezikut të shtuar në  kushtet e realitetit të ri makroekonomik.

Për bizneset e mesme, është rritur kredia në lekë, e dyfishuar në raport vjetor.  Bizneset e mëdha kanë zgjedhur përsëri kredinë në valutë gjatë tremujorit të dytë 2022, duke shënuar rritje me 16% nga një vit më parë dhe 0.3% nga tremujori paraardhës.

Sipas studimit të Bankës së Shqipërisë, gjatë kësaj periudhe procesi i kreditimit është shtrënguar për bizneset për shkak të shtimit të pasigurive dhe shqetësimeve mbi dobësimin e mundshëm të aktivitetit ekonomik me zgjatjen e konfliktit në Ukrainë edhe me tolerancën më të ulët të tyre ndaj rrezikut.

BSH thekson se vetë bankat kanë filluar të reflektojnë një kujdes të shtuar, si në drejtim të shtrëngimit të ofertës për kredi ashtu edhe në rritjen e normave të interesit në disa segmente. Përqasja më e kujdesshme e bankave ndaj biznesit lidhet si me pasigurinë e shtuar ashtu edhe me tolerancën më të ulët të tyre ndaj rrezikut. Ndërsa, lehtësimi i standardeve për individët është mbështetur tek konkurrenca e lartë dhe ecuria e tregut të banesave.

Norma e interesit për kreditë e bizneseve në lekë, gjatë periudhës prill-qershor pësuan rënie, por u rritën për individët.

Analiza e interesave nga Banka, tregon se rritja e normës bazë po fillon të  reflektohet fillimisht në kreditë që janë më të standardizuara, siç janë kreditë e vogla për biznese dhe kreditë për individët. Por Banka vlerëson se rritja është ende minimale dhe, interesi mbetet akomodues për rritjen e mëtejshme të kredisë.

Nga ana tjetër, procesi i kreditimit për individë është lehtësuar me rritjen e kërkesës, sidomos asaj në valutë gjatë periudhës prill-qershor për shkak të konkurrencës së lartë dhe ecurisë së tregut të banesave. Rritje të konsiderueshme ka pësuar dhe kredia në valutë, krahas lekut.

Kredia për individë  u rrit me 17% në raport vjetor dhe 0.6% nga tremujori paraardhës. BSH tregon se kredia për banesa është ende kryesorja, por ka ndaluar zhvendosja drejt lekut edhe pse mban pjesën më të madhe të kredimarrjes.

Në vendet e rajonit kredia për sektorin privat është rritur me ritme të larta. Rritja e saj është përshpejtuar në shumicën e vendeve, ku vendet e Ballkanit kanë shënuar në vazhdimësi një performancë më të mirë krahasuar me vendet e Europës Qendrore. Rritja e kreditimit është mbështetur nga kredia për biznese, ndërkohë që kredia për individë shfaqet e ngadalësuar në pjesën më të mirë të vendeve.

Kredia për biznese në rajon ka vijuar të shfaqë ecuri të mirë në muajt prill dhe maj 2022 me një rritje vjetore prej 11%, ndërsa ajo për individë ka paraqitur shenja ngadalësimi. Rritja vjetore u raportua vetëm 6% në këto dy muaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë