Politike

Vaksinë e lirë, apo e shtrenjtë? Rama: S’jemi në atë fazë! Grup pune për diplomacinë e vaksinës

Shqipëria nuk është në fazën që të përzgjedhë mbi bazën e çmimit llojin e vaksinës së mundshme anti-Covid, por është ende mes përpjekjeve për ta siguruar atë, pavarësisht çmimit që do të ketë në treg.

“Nuk jemi në fazën ku nuk zgjedhim të lirë apo të shtrenjtë jemi në fazën që të kemi vaksinën në dispozicion duke filluar nga vaksinimi i bluzave të bardha, mësuesit, punonjësit e policisë dhe të gjithë me radhë”, deklaroi këtë të martë, Kryeministri Edi Rama.

Gazeta “Si” pyeti Kryeministrin në konferencën e përjavshme për shtyp, që këtë radhë u zhvillua online përmes platformës “Zoom”. Kryeministri foli për një grup të ngritur nga Qeveria që po punon intensivisht për sigurimin e vaksinës, ndërsa nënkuptoi se aktualisht konkurrenca për këtë produkt është e madhe.

“Po bëhet një përpjekje e jashtëzakonshme nga të gjitha vendet dhe sasia që do prodhohet nuk do jetë e gjitha që është e nevojshme që ditën e parë. Ne na duhet të mos mbetemi në bisht dhe e dyta të vëmë në dispozicion për këto kategori njerëzisht sa më shpejt. Ne nuk jemi në avantazhin e vendeve prodhuese, apo vendeve të mëdha, prandaj po bëjmë përpjekje të mos mbetemi jashtë këtij procesi dhe të mos detyrohemi të presim në fund, e lirë apo e shtrenjtë është temë tjetër. Ne nuk i kemi lënë gjë mangët popullit për gjëra që lidhen për element më të rëndësishme të jetës”, u shpreh Kryeministri.

Megjithatë, Shqipëria nuk i ka duart e lidhura vetëm me një lloj vaksine. Kryeministri nuk përjashtoi edhe ndjekjen e një strategjie kombinimi të tyre dhe foli për një grup pune të ngritur posaçërisht për diplomacinë e vaksinës.

“Mund të marrim nga të gjitha llojet. Sot asnjë vend nuk po fokusohet vetëm te një vaksinë. Ne kemi një ngritur një grup njerëzish që po merren me diplomacinë e vaksinës dhe shpresoj që të mos mbetemi mbrapa. Çmimi është gjëja e fundit", tha Rama.

Si pjesë e aleancës Covax, Shqipëria është e orientuar drejtë blerjes së vaksinës nga kompanitë perëndimore. Aktualisht janë tre prej tyre që kanë kaluar produktet në të trija fazat e testimit dhe presin autorizimet nga autoritetet shëndetësore në SHBA dhe BE për t’u hedhur në treg.

Bëhet fjalë për kompaninë AstraZeneca, që ka zhvilluar vaksinën e saj në bashkëpunim me Universitetin e Oksfordit, kompaninë Moderna dhe bashkëpunimin e dy kompanive Pfizer dhe Biontech.

Vaksina e AstraZeneca-s përllogaritet që të dalë me një kosto prej 5 dollarësh copa, ndërsa ajo e Pfizer&BionTech rreth 20 dollarë dhe Moderna 35 dollarë. Dy vaksinat e fundit flasin për një efektshmëri mbi 90 për qind, ndërsa vaksina e parë thotë se ka efektshmërinë e saj nga 70 deri në 90 për qind.

Kryeministri Edi Rama e paralajmëroi se Shqipëria ka përballë një konkurrencë që s’e mposht dot për sigurimin e vaksinës, ku në radhë janë vendosur vende me fuqi financiare shumë herë më të fortë se Shqipëria e varfër pjesë e Covax.

Për të kuptuar se sa e ashpër është beteja për vaksinën mjafton të shihet lista e vendeve që e kanë porositur atë si tek Pfizer, ashtu edhe tek Moderna. Bëhet fjalë për të njëjtat shtete; ato më të fuqishmet në botë financiarisht, që nga SHBA, Britania e Madhe, Bashkimi Europian, Japonia dhe Kanadaja.

Deri më tani, asnjë prej këtyre vendeve nuk e kanë kushtëzuar blerjen e vaksinës me çmimin e saj, por kanë kërkuar vazhdimisht nxjerrjen e saj sa më shpejt.

Pra, këta emra ka përball Shqipëria, e renditur si vendi më i varfër në Europë në 2019. Sipas të dhënave të publikuara nga Eurostat për vitin 2019, shqiptarët kishin të ardhura për frymë sa 31% e mesatares europiane, më e ulëta në Europë.

Në raport me një vit më parë, kjo përqindje ka mbetur e pandryshuar, çka tregon se Shqipëria ka ngecur në të ashtuquajturin proces të konvergjencës, që nënkupton një rritje më të shpejtë ekonomike se vendet e zhvilluara, me synim që të kapet mesatarja e të ardhurave të BE-së brenda një periudhe kohe.

Nisur nga kjo konkurrencë, Shqipëria mund ta ketë të pamundur aksesin tek vaksinat e shtrenjta dhe më efektive brenda muajve të parë dhe të vihet në listën e pritjes kur tregu të popullohet disi me vaksinën e AstraZenecas, vaksinën e mundshme ruse dhe tre vaksinat e mundshme kineze.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë