Politike

Edhe opozita greke kundër takimit të Ramës me emigrantët në Athinë. Kryeministri: S’ka lidhje me çështje të brendshme

Gazeta Si – Politika në Greqi nuk është dakord me vizitën e kryeministrit Edi Rama, i cili ka parashikuar një vizitë në Athinë në 12 maj për një takim me emigrantët shqiptarë në vendin fqinj.

Si kryeministri grek Mitsotakis, ashtu edhe shefi i opozitës greke që përfaqëson partinë SYRIZA, kundërshtojnë njëzëri ardhjen e Ramës për shkak të çështjes së Fredi Belerit me drejtësinë shqiptare.

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis, në një intervistë të dhënë për mediat greke, tha se Rama nuk është i ftuari i qeverisë, ndërsa ka shtuar se ky takim është një zgjedhje e tij dhe nuk e pengojnë të zhvillojë këtë takim.

Por, kryeministri grek thotë se kjo është një zgjedhje e panevojshme, ndërsa është ndaluar edhe në çështjen e Fredi Belerit, kryebashikau i zgjedhur i Himarës, në burg për vlerje votash në zgjedhjet vendore të 14 majit. Lidhur me tubimin që Rama do të mbajë në Greqi, Mitsotakis siguroi se ai nuk do të ndalohet

“Ai tregon se nuk është i ftuar i qeverisë, po vjen për të biseduar me bashkatdhetarët e tij. Është e drejtë e tij, një zgjedhje që më duket e panevojshme, prandaj thashë që është një zgjedhje e panevojshme. Ne kemi probleme me marrëdhëniet greko-shqiptare. Çështja e ndalimit të Fredi Belerit është europiane, jo dypalëshe”, tha Mitsotakis.

Kryeministri grek vuri në dukje se minoriteti grek në Shqipëri është i përfaqësuar në fletën europiane me dy kandidatë, siç janë edhe qytetarët myslimanë grekë, gjë që nuk ndodh në fletëvotimet e dy partive të tjera të mëdha.

Qëndrimi i SYRIZA-s

I ashpër ka qenë edhe qëndrimi i partisë opozitare SYRIZA, e cila e quan provokim vizitën e Ramës, pasi përkon me 1-vjetorin e arrestimit të Fredi Belerit, ndërsa për këtë ai akuzon edhe qeverinë e Kyriakos Mitsotakis.

SYRIZA akuzon Mitsotakis se e përdor pakicën greke si mjet për përfitime të vogla partiake dhe se politika e jashtme e Mitsotakis është e rrezikshme për interesat kombëtare.

“Vizita e paralajmëruar e kryeministrit shqiptar Edi Rama në Greqi, në datën e përvjetorit të paraburgimit të Fredi Belerit, është një veprim provokues, i cili nxjerr në pah mungesën e një politike koherente për Ballkanin Perëndimor nga Qeveria e Mitsotakis

Nënvizon zgjedhjet e tij komunikuese të deritanishme, të cilat dëmtojnë marrëdhëniet dypalëshe, nuk nxjerrin në pah realisht çështjen e shtetit të së drejtës në Shqipëri dhe nuk mbrojnë efektivisht të drejtat e minoritetit etnik grek në Shqipëri. Të drejtat që rrjedhin si nga e drejta ndërkombëtare ashtu edhe nga ajo komunitare, veçanërisht duke pasur parasysh perspektivën evropiane të vendit.

Qeveria Mitsotakis, siç u pa edhe në periudhën parazgjedhore, e trajton pakicën etnike greke si mjet për përfitime të vogla partiake. Edhe një herë në pak 24 orë, vërtetohet se sa e rrezikshme është politika e jashtme e Mitsotakis për interesat kombëtare”.

Reagimi i Ramës

Menjëherë pas këtyre deklaratave, ka reaguar kryeministri Rama, duke u shprehur se vizita e tij nuk ka lidhje me çështjet e brendshme të Greqisë.

Kreu i qeverisë, vlerësoi deklarimet e homologut Mitsotakis se liderët nga vendet e tjera demokratike mund të takojnë bashkatdhetarët e tyre, teksa shtoi se vizita e tij nuk ka lidhje me çështjet e brendshme të Greqisë apo me zgjedhjet evropiane.

“Është mjaft befasuese të dëgjosh deklaratat e opozitës greke, ndërkohë që mund ta kuptoj plotësisht perspektivën e përcjellë nga kryeministri grek. Kontrasti i fortë në pikëpamjet për të njëjtën çështje hedh dritë mbi arsyen pse disa janë në opozitë, ndërsa të tjerëve u është besuar qeverisja nga populli. Megjithatë, siç theksoi me të drejtë kryeministri Mitsotakis, Greqia mbetet një vend demokratik ku liderë nga vende të tjera demokratike mund të vizitojnë, të takohen me bashkatdhetarët e tyre dhe t’i lavdërojnë ata për punën e tyre të palodhur dhe kontributet e çmuara që ata japin jo vetëm për vendin ku ata jetojnë, por edhe në atdheun e tyre. Vizita ime e ardhshme në Athinë të dielën, më 12, nuk ka lidhje me çështjet e brendshme të Greqisë, zgjedhjet e Parlamentit Evropian në Greqi, apo ndonjë narrativë specifike që mund të zgjojë interesin e politikanëve grekë, por që nuk janë në axhendën e qeverisë shqiptare. Kjo vizitë është pjesë e një serie vizitash të planifikuar prej kohësh në disa vende evropiane, përfshirë Athinën, për t’u angazhuar me shqiptarët që jetojnë jashtë vendit dhe për të ndarë krenarinë e Shqipërisë për ta dhe Vision Albania 2030. Kjo ka të bëjë me vizitën time në fqinjin mik Greqinë”, - shkruan Rama në rrjetet sociale.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë