Politike

Rama i përgjigjet Bardhit për hetimet e ‘Xibrakës’: SPAK ka mundësi të ndajë të vërtetën nga shpifja

Gazeta Si - Kryeministri Edi Rama i është përgjigjur Gazment Bardhit, pasi deputeti demokrat, njoftoi se SPAK ka nisur hetimet për Olsi Ramën, për çështjen e laboratorit të drogës në Xibrakë.

Përmes një postimi në “X”, Rama thotë se drejtësia vepron vetëm me ligje e prova, duke shtuar se gjithë këtyre akuzave të Bardhit të cilin e cilëson “B-ja i vogël” i mungon dëshmia në SPAK.

“Llafet i merr era, ndërsa drejtësia vepron vetëm me ligje e me prova, prandaj tani pas llafeve të mëdha edhe një detaj i vogël mungon dhe pastaj jemi krejt në rregull! Pra mungon konfirmimi në dëshminë ligjore para SPAK-ut nga vetë B-ja i vogël me gojën e madhe, se kur ka shkruar “Informacion”, në fakt kallëzuesi i rremë nuk ka dashur t’ia hedhë me procedurë rrezikut që vjen nga marrja si i pandehur për kallëzim të rremë, po thjesht ka pasur një moment lajthitje profesionale. Në rast se plotësohet kjo mungesë, domethënëse për fatin e të vërtetës, atëherë SPAK-u ka të gjithë mundësinë ta ndajë të vërtetën nga shpifja dhe viktimën nga fajtori. Pra, o B-ja e vogël ka zbuluar një trafikant droge në rrethin tim të ngushtë familjar dhe trafikantit duhet t’i hiqet menjëherë liria, o gojës së madhe i duhet vënë proteza e ligjit! Ka vetëm një të vërtetë në këtë mes dhe s’ka asnjë rrugë të mesme”, shkruan kreu i qeverisë në një postim në “X”.

Pak më herët këtë të mërëkurë, Bardhi njoftoi se do të thirret nga SPAK në 15 maj për të bërë kallëzimin penal ndaj Olsi ramës për “Xibrakën”, duke shtuar se kanë rinisur zyrtarisht hetimet ndaj vëllait të kryeministrit Edi Rama.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë