Taksa

Ulja e TVSH-së në 6% dështoi të ulte informalitetin në turizëm

Nga Gazeta ‘SI’ - Masa e qeverisë për të ulur TVSH-në e hoteleve si zgjidhje për të ulur informalitetin, nuk ia ka arritur qëllimit.

Në një anketë të kryer nga Këshilli i Investimeve, 38% e bizneseve në vend shprehen se ulja e TVSH-së 6% nuk ka sjellë ulje të informalitetit në turizëm.

Aty tregohet se sipas perceptimit të vetë bizneseve, turizmi është ndër sektorët me më shumë informalitet në fushën e biznesit, bashkë me bujqësinë, shërbimet dhe tregtinë.

Shmangia e taksave konfirmohet si forma kryesore e shfaqjes së këtij fenomeni vite, e ndjekur nga puna në të zezë dhe mosregjistrimi. Konkurrenca e pandershme dhe barra fiskale cilësohet nga bizneset shqiptare si faktori kryesor që nxit informalitetin.

Ulja e TVSH-së nga 20 në 6% për shërbimin hotelier u ligjërua në mandatin e parë të qeverisë Rama, si formë për të nxitur turizmin dhe për të ulur informalitetin. Por përveç kësaj ankete, tregues të tjerë konfirmojnë se ndikimi nuk ka qenë dhe aq pozitiv.

Nëndeklarimet e hoteleve

Shifrat e hyrjeve të turistëve në vend me shifrat e qëndrimit të tyre nuk përputheshin duke krijuar kështu kakofoni statistikore, me informalitetin si të vetmin shpjegim.

Pak kohë më parë, një studim i organizatës Co-Plan tregonte se 27 bashki nuk regjistronin fare të ardhura nga taksa e shërbimit hotelier dhe 21 të tjera regjistronin vetëm 1% të asaj çfarë gjenerojnë në të vërtetë, përfshirë bashkitë e mëdha, që presin miliona turistë.  

Informaliteti, ngërçi më i madh i sektorit turistik vendas, shfaqet në forma të ndryshme si mos regjistrimi i strukturave akomoduese apo kapaciteteve reale, mos deklarimi i net qëndrimeve apo deklarimi i numrave fiktivë të turistëve etj. 

Kjo u pohua dhe nga kreu i qeverisë Edi Rama në fund të 2023-shit, kur njoftoi se për shkak të mosdeklarimeve, hotelet do të kenë dhe një çmim reference.

“Si ta shpjegojmë kur shohim shifrat e turistëve dhe shohim të ardhurat e deklaruara nga hotelet, të cilat nuk korrespondojnë njëlloj? Jo, ne nuk e pranojmë që t’ju marrim juve TVSH 6% për këtë shifër që na jepni ju, por do ju marrim shifrën 6% për shifrën që na thotë tregu dhe ju do na e jepni, se nuk e marrim ta çojmë në shtëpi, por për të vazhduar të investojmë dhe për të përmirësuar shumë hallka që turizmi ka nevojë t’i përmirësojë shteti”, tha Rama përballë bizneseve.

Udhëzimi për këtë vendim me shifra reale ende nuk është publikuar, por në ndryshimet e ligjit të turizmit, qeveria thekson se referenca do të jetë sezonale, por asnjëherë zero. Nëse një hotel nuk ka aktivitet përgjatë sezonit do të paguajë çmimin minimal referencë të përcaktuar.

Në të njëjtin takim, kryeministri Edi Rama tha se edhe banesat individuale që listohen në AirBnB apo Booking, pra me qira aftashkurtër do të jenë subjekt tatimi, të regjistruar në QKB. Kjo u kundërshtua nga ekspertët e ekonomisë pasi do të dëmtonte investitorët e vegjël dhe do të favorizonte ata të mëdhenj.

Shpejt qeveria u tërhoq nga kjo ide dhe tregoi se kët detyrim do ta kenë vetëm pronarët e një blloku apartamentesh, struktura akomoduese të trashëgimisë kulturore dhe “hoteli i shpërndarë” i cili është i përbërë nga shtëpi, apartamente ose dhoma të vendosura në ndërtesa të veçanta, të menaxhuara nga i njëjti sipërmarrës turistik. 


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë