Taksa

Tatimet shpjegojnë si do të kryhen parapagesat e tatim-fitimit për profesionet e lira. Deri në 9 këste

Nga Gazeta 'SI' - Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve ka sqaruar se si do të kryhen parapagesat e tatim-fitimit nga profesionistët e lirë.

Në një njoftim për median, DPT, thekson se tatim-fitimi është një detyrim ligjor për të gjithë shërbimet profesionale dhe se duhet parapaguar për 2024-n në bazë të të dhënave të 2023-shit.

Për ata me status ligjor “person fizik”, parapagimi kryhet në normat 15-23% sipas masës së fitimit. -Për tatimpaguesit me status të ndryshëm ligjor nga person fizik, pavarësisht përgjegjësisë së tyre tatimore, llogaritja e parapagimeve kryhet me normën 15% mbi fitimin.

Për tatimpaguesit, që gjatë vitit 2023 kanë qenë të regjistruar pjesërisht si me Tatim të Thjeshtuar mbi Fitimin, ashtu edhe me Tatimin mbi Fitimin, përllogaritja do të kryhet mbi totalin e fitimit të vetëdeklaruar në 2 deklaratat respektive dhe tatimpaguesit do të njoftohen në llogarinë e tyre në e-Filing, në lidhje me këstet paraprake.

Vlera e përllogaritur është ndarë për periudhën e mbetur Prill-Dhjetor 2024, në 9 këste dhe pagesa mund të kryhet deri në ditën e fundit të muajit të fundit të tremujorit. Konkretisht:

 – Brenda datës 30 qershor, për muajt prill, maj, qershor

– Brenda datës 30 shtator, për muajt korrik, gusht, shtator

– Brenda datës 31 dhjetor, për muajt tetor, nëntor dhjetor.

Tatimpaguesit që regjistrohen për herë të parë në 2024-n do të parapaguajnë në bazë të parashikimeve.

Administrata Tatimore udhëzon tatimpaguesit që për çdo paqartësi apo në rast se vërejnë përllogaritje jo të saktë të kësteve ti drejtohen Drejtorive Rajonale përkatëse për të kërkuar rishikim të kësteve, me qëllim trajtimin e kërkesave të tyre me prioritet për tatim të drejtë, sipas ligjit.

Reagimi i Tatimeve erdhi pas disa lajmeve ku profesionistët e lirë denonconin shkelje pasi i ishte kërkuar të paguanin deri në 30% të xhiros vjetor, taksë. Këtë DPT e quan dezinformim.

Ndryshimet janë pasojë e ligjit të ri që u fuqizua në fillim të janarit ku të gjithë personat fizikë tregtar apo të vetëpunësuarit e profesioneve të lira të kategorizuara në 26 lloje aktivitetesh, nuk do të trajtohen më si biznes i vogël me 0% tatim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë