Para

Telashet e “Lotit I” të Unazës së Re, rrëzohet ARRSH dhe “Vëllezërit Hysa”

Fati i “Lotit të 1” të Unazës së Madhe nuk do të zgjidhet edhe për ca kohë, ndërsa Autoriteti Kombëtar i Rrugëve sërish është shënjestruar për shpallje të padrejtë të fituesëve të tenderit pas ankimimit të atyre që nuk janë kualifikuar.

Komisioni i Prokurimit Publik ka rrëzuar një vendim tjetër të Komisionit të Vlerësimit të Ofertave të Autoritetit Rrugor Shqiptar që ka të bëjë me procedurën që lidhet me rehabilitimin e lotit të parë të Unazës së Madhe “Mbikalimi Pallati me Shigjeta – Rreth rrotullimi Shqiponja”, Loti I”, ku Komisioni i Vlerësimit të Ofertave ka skulaifikuar pesë kompani nga tetë që morën pjesë në procedurën e ofertimit.

Pasi tenderi i hapur u shpall në muajin korrik, në javën e parë të gushtit kompanitë janë njoftuar për statusin e tyre të kualifikimit dhe skualifikimit.

Dy nga operatorët e skualifikuar “Alb Building” sh.p.k. & “Euroteorema Peqin” sh.p.k. & “Liqeni VII” sh.a. & “Communication Progres” sh.p.k. dhe bashkimi i operatorëve ekonomikë “Salillari” sh.p.k. & “Bajrami N” sh.p.k nuk kanë qenë dakord me vendimin e ARRSH e cila ka kualifikuar “Vëllezërit Hysa”, Gener 2 dhe “Curri” sh.p.k. & “Alba Konstruksion” sh.p.k. e bashkimin e operatorëve ekonomikë “Vega” sh.p.k. & “Alko Impex General Construction” duke e çuar çështjen në KPP.

Komisioni i Prokurimeve Publike pasi mori në shqyrtim ankimimin, ka dolë me një vendim të përbashkët duke rrëzuar vendimin e Komsionit të Vlerësimit të Ofertave të ARRSH vetëm për bashkimin e operatorëve Salillari dhe Bajrami N.

Vendimi i KPP citon se ka vendosur të mos pranojë ankesën e paraqitur nga bashkimi i operatorëve ekonomikë “Alb Building” sh.p.k. & “Euroteorema Peqin” sh.p.k. & “Liqeni VII” sh.a. & “Communication Progres” sh.p.k. në procedurën e prokurimit “Procedurë e Hapur”. Fondi limit ishte 2.3 mld lekë (pa TVSH), ndërsa prokurimi u zhvillua në 22.07.2019, nga autoriteti kontraktor, Autoriteti Rrugor Shqiptar.

Në të njëjtën kohë ka vendosur të pranojë ankesën e paraqitur nga bashkimi i operatorëve ekonomikë “Salillari” sh.p.k. & “Bajrami N” sh.p.k., në procedurën e prokurimit.
“Autoriteti kontraktor të anulojë vendimin e KVO-së për skualifikimin e bashkimit të operatorëve ekonomikë “Salillari” sh.p.k. & “Bajrami N” sh.p.k. dhe të korrigjojë shkeljet e konstatuara si më sipër, duke e kualifikuar këtë operator ekonomik. Autoriteti kontraktor brenda 10 ditëve të vërë në dijeni Komisionin e Prokurimit Publik për zbatimin e vendimit, duke dokumentuar veprimet e kryera. Ngarkohet zyra e financës të kryejë veprimet për kthimin e tarifës financiare të paguar nga bashkimi i operatorëve ekonomikë “Salillari” sh.p.k. & “Bajrami N” sh.p.k” thuhet në vendim.

Autoriteti Rrugor Shqiptar shpalli hapjen e tre tenderëve me vlerë të përbashkët prej 40 milionë eurosh për ndërtimin e mbikalimeve në segmentin e Unazës së Re të Tiranës nga Pallati me Shigjeta deri te rrethrrotullimi "Shqiponja" më 2018-ën.


Qeveria shqiptare ka miratuar vitet e fundit me mekanizmin PPP projekte të përgjithshme me vlerë qindramilionë euro për ndërtim apo përmirësim rrugësh, pasi është përballur me kritika të thekshme për ngecjen e projekteve kryesore ndërtimore të viteve të fundit, të tilla si autostrada Tiranë-Elbasan, bypass i Fierit apo ai i Vlorës si dhe zvarritje të pafundme të punimeve në segmentet e nisura një dekadë më parë, si Nyja e Milotit apo segmenti Lin-Pogradec.

Por përpos financimit që është konsideruar me risk të lartë për buxhetin e shtetit nga organizmat ndërkombëtarë, disa projekte kanë rezultuar si skandale, siç është edhe ai që ka të bëjë me Lotin e 1 të Unazës së re. Fillimisht tenderi do të anulohej pasi autoritetet mësuan se kompania fituese kishte falsifikuar dokumentet e përfaqësimit në tender. Çështja shkoi për hetim në prokuroi, por përfaqësuesi i kompanisë mashtruese do të largohej nga Shqipëria pa arritur të ndalej nga policia duke u shpallur në kërkim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë