Drejtësia

Akuzohen se i morën pasurinë një biznesmeni, burg për 3 ish-policë në Elbasan

Gazeta Si – Prokuroria e Elbasanit ka kërkuar dhe gjykata ka caktuar masa sigurie ndaj tre ish-funksionarëve të shtetit, të dyshuar për përfshirje në një rast të shtrëngimit me anë të kanosjes dhe dhunës për përfitim pasurie.

Bëhet fjalë për personat G.A., K.H. dhe D.A., të cilët kanë mbajtur funksionet e Drejtorit të Agjencisë së Mbikëqyrjes Policore (AMP), Oficerit të Policisë Gjyqësore dhe Drejtorit të Policisë Bashkiake. Ndaj tyre janë ekzekutuar masat e sigurimit “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.

Sipas Prokurorisë, tre të dyshuarit akuzohen për veprën penale “Shtrëngimi me anë të kanosjes ose dhunës për dhënie pasurie”, kryer në bashkëpunim.

Hetimet kanë nisur pas referimit të materialeve nga Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK).

Nga veprimet hetimore të kryera deri tani, ekzistojnë dyshime të arsyeshme se ish-funksionarët, duke shfrytëzuar pozicionet e tyre zyrtare, kanë ushtruar presion ndaj A.B., administrator i një subjekti tregtar, për t’i marrë në mënyrë të padrejtë pasurinë. Sipas akuzës, veprimet janë kryer me qëllim shmangien e kontrolleve ndaj aktivitetit që administronte biznesmeni.

Prokuroria thekson se me këto veprime janë cenuar marrëdhëniet juridike që mbrojnë lirinë e personit dhe pronën private.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë