Lajme

Një histori e trazuar keq

Më 11 shtator të këtij vitit, Autoriteti Rrugor Shqiptar hapi garën për rikonstruksionin e aksit nga Pallati me Shigjeta tek Sheshi Shqiponja me gjatësi 2.34 kilometra. Aksi është pjesë e “Unazës së Madhe” dhe ishte ndarë me tre lote.

Shuma totale në pjatë për ndërtimin e tre loteve ishte plot 40 milionë euro. Rreth 18 milionë euro, pra thuajse gjysma e kësaj shume ishte ndarë për lotin e parë, 12.5 milionë euro të tjera për lotin 2 dhe 9 milionë euro për lotin e tretë. Kur komunikoi hapjen e garës, ARRSH tha se qeveria kishte planifikuar kryerjen e këtyre shpenzimeve në planin buxhetor afatmesëm nga 2018 deri në 2020.

Loti i parë parashikon ndërtimin e një nyjeje të trefishtë, pikërisht ku sot ndodhet Sheshi Shqiponja. Nyja do të shpërbejë si lidhje mes Unazës së Madhe, autostradës Tiranë Durrës dhe rrugës “Dritan Hoxha”. Në lotin e dytë përfshihet zgjerimi i urës me rreth 70 metra në pikën ku Lana pritet me Unazën e Re, por edhe dy nënkalime për të lidhur dy anët e rrugës. Në lotin e tretë projekti parashikon lidhjen me një rrugë me dy korsi të Rrugës së Kavajës me Unazën e Re.

Fituesit u shpallën në ditët e para të nëntorit. Biba X dhe DH Albania fituan lotin e parë, Salillari lotin e dytë dhe Victoria Invest, lotin e tretë. Projekti cenon banesat e dhjetra familjeve, me dhe pa dokumentacionin e pronësisë. Mes banorëve në fjalë kishin qarkulluar lajmet se rruga do t’u prishte pronat, por në protestë të organizuar u ngritën vetëm pasi u zyrtarizua si projekti, ashtu edhe kompanitë fituese.

https://www.facebook.com/damian.gjiknuri.official/videos/206909133539596/

Në një konferencë të përbashkët për shtyp, më 5 nëntor, ARRSH, ALUIZNI, Bashkia Tiranë dhe IKMT folën për rëndësinë e ndërtimit të këtij aksi për kryeqytetin dhe shpjeguan projektin me veprat që do të realizoheshin.

Partia Demokratike u radhit që në fillim në krah të banorëve, që protestonin çdo ditë duke bllokuar për 60 minuta aksin në vendin e njohur si “Astiri”. Deputetët e saj kërkuan fillimisht që banorët e prekur nga projekti të dëmshpërbleheshin plotësisht, me dhe pa letra. Por, shpejt opozita akuzoi se pas tenderave në fjalë qëndronin interesa të tjera të biznesmenëve pranë Qeverisë dhe vetë Kryeministrit Edi Rama.

“Skandali i aferës tek Unaza e Re thellohet edhe më shumë nga shpallja fituese e bashkimit të një kompanie guaskë, DH Albania, pronarët e së cilës janë të panjohur, me një kompani shqiptare, Biba X, që vazhdimisht ka qenë nën sekuestro për mosshlyerje borxhesh. Ky konsorcium ka fituar pjesën e luanit në tender, 18 milionë euro”, deklaronte zëdhënësja e PD-së, Ina Zhupa.

Por, Autoriteti Rrugor Shqiptar tha se projekti për rikualifikimin nga Pallati me Shigjeta deri tek Sheshi Shqiponja është transparent, zyrtar dhe se nuk ka kthim pas.

“Projekti është zyrtar dhe publik. Me zhvillimin e garës e cila gjithashtu ka qenë publike, janë përcaktuar firmat fituese që do zbatojnë projektin. Në përputhje me përcaktimet ligjore e nënligjore po veprohet në territor nga organet përkatëse të përfshira në proces si kordinim mes ARRSH, IKMT, Aluiznit, Bashkisë Tiranë”, thuhej në njoftimin e ARRSH.

Vetë Kryeministri Edi Rama ftoi banorët që t’i hapnin udhë ndërtimit të projektit dhe akuzoi Partinë Demokratike se po përdorte për qëllime politike protestën e tyre. “Mos u bëni mish për top”, shprehej Kryeministri më 23 nëntor.

Megjithatë, opozita këmbëngulte nga ana tjetër se tenderi në fjalë ishte korruptiv dhe në shënjestër të saj ishte pikërisht kompania “DH Albania”. Deputeti Agron Shehaj zbardhi i parë dokumentacionin e dyshimtë të saj. Ai publikoi në rrjetet sociale dokumentacionin që tregonte se kompania, ndryshe nga sa përshkruhej si një kompani me përvojë prej 2 dekadash në fushën e infrastrukturës rrugore dhe energjitike, kompania në fjalë ishte krijuar vetëm 3 muaj para tenderit në shtetin e Delauerit në SHBA, vend i njohur si parajsë fiskale.

https://www.facebook.com/agronshehaj.al/photos/a.105473546713358/318602322067145/?type=3&theater

“Edi Rama t’u thotë shqiptarëve se kush është personi që do të përfitojë 20 milionë eurot e projektit të Unazës së Re. Nëse nuk e tregon, do të thotë se është i vërtetë informacioni se pronari i kësaj kompanie është vetë Edi Rama”, shkruante deputeti i PD-së në datë 27 nëntor.

Pavarësisht këtyre akuzave, ARRSH, Bashkia Tiranë dhe institucionet e tjera të përfshira drejtpërdrejtë dhe tërthorazi në këtë projekt kishin nisur punën në terren. U hoqën me shpejtësi pemët dhe ndriçimi, e po ashtu edhe trafikndarësja, pavarësisht protestave të banorëve.

Gjërat morën një tjetër rrjedhë më 6 dhjetor, kur emisioni “Të Paekspozuarit” publikoi një letërkëmbim me zyrën e Sekretarit të Shtetit të Delauerit, që nxirrte në pah falsifikimin e dokumentacionit nga ana e DH Albania. Kjo kompani kishte depozituar në Qendrën Kombëtare të Biznesit në Shqipëri, një letër nga Sekretari i Shtetit të Delauere, Jeffrey Bullock, për të vërtetuar se kompania është themeluar në vitin 1998. Pyetja që iu drejtua zyrës së Sekretarit ishte nëse ishte autentik dokumentacioni në fjalë apo jo.

“Pas konsultimit me Departamentin e Korportave të Delaware, unë mund t’ju deklaroj se dokumentat që ju na keni dërguar, nuk janë autentike dhe nuk e kanë origjinën nga zyra e Sekretarit të Shtetit të Delaware. Nga të dhënat e gjurmimit të brendshëm, nuk u gjet asnjë dokument për vërtetimin e gjendjes së entitetin në Delaware të cilit i referoheni (Dunwell Haberman LLC), që të jetë lëshuar në datën ose rreth datës së shënuar në dokument. Për më tepër, vërtetimet për gjendjen e kompanive të cilat Departamenti i Korporatave lëshon, nuk kanë përmbajtje të njëjtë me dokumentat të cilat na keni dërguar. Gjithashtu, dokumentat që ju na keni paraqitur, theksojnë se Dunwell Haberman LLC, është krijuar në 25 Qershor 1998. Të dhënat e Departamentit të Korporatave, tregojnë se ky entitet është krijuar në 25 Qershor 2018, sipas të dhënave publike, bashkëngjitur kësaj letre. Datat dhe numrat e verifikimit, gjithashtu janë ndryshuar në disa vende në dokumentat që ju keni dërguar. Brenda mundësive tuaja, ju lutem më dërgoni informacion lidhur me burimin e këtij informacioni mashtrues. Faleminderit për kërkesën tuaj”, ishte përgjigja e plotë që mbante e Doug Denison, drejtues i marrëdhënieve me komunitetin pranë Sekretarit të Shtetit të Delauerit.

Pak ditë pas këtij lajmi, emri i “DH Albania” doli sërish në skenë. Këtë herë bëhej fjalë për marrjen e një tenderi me vlerë rreth 12 milionë euro për ndërtimin e linjës 220 kilovolt Burrel-Peshkopi. Kontrata ishte lidhur në fillim të nëntorit me Operatorin e Sistemit të Shpërndarjes. Menjëherë pas këtij lajmi, OST e pezulloi kontratën, ndërsa vetë ministri i Energjitikës dhe Infrastrukturës, Damian Gjiknuri mohoi se ishte në dijeni të këtyre aferave korruptive dhe kërkoi nga prokuroria që të hetojë “DH Albania”.

Ministri i Energjitikes dhe Infrastruktures, Damian Gjiknuri

“Deklaroj me përgjegjësinë time të plotë, nuk kam asnjë lidhje me këtë aktivitetet kriminal. Pas marrjes së këtij konfirmimi me SHBA-të, ARRSH ka zgjidhur menjëherë kontratën. Materialet e ardhura nga SHBA do t’i referohen Prokurorisë Shqiptare. Siguroj shqiptarët që buxheti i shtetit nuk ka asnjë humbje pasi nuk është bërë asnjë pagesë. Hapat e marra nga ARRSH për tenderimin kanë qënë në përputhje me legjislacionin”, tha ai.

Ministri i Infrastrukturës tha gjithashtu se pritej konfirmimi zyrtar nga SHBA, por Zëri i Amerikës publikoi një artikull, sipas të cilit nuk kishte nevojë pse të pritej për konfirmimin e SHBA. Indiciet e publikuara në artikullin në fjalë të çonin tek biznesmeni shqiptar, Bashkim Ulaj.

Si përfaqësues i “DH Albania”, kompanisë që në dy tendera fitoi 30 milionë euro rezulton shtetasi Avdjol Dobi, 26-vjeç. Zëri i Amerikës thotë se 26-vjeçari dhe persona të tjerë që kanë firmosur në dokumentacionet e dorëzuara nëpër gara tenderimi nga kjo kompani janë ose persona të afërt me Bashkim Ulajn, ose punonjës të “Gener 2”, kompanisë në pronësi të tij.

Abba Bussines Center ne pronesi te Bashkim Ulajt

Në nëntor, Avdjol Bido e ka transferuar adresën e tij në kullën “ABA Business Center”, në pronësi të Bashkim Ulajt. Zëri i Amerikës ka mësuar se Dobi ka lidhje familjare me biznesmenin Ulaj. I pyetur në telefon nga Zëri i Amerikës, Bashkim Ulaj nuk pranoi të përgjigjet, duke thënë se ishte i zënë. Po ashtu, deri në momentin që u publikua ky artikull nga Zëri i Amerikës, ai nuk kishte kthyer përgjigje për mesazhet ose e-mailet me të njëjtën kërkesë.

Gjithashtu, bilanci i kompanisë Dunwell Haberman, i dorëzuar në Qendrën e Regjistrimit të Bizneseve, rezulton të jetë përkthyer nga zonja Shenda Kruja, e cila nuk figuron në listën e përkthyesve zyrtarë, të miratuar nga Ministria e Drejtësisë. Ajo rezulton në rrjetet sociale si specialiste pranë kompanisë GENER 2 të Bashkim Ulajt.

Së fundmi, drejtuesi i emisionit “Të Paekspozuarit”, Ylli Rakipi deklaroi se ka marrë mesazhe kërcënuese për jetën pas publikimit të dokumentave të falsifikuara, që u përdorën nga kompania “DH Albania” për të fituar tenderin tek Unaza e Re. Ai thotë se i ka referuar materialet organeve kompetente, ndërkohë që për ngjarjen reagoi edhe Presidenti Meta dhe Partia Demokratike.

Meta e takoi personalisht Rakipit dhe u bëri thirrje “institucioneve ligjzbatuese të hetojnë me përgjegjësi maksimale këtë rast me qëllim ndëshkimin e merituar të autorëve”. Për Partinë Demokratike “pas kërcënimit ndaj Ylli Rakipit qëndron vetë Kryeministri Edi Rama”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë