Nga Gazeta ‘Si’- Shqiptarët kanë qarkulluar më shumë se 950 mld lekë online, për katër muajt e parë të vitit. Vetëm në prill janë regjistruar rreth 270 mld lekë transaksione, 3% më shumë se në mars.
Sipas shifrave nga Banka e Shqipërisë, nga janari në prill 2026 janë kryer mbi 4 milionë transaksione, përfshirë transfertat, blerjet e pagesat.
Shifrat tregojnë se shqiptarët po përqafojnë shpejt teknologjinë financiare, ndonëse nga ana tjetër edhe paraja cash vijon të mbetet favorite.
Sipas Anketës së Përdorimit të Teknologjisë së Informacionit, të publikuar në dhjetor 2025, përdorimi i internetit për tregti vazhdon të rritet. Më shumë se 45 përqind e shqiptarëve kanë kryer të paktën një blerje online gjatë 12 muajve të fundit, një rritje me tre pikë përqindje krahasuar me vitin e mëparshëm.
Produktet më të blera online mbeten rrobat dhe shërbimet e dërgesës së ushqimit, të cilat dominojnë tregun me përkatësisht 97 dhe 61 përqind të preferencave.
Përveç blerjeve, edhe aktivitete të tjera në internet kanë shënuar rritje të ndjeshme. Kërkimi i informacionit për mallra dhe shërbime është rritur me 10.7 pikë përqindje, përdorimi i shërbimeve e-banking me 7.7 pikë përqindje, ndërsa rrjetet sociale me 5.7 pikë përqindje. Të dhënat tregojnë një varësi gjithnjë e më të madhe të qytetarëve nga shërbimet digjitale.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje