Ngjarje

Fantazma “DH Albania” u parapagua për tenderat, por ku janë paratë

Në të njëjtat ditë kur shpallej fituese e tenderit me vlerë rreth 18 milionë euro për ndërtimin e lotit 1 të Unazës së Madhe, në aksin nga Pallati me Shigjeta tek Sheshi Shqiponja, kompania fantazme “DH Albania” fitonte edhe një tender tjetër si degë e kompanisë mëmë, “Dunwell Haberman”.

Ishte tenderin e për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 220 kV, Burrel-Peshkopi. Shuma me të cilën kompania u shpall fituese ishte rreth 11 milionë euro. Por, pasi shpërthu skandali se “Dunwell Haberman” kishte falsifikuar firmën e Sekretarit të Shtetit të Delauerit, Operatori i Sistemit të Transmetimit anuloi kontratën.

Megjithatë, anulimi i kontratës ka ndodhur vonë. Gazeta SI mësoi nga burime të sigurta se OST ka derdhur në arkat e “DH Albanias” 2.4 milionë euro, ose 20 për qind të vlerës totale të tenderit në bazë dhe sipas parashikimeve të kontratës. Por tani që kontrata është anuluar, asnjë burim zyrtar nuk na ka kthyer përgjigje se çfarë do të bëhet më këtë shumë. Humbën? U përftuan padrejtësisht nga kompnia që falsifikoi tenderat dhe është në hetim, apo do të kthehen mbrapsht në arkën e kompanisë publike?

Nga investigimi i kësaj çështjeje kemi zbuluar gjithashtu se ka një tjetër shkelje e rëndë . Transaksioni, pra derdhja paraprake e shumës në emër të DH Albania është kryer pa u lidhur kontrata me Operatorin e Sistemit të Transmetimit, si autoriteti kontraktues, i cili ka bërë edhe pagesën.

Kontrata rezulton e lidhur me 31 tetor 2018, nderkohe qe derdhja e 2.4 mln eurove eshte kryer ne fillim te muajit tetor

Aktualisht të dy tenderat e anuluar janë nën hetim nga ana e prokurorisë. Burime nga organi i akuzës thonë se 2.4 milionë eurot i janë kthyer mbrapsht OST-së, por pa dhënë më tepër detaje. Kthimin e parave e pohojnë në mënyrë konfidenciale për gazetën “Si” edhe burime të tjera pranë OST.

“Pagesa është kthyer, por kohën kur është kthyer nuk mund ta them përsa kohë nuk jam njohur me dokumentacionin. Por, pagesa është kthyer”, na tha një anëtar i Këshillit Mbikëqyrës të OST-së pa dashur të zbuloj publikisht emrin.

Edhe anëtarët e tjerë në thelb pohojnë të njëjtën gjë, që pagesa është kthyer. E përbashkëta e të gjitha pohimeve është se askush nuk është në gjendje të thotë kohën se kur janë kthyer këto para dhe as kush i ktheu ato, në një kohë që administratori i kompanisë “DH Albania”, 26-vjeçari Avdjol Dobi ka humbur gjurmët dhe policia po e kërkon.

Si përfaqësues i kompanisë, 26-vjeçari është personi që hedh firmën e fundit në një transaksion të tillë. A mund të ketë firmosur ai kur i fshihet drejtësisë dhe nëse po si ka mundësi të ndodhin gjithë këto veprime ligjore dhe prokuroria nuk ka asnjë gjurmë? Të pyetur nga gazeta “Si”, zyrtarë të OST-së nuk mund të konfirmojnë nëse Dobi ka firmosur kthimin e parave para se të humbte gjurmët.

Projekti i Unazes se Re

Si për tenderin e Unazës së Madhe, ashtu edhe për atë të interkonjeksionit, justifikimi ishte i koordinuar mes Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Operatorit të Sistemit të Transmetimit. Të dyja këto institucione, që janë në varësi të Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë u mbrojtën duke thënë se nuk mund të verifikonin origjinalitetin e dokumentave të dorëzuar nga “DH Albania” në tendera.

Veç kësaj shume, në lojë janë edhe paratë e siguracioneve. Përmes një shkrese që mban datën 11 dhjetor, OST u është drejtuar zyrtarisht kompanive të sigurimit duke u kërkuar konfiskimin e shumës prej 144.7 milionë lekë që “DH Albania” ka depozituar për sigurimin e kontratës në tenderin e linjës së transmetimit Burrel-Peshkopi. Në total, garancia financiare që DH Albania ka qenë e detyruar të depozitojë për të dy tenderat është 414.2 milionë lekë, ose rreth 3.4 milionë euro. OST dhe ARRSH janë të bindura se sigurimi i kontratave do të konfiskohet plotësisht, por deri më tani kjo nuk ka ndodhur.

Dyshimet për kompaninë “Dunwell Haberman” i hodhi fillimisht opozita. Deputeti Agron Shehaj publikonte në rrjetet sociale një faksimile të dokumentacionit regjistruar të “Dunwell Haberman” në shtetin e Delauerit në SHBA, i njohur si parajsë fiskale. Në dokumentin e publikuar nga Shehaj, kjo kompani rezultonte e krijuar më 25 qershor të 2018, pra më pak se 3 muaj nga hapja e garës për dy tenderat.

Por, në dokumentacionin e dorëzuar pranë ARRSH për Unazën e Madhe dhe OST për tenderin e interkonjeksionit Burrel-Peshkopi thuhej se “Dunwell Haberman” ishte regjistruar në SHBA që në vitin 1998, se kishte një përvojë të gjatë në fushën e infrastrukturës rrugore e energjitike dhe një staf mbi 3500 punonjës në të gjithë botën.

https://www.facebook.com/agronshehaj.al/photos/a.105473546713358/318602322067145/?type=3

Dyshimet e hedhura nga Agron Shehaj u konfirmuan pak ditë më vonë nga emisioni “Të Paekspozuarit”, që kontaktoi me zyrën e Sekretarit të Shtetit të Delauerit për autenticitetin e dokumentacionit të dorëzuar nga “Dunwell Haberman”.

“Dokumentat që ju na keni dërguar nuk janë autentike dhe nuk e kanë origjinën nga zyra e Sekretarit të Shtetit të Delaëare. Vërtetimet për gjendjen e kompanive të cilat Departamenti i Korporatave lëshon, nuk kanë përmbajtje të njëjtë me dokumentat të cilat na keni dërguar. Gjithashtu, dokumentat që ju na keni paraqitur, theksojnë se Dunwell Haberman LLC, është krijuar në 25 Qershor 1998. Të dhënat e Departamentit të Korporatave, tregojnë se ky entitet është krijuar në 25 Qershor 2018, sipas të dhënave publike, bashkëngjitur kësaj letre. Datat dhe numrat e verifikimit, gjithashtu janë ndryshuar në disa vende në dokumentat që ju keni dërguar”, shkruhet në përgjigjen që Departamenti i Shtetit të Delauerit.

Këtij departamenti iu dërgua për verifikim edhe akti i themelimit të kompanisë dorëzuar në QKB, ku sërish pretendohet se data e themelimit të kompanisë është 25 Qershor 1998. Përgjigja e zyrtarëve të Departamentit të Shtetit të Delaëare, qe e njëjtë. Edhe ky dokument ishte falsifikuar, së bashku me bilancet financiare të rreme të viteve 2015, 2016 dhe 2017 të dorëzuara në QKB, ndërkohë që është themeluar në qershor të vitit 2018.

Hetimet nisën në SHBA, ndërkohë që kompania nisi me shpejtësi të zhdukë gjurmët e saj. Numri i kontaktit i dorëzuar në dokumentacionin e regjistrimit në QKB të “DH Albanias” del i fikur, e po ashtu lidhja www.dunwellhaberman.com, e vendosur si pikë kontakti. Sot, klikimi i këtij linku të çon në një faqe që nuk ekziston dhe që është në shitje si domain.

Gazeta “Si” kontaktoi edhe me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë për këtë temë, por pyetjet tona nuk kanë marrë ende një përgjigje nga ky institucion.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë