Gazeta Si – Në seancën e mbajtur këtë të premte në Gjykatën Administrative për padinë e Erion Veliajt kundër dekretit të presidentit për emërimin e Ols Dados si prokuror, kryebashkiaku i Tiranës u përfshi në debate me avokatin mbrojtës të të kallëzuarit nga ai.
Pas rreth një ore nga nisja e saj, gjyqtari vendosi ta shtyjë seancën për në datën 3 korrik. Sapo mori fjalën, Veliaj u ankua se ishte larguar padrejtësisht nga detyra e tij dhe se kryeqyteti drejtohej nga njerëz që nuk janë zgjedhur me votë.
Sipas tij, edhe presidenti i asaj kohe, Bamir Topi kishte dalë hapur duke pranuar se dekreti i tij kishte qenë një ‘’qokë’’.
“Po të isha në vendin tuaj, do të isha i shqetësuar që përfaqësuesja e KLP-së gënjeu hapur. Minimalisht, ju duhet t’u tërhiqni vëmendjen institucioneve shtetërore. Kemi arritur në ditën kur përfaqësuesja e një institucioni të lartë të drejtësisë gënjen hapur. Për diplomën me pesa të të akuzuarit, unë jam sot 500 ditë larguar nga detyra nga një noter me pesa. Nuk po flas më për veten time, sepse nuk kërkoj mëshirë nga askush”.
Veliaj iu drejtua avokatit të Ols Dados: “Mos qeshni”. Ndërsa ai, i ktheu përgjigje: “Unë nuk po qesh, s’ka asgjë për të qeshur”.
Veliaj akuzoi Ols Dadon si një prokuror të paligjshëm që i ka shkatërruar jetën, duke thënë se as nuk denjon të vijë në gjyq.
Kryebashkiaku thotë se është 500 ditë i pezulluar nga detyra nga një prokuror me 5 (nota), ndërsa ngriti pyetjen se kush po i menaxhon shërbimet publike në kryeqytet.
“Pas 500 ditësh, Olsi Dado nuk denjon të vijë. Ju e dini që ai e ka marrë shkollën me pesa. Nuk ka asnjë dosje. Është qokë. Edhe Bamir Topi doli dhe tha hapur se bëhej fjalë për një qokë. Kush i pastron plehrat? Janë bërë mullar, aq sa shoh nga dritaret e autobusit. Kush i ndërton kopshtet? Sot Tirana po drejtohet nga njerëz që nuk i ka votuar askush. Ktheni solemnitetin e procesit. Ju jeni zoti i seancës. Si qenka KLGJ-ja? Atëherë, kot që jemi këtu. Nëse KLP thotë se kemi bërë prokuror noterin me pesa që shkatërroi jetën e një njeriu, kush e përfaqëson tani KLP-në? Askush nuk është mbi ligjin, por askush nuk duhet të mbetet pa mbrojtjen minimale që të jep ligji.”, u shpreh Veliaj.
Gjykata Administrative refuzoi sërish kërkesat e gazetarëve për transmetimin apo regjistrimin e seancës live në procesin e padisë së Veliajt kundër Ols Dados.
Gjykata thotë se vendimi i gjyqtarit Hazbi Balliu për të mos lejuar transmetimin e seancës live është marrë më 8 maj dhe është ende në fuqi.
Në fillim të seancës, avokati i Veliajt, Plarent Ndreca kritikoi Gjykatën që nuk lejoi që seanca të jetë publike. “Çfarë do një police e Policisë së Shtetit në këtë sallë gjyqi? Çfarë do kryesekretarja e Gjykatës që vendos apo jo për lejimin e kamerave? Mbyllja hermetike e një gjykate, referuar Kushtetutës, ky proces duhet të jetë në sytë e publikut. Kjo është e papranueshme i nderuar gjyqtar. Ka një udhëzim të KLGJ, që ju e përdorni si bazë ligjore”, tha Ndreca.
Veliaj ka kërkuar që Dado të shpallet i paligjshëm si prokurori i çështjes ndaj tij, i marrë si i pandehur nga SPAK për korrupsion dhe pastrim parash, duke kundërshtuar veprimet procedurale të ndjekura në hetim.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje