Nga Gazeta ‘Si’- Qeveria ka arkëtuar 340.5 miliardë lekë gjatë periudhës janar-maj 2026, duke regjistruar një rritje prej 34.3 miliardë lekësh ose 11.2% krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Të ardhurat tejkaluan planin e pesëmujorit me 5.3%, sipas të dhënave paraprake të treguesve fiskalë.
Pjesa më e madhe e të ardhurave erdhi nga Tatimet dhe Doganat, të cilat mblodhën 215.5 miliardë lekë, 1.9% mbi planin dhe 5.9% më shumë se një vit më parë. Administrata tatimore arkëtoi 120.3 miliardë lekë, me një rritje prej 8.6%, ndërsa të ardhurat nga TVSH-ja neto në vend u rritën me 17.6%, duke arritur në 35.8 miliardë lekë. Edhe tatimi mbi të ardhurat personale shënoi një rritje të fortë prej 18.1%, duke arritur në 40.2 miliardë lekë.
Ndërkohë, të ardhurat nga sigurimet shoqërore dhe shëndetësore arritën në 82.9 miliardë lekë, 12.8% më shumë krahasuar me pesëmujorin e parë të vitit 2025. Të ardhurat e mbledhura nga administrata doganore u realizuan në 95.2 miliardë lekë, me një rritje prej 2.7%.
Nga ana e shpenzimeve, qeveria shpenzoi 286.8 miliardë lekë në pesë muajt e parë të vitit, ose 7.4% më shumë se në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar. Shpenzimet korente arritën në 260.9 miliardë lekë, ndërsa ato kapitale, të lidhura kryesisht me investimet publike, u realizuan në 25.9 miliardë lekë, me një rritje prej 9.4% në bazë vjetore.
Të dhënat tregojnë se ritmi i mbledhjes së të ardhurave ka qenë më i lartë se ai i shpenzimeve gjatë pesëmujorit të parë të vitit, duke konkluduar një suficit buxhetor prej rreth 53.7 miliardë lekësh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje