Ngjarje

Teatri u shemb pa një projekt përfundimtar për godinën e re

Bashkia e Tiranës shembi godinën e Teatrit Kombëtar pa patur një projekt përfundimtar për godinën e re. Ajo që kryebashkiaku Erion Veliaj paraqiti para Këshillit Bashkiak ditën e hënë ishte projekt-ideja, e prezantuar që me tenderin e parë dhe e hartuar nga arkitekti, Bjarke Ingels.

Kjo projekt-ide është zhvilluar nga arkitekti danez me porosi të kompanisë “Fusha Shpk”, që shfaqi ofertën e pakërkuar për të ndërtuar godinën e re të Teatrit Kombëtar me paratë e saj, në këmbim të lejes për të ndërtuar kulla dhe ambiente biznesi në pjesën tjetër të truallit publik.

Gjatë prezantimit të projektit përmes një videoje në mbledhjen e Këshillit Bashkiak, vetë Veliaj shkruan tekstualisht: “Një prezantim i detajuar për Këshillin Bashkiak lidhur me projektin e Teatrit të Ri Kombëtar, si dhe njoftimin e dy projektvendimeve të rëndësishme për biznesin e bareve dhe hotelerisë në Tiranë”.

Pak, orë më vonë i ftuar në emisionin “Opinion”, Veliaj e pranon se projekti i prezantuar prej tij është ai që më herët kishte prezantuar kompania “Fusha”, por ndryshe nga sa paraqiti para Këshillit Bashkiak foli për një projekt-ide të padetajuar dhe që do të detajohet në tre muajt e ardhshëm përmes një konkursi ndërkombëtar.

Ajo që kryebashkiaku Erion Veliaj prezantoi para Këshillit Bashkiak ishte përmbledhja e video-prezantimit të godinës së teatrit të ri kombëtar në mars të 2018 nga ana e arkitektit danez, Bjarke Ingels dhe në prani të Kryeministrit Edi Rama.

Gjatë intervistës në “Opinion” Veliaj e pranoi se projekti që prezantoi para Këshillit Bashkiak është porositur nga firma “Fusha shpk” tek studioja e Bjarke Ingels dhe bashkë me projektin për teatrin edhe atë për kullat tregtare që do të ndërtoheshin pranë Teatrit.

Veliaj tha se për këtë projekt, Bashkia nuk ka paguar vetë dhe mbetet e paqartë se përse dhe si kompania “Fusha”, si porositëse dhe paguese e tij do t’ja dhurojë Bashkisë së Tiranës. Kjo ka nxitur akuza se bashkia nuk ka një projekt zyrtar të miratuar sipas procedurave ligjore. Por, Veliaj këmbëngul që po, dhe thotë se projekti në fjalë do t’i nënshtrohet detajimit dhe për këtë do të hapet një konkurrim ndërkombëtar brenda tre muajve, ndërsa brenda vitit do të nisë ndërtimi i godinës së re. Pra, fituesit, apo fituesi i konkurrimit që do të çelet do të duhet të punojnë mbi projektin e Bjarke Ingels.

Sa i takon kostos së investimit, nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku deklaroi shifrat nga 20 deri në 28 mln euro, ndërsa kryebashkiaku Veliaj thotë se bashkë me koston e blerjes së projektit nuk kalon 30 mln eurot.

Kryebashkiaku i Tiranës nuk përjashtoi gjithashtu as mundësinë që në truallin e teatrit, që tashmë i ka kaluar Bashkisë së Tiranës të ndërtohen kulla. Veliaj tha se ai ishte një projekt tjetër që ende nuk kishte nisur dhe se “askush nuk mund ta pengojë Bashkinë e Tiranës” që të zhvillojë pronat që ajo zotëron”.

Për teatrin…dy ligje në Kuvend

Mazhoranca shpërfili akuzat e opozitës dhe kundërshtimin e një pjese të aktorëve, regjisorëve e shoqërisë civile duke kaluar në korrik të me forcën e kartonëve projektligjin e veçantë për teatrin e ri kombëtar.

Karikaturë e gazetës Si. maj 2020

Projektligji, për të cilin u bënë bashkë qeveria, bashkia dhe parlamenti parashikonte shembjen e godinës ekzistuese dhe ndërtimin e një godine të re sipas projektit të arkitektit danez, Bjarke Ingels, i parashtruar për publikun që në muajin mars të 2018. Po në këtë muaj, Kryeministri Edi Rama bëri publike planet e qeverisë për të ndërtuar teatrin e ri sipas skemës partneritet publik-privat.

Sipas projektit, teatri i ri do të ndërtohej në një sipërfaqe më të vogël trualli nga teatri ekzistues. Sipërfaqja reduktohet në favor të kompanisë Fusha Sh.p.k. Kjo kompani private zotëron 298 metra katrorë truall në krah të truallit të Teatrit ekzistues, ose rreth 3 për qind të sipërfaqes së përgjithshme ku do të ndërtohet.

Qeveria deklaronte se kostoja e ndërtimit të një teatri të ri shkonte në 30 milionë euro, para që thotë se nuk i ka, ndaj si zgjidhje shihet investimi privat përmes këtij ligji. Qeveria thotë se shqiptarët harxhojnë zero lekë nga taksat e tyre sipas kësaj skeme. Por, ajo që humbet është prona publike e Teatrit Kombëtar.

Në propozimin e pakërkuar të firmës Fusha Sh.p.k, zona e propozuar për zhvillim përbëhet nga 8465 metra katrorë tokë e mbetur publike dhe 1303 metra katrorë tokë private. Sipas propozimit të kompanisë “Fusha”, 40 për qind e tokës do të jetë “vetëm për teatrin e ri kombëtar”, ndërsa 60 për qind për “ndërtimet me karakter komercial”. Projekti parashikon ndërtimin e dy kateve nëntokësore në të gjithë sipërfaqen e tokës për realizimin e 20,400 metrave katrorë parking. Përveç parkingut, kompania planifikon ndërtimin e 68 mijë metrave katrorë mbi tokë.

Pavarësisht protestave të opozitës dhe komunitetit të artistëve, Kryeministri Edi Rama nuk u tërhoq dhe tha se teatri ekzistues do të shembet dhe godina e re do të ngrihet. Plani vazhdoi dhe në Parlament u votua mes trazirave dhe protestës së opozitës projektligji special për Teatrin Kombëtar me 75 vota pro.

Ligji iu dorëzua Presidentit Ilir Meta për dekretim, ndërsa opozita u ankua në Komisionin Europian me argumentin se ky akt shkelte marrëveshjen e stabilizim-asociimit. Në gusht, Ilir Meta e ktheu për rishqyrtim në Parlament. Edhe pas refuzimit të Presidentit, mazhoranca u shpreh e vendosur për ta kaluar ligjin dhe caktoi si datë shqyrtimi fillimisht 13 shtatorin dhe më vonë e shtyu për më 20 shtator.

Nëse Presidenti, opozita, artistët dhe shoqëria civile nuk e tundën qëndrimin e mazhorancës për këtë ligj, përgjigja e Komisionit Europian përmes një letre luhati shumicën nga pozicioni i saj fillestar. Në letrën e Komisionit, firmosur në atë kohë nga Shefja së Njësisë për Shqipërinë dhe Bosnje-Hercegovinën në Drejtorinë e Përgjithshme për Politikat Europiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Michela Matuella thuhet se deri në këtë fazë, ligji nuk shkel marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit.

Por, një shkelje KE e ka gjetur dhe ajo ka të bëjë me garën në prokurimin publik.

“MSA kërkon garantimin e një gare të hapur dhe procedura transparente për kompanitë që shfaqin interes për ndërtimin e teatrit të ri. Komisioni mirëpret gatishmërinë e qeverisë shqiptare për të amenduar ligjin special me synim hapjen e garës”, thuhet në letër. Mungesa e garës në tenderim ishte theksuar si mangësi e ligjit special edhe në dekretin e Presidentit Ilir Meta.

Mazhoranca ndërhyu në ligj duke hapur garën, që në muajin shkurt të këtij viti duhej të prodhonte një fitues. Por, kompania private u tërhoq nga ky projekt dhe arsyeja, sipas kryebashkiakut Erion Veliaj kishin qenë kërkesat e artistëve për një skenë të lëvizshme, kusht që privati nuk kishte pranuar të realizonte.

*Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji*


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë