Ngjarje

Të shembet, a të mos shembet…

Të shembet, a të mos shembet? Kjo është çështja! Dilema shekspiriane “të rrosh, a të mos rrosh” prej dy vitesh ka marrë këtë trajtë në Tiranë dhe skena ku po luhen njëri pas tjetrit aktet nuk është vetëm brenda katër mureve të Teatrit Kombëtar, por edhe në dyert e drejtësisë.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit dorëzoi dy padi. Një në Prokurorinë e Tiranës, ku akuzonte inxhinierë dhe arkitektë të Institutit të Ndërtimit se kanë hedhur firmën në dokumentin e përdorur nga Bashkia e Tiranës për shembjen e godinës pa e inspektuar këtë godinë në terren. Padia e dytë u dorëzua tek Prokuroria e Posaçme dhe në të akuzohen drejtuesit e Bashkisë së Tiranës për shpërdorim detyre.

Aleanca beson se vendimi i Këshillit Bashkiak të Tiranës, përveçse është marrë në kundërshtim me ligjin për vetëqeverisjen vendore, është edhe tejkalim i rëndomtë i kompetencave. Paditë u dorëzuan thuajse njëkohësisht në të dyja prokuroritë. Prokuroria e Tiranës nuk ka dalë ende me një një njoftim zyrtar për këtë padi, ndërsa nga SPAK mësohet se çështja është nën hetim.

Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit shpreson që me këto padi në prokurori, të paktën të shtyhet ndërhyrja e mundshme me forcë e autoriteteve për prishjen e Teatrit dhe në fund, pse jo edhe të fitojnë luftën e nisur dy vite më parë për ta ruajtur këtë objekt.

Paralelisht me paditë në organet e drejtësisë, artistët dhe pjesëtarët e shoqërisë civile të grumbulluar nën ombrellën e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit kanë përforcuar në terren vijën mbrojtëse kundër shembjes së godinës, duke u bërë thirrje qytetarëve që t’u bashkohen. Thirrjes iu përgjigjen banorët e Unazës së Re, që pronat e të cilëve cenohen nga projekti i zgjerimit të rrugës.

Banorë të Unazës së Re gjatë protestës së të premtes në mbrojtje të Teatrit Kombëtar. Gazeta Si, maj 2020

Gazeta “Si” kontaktoi me një pjesë të mbrojtësve të Teatrit. Ata thonë se godina është pjesë e identitetit të Tiranës dhe e identitetit kombëtar dhe hedhin poshtë çdo pretendim tjetër.

“Në këtë skenë janë ngjitur emra të mëdhenj të aktrimit, një pjesë e të cilëve sot nuk jetojnë më. Ruajtja e kësaj godine është më e pakta që mund të bëjmë për t’i nderuar”, deklarojnë ata.

Kundër prishjes është shprehur edhe dramaturgu nga Kosova, Jeton Neziraj. Kontaktuar nga gazeta “Si”, ai flet për një demostrim arrogant force nga ana e pushtetit, totalisht të pajustifikueshëm dhe me simptoma autokracie.

“Mendoj që argumentet për ruajtjen e atij teatri kanë dominuar dhe janë argumente bindëse, shto edhe që, ky është vullnet i një grupi të madh artistësh e qytetarësh, vullnet që medoemos duhet respektuar, e jo të shihet me armiqësi. Në këtë kontekst, nuk shoh arsye përse duhet rrënuar ai teatër”, thotë Neziraj.

AMT hedh poshtë pretendimet që godina është e degraduar dhe si shembull sjellin tërmetin e 26 nëntorit të vitit të kaluar. Ata thonë se Teatri Kombëtar nuk pati asfarë dëmtimi nga lëkundjet.

“Ndjehem shumë i emocionuar për atë që po ndodh me teatrin tonë. Megjithëse kam folur nja dy herë e ndjej si detyrim që t’i them edhe dy fjalë. Nuk ka gjë më të turpshme se kjo që po ndodh, por më shumë sesa turp është krim, i atyre që thonë që unë jam mbret dhe bëj çfarë të dua. Ata do të mbyten në të keqen e tyre. Jam me ju! Ne do të fitojmë!”, ishte video-mesazhi që u përçua nga Gulielm Radoja nga Durrësi për pamundësi fizike për të qenë në protestë.

Por, krejt ndryshe mendojnë një pjesë e kolegëve të tyre, gjithashtu emra me peshë të skenës dhe kinematografisë. Viktor Zhusti, Robert Ndrenika, Lufta Paja, Artan Imami e të tjerë janë firmëtarët e një peticioni që i kërkojnë politikës të mos i bëjë pjesë të lojës së tyre, por t’u japë një teatër dinjitoz.

Gazeta “Si” kontaktoi me regjisorin Edmond Budina, një prej zërave më me peshë që është rreshtuar kundër shembjes së godinës. Budina nuk e komentoi peticionin e kolegëve të tij, duke deklaruar se për këtë dhe të gjitha arsyet se përse teatri nuk duhet shembur është shprehur në të shkuarën dhe do të shprehet edhe në vazhdim.

Çfarë po mbrohet dhe çfarë kërkohet që të prishet?

Historia e godinës së Teatrit Kombëtar është më komplekse se vetë beteja për shembjen, apo restaurimin e tij. I hapur në vitin 1939 në skenën e tij janë luajtur shumë ngjarje historike, artistike, akademike e deri tek dramat politike, siç ishte përdorimi i sallës për gjyqet dhe ndëshkimet politike nga 1945 deri në 1947.

Mbrojtësit e mosshembjes së godinës e pohojnë se ajo duhet ruajtur edhe si trashëgimi urbane historike e Tiranës, por edhe si kujtesë historike për krimet e diktaturës, për shkak se aty u zhvilluan gjyqet e para speciale. Aleanca për Mbrojtjen e Teatrit kujton vendimin e marsit të agjencisë “Europa Nostra”, që e përfshiu në listën e 7 objekteve më të rrezikuara në Europë. Përfshirja në këtë listë e vendos këtë agjenci në krah të mosshembjes dhe ndërhyrjes restauruese.

AMT citon edhe reagimin e Mariya Gabriel, Komisionerja e Bashkimit Europian për Kulturën për të përforcuar bindjen e tyre se godina paraqet vlera historike, arkitekturore e kulturore që duhen ruajtur. Megjithatë, vetë Gabriel kërkon dialog.

“Dialogu me shoqërinë civile dhe ekspertët e trashëgimisë kulturore është një domosdoshmëri para se të ndërmerret ndonjë vendim i pakthyeshëm për çështjen e Teatrit Kombëtar. Inkurajojmë të gjitha institucionet që të angazhohen menjëherë në një dialog konstruktiv me aktivistët e mbrojtjes së trashëgimisë”, shkruan ajo.

Por, si për Qeverinë, ashtu edhe për Bashkinë kjo çështje është shteruar prej kohësh. Ata që janë për shembjen thonë godina nuk paraqet ndonjë vlerë, as arkitekturore dhe as historike e kulturore për shqiptarët, e për më tepër ajo është amortizuar dhe në vend të saj duhet një teatër i ri dinjitoz.

Vetë Bashkia e Tiranës e mbështet vendimin e marrë për shembjen tek një ekspertizë e bërë nga Instituti Ndërtimor që në 2018-ën. Sipas kësaj ekspertize, kostoja financiare e riparimit të godinës është e lartë.

Politika dhe Teatri

Drejtuesit e opozitës kanë shprehur mbështetjen për aktivistët që janë vënë në vijën e parë të mbrojtjes së godinës. Lulzim Basha e ka cilësuar si vija e kuqe e shpalljes së aktit të luftës. Me një gjuhë më të moderuar, por në thelb të njëjtën gjë ka thënë edhe Presidenti Ilir Meta. Ky i fundit ka dorëzuar në Gjykatën Kushtetuese edhe vendimin e Këshillit të Ministrave, që kalon pronësinë e godinës dhe truallit të Teatrit Kombëtar tek Bashkia e Tiranës. Meta paralajmëroi se prishja mund të shkaktojë trazira sociale.

“Na mjaftojnë kujtimet e kazmave të komunizmit ndaj kishave, kulturës në 1967. Në këtë situatë ende pandemie në vend që të merremi me përballimin e pasojave nuk mund të bëjmë një marrëzi të tillë t’i vëmë kazmën Teatrit Kombëtar dhe duke i vënë kazmën përpjekjeve tona për të ecur bashkë me Maqedoninë e Veriut në rrugën e Integrimit. Do të ishte një provokim serioz për paqen sociale që në këtë moment është shumë e rëndësishme për vendin. Shpresoj që ato fakte që kam parë në media të mos jenë të vërteta”, tha Presidenti.

*Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji*


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë