Ka ndodhur

Emigrantë drejt Malit të Zi, në pranga dy të rinj në Shkodër

Gazeta Si – Një tentativë për kalimin e paligjshëm të kufirit drejt Malit të Zi është goditur në Shkodër, ku dy të rinj u arrestuan pasi u kapën duke transportuar me furgon 15 emigrantë nga vendet e Afrikës.

Të arrestuarit janë 22 vjeçari me inicialet E. A., dhe 19 vjeçari me inicialet M. F. të dy banues në Fushë-Arrëz. Ata u ndaluan në fshatin Vukpalaj, pranë kufirit me Malin e Zi, ndërsa, sipas Policisë, po transportonin emigrantët kundrejt pagesës.

15 emigrantët kishin si synim të kalonin në mënyrë të paligjshme në territorin e Malit të Zi, por u ndaluan gjatë kontrolleve të Policisë Kufitare, e cila kishte organizuar një operacion pas informacioneve të siguruara në rrugë operative.

Furgoni i përdorur për transportin e emigrantëve u sekuestrua, ndërsa ndaj dy të rinjve nisi procedimi penal për veprën penale të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit. Materialet i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër për veprime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Më Shumë