Politike

Përballja për Teatrin, a u bë Lubonja lajmëtar i lëvizjes së re politike?

Kur Edi Rama u dhunua barbarisht në janar të vitit 1997 nga ish SHIK-u i kohës, Fatos Lunonja ishte zëri i parë publik që në gazetën “Koha Jonë”, radhiti një editorial të gjatë për mikun e tij me titull “Të hatashëm përsëkeqi në diktaturë, të hatashëm dhepërsekeqi në liri”…

…Për ironinë e fatit, sot pas 23 vjetësh, Fatos Lubonja flet sërish për diktaturë (të një tjetër forme) por kundër ish-mikut të tij Edi Rama me të cilin dikur ishte protagonist dhe nismëtar i lëvizjeve politike, kur vendi përjetonte  kriza të thella…

Foto: Fatos Lubonja ne protesten kunder shembjes se godines se Teatrit

…Në protestën e Aleancës për Mbrojtjen e Teatrit, Lubonja artikuloi më qartë se të gjithë ata jopolitikanë që folën në protestën e së hënës kundër shëmbjes së Teatrit. Ai vuri një kërkesë të parë dhe të dytë. E para doreheqjen e Veliajt, që, sipas tij, zbatoi shembjen e godinës së Teatrit dhe finalja largimi i Ramës.

Lubonja i përcolli këto kërkesa, duke kërkuar reflektim nga ana e qytetarëve se kishte ardhur koha për një projekt të qartë. A mund të jetë ky një projekt politik? Kjo mbetet për tu parë. Por Lubonja la shumëçka të hapur në fjalën e tij, që më shumë se për Teatrin ishte thellësisht politike.

“…Kemi një bandë kriminale shumë të rreziksme dhe përtej entuziazmit duhet të mendojmë se si të çlirohemi nga kjo bandë kriminale që ka kapur shtetin. Unë mendoj që secili nga ne që është këtu duhet të ketë një projekt në kokë, që të bëhet projekti i qytetarëve, se si të çlirojë vendin nga kjo bandë kriminale.

E para, duhet bërë me një kërkesë për të nxjerrë përpara gjyqit të të gjithë autorëve të këtij krimi. Duhet të kërkojmë dorëheqjen e Erion Velisë dhe duhet ta kërkojmë sot, nesër dhe vazhdimisht derisa të ikë atje dhe të jetë i gatshëm për prokurorinë për shkeljet që ka bërë”, tha Lubonja para protestuesve.

“Duhet të protestojmë, -vijoi ai,- në mënyrë të vazhdueshme përpara prokurorisë, e cila përballë dokumenteve të shkatërrimit, këta duhet të japin llogari”.

“Mendoj se pa dyshim që ky proçes duhet të na çojë tek kryetari i bandës që është Edi Rama dhe jo vetëm tek shkatërrimi i gjithë mekanizmit të të gjithë pushtetit që ka ngritur duke përdorur paratë e krimit për të gjeneruar pushtet dhe pushtetin për të gjeneruar paratë e krimit”, tha ai.

Sipas tij, Rama ka futur krimin në politikë dhe në ekonomi dhe ka shkatërruar kapacitetet intelektuale.

“Kemi një pushtet përballë shumë të rrezikshëm.

Bashkë me kërkesën që këta të shkojnë përpara drejtësisë dhe Erion Veliaj të japë dorëheqjen dhe të mos mbrohet nga pushteti, sot na duhet të mendojmë se si duhet të rindërtojmë dinjitetin dhe lirinë e cënuar brënda nesh.

Ai rindërtimi i teatrit nuk është thjesht rimarrja e një objekti kulturor, por është çlirimi nga trauma e kësaj bande kriminale dhe nëpërmjet këtij teatri mund të bëhet gjyqi i gjithë bandes kriminale që t’i hapin rrugën një Shqipërie tjetër dhe jo Shqipërisë së kriminelëve, një Shqipërie ku e mira të jetë mbisunduese”, tha ai.

Foto: Nje protestues me pankarten; Qeveria duhet rrezuar, opozira duhet nderruar

Qëndrimet e Lubonjës ndaj Ramës dihen qyshse miqësia e tyre është prishur. Por ndryshe nga studiot televizive dhe gazetat ku flet dhe shkruan çdo ditë, këto paralajmërime, ai i bëri në shesh, aty ku siç pranoi edhe vetë, del rrallë.

Në një shesh ku artistë dhe aktivistë me opozitën janë bërë bashkë për një qëllim, largimin e Ramës.

*Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji*


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë