Editorial

Një skenë për artistët, jo një teatër për aktorët politikë

Një demokraci funksionale ka të ndarë rolet e gjithsecilit prej aktorëve. Shumica ka në dorë të qeverisë dhe të marrë vendime. Opozita ka në dorë fjalën, të kundërshtojë shumicën në vendimet që merr përmes, argumentave, vizionit dhe propozimeve. Presidenti, nuk ka rol ekzkutiv, por përmes mekanizmave që i ka garantuar ligji dhe Kushtetuta ushtron presion mbi të gjithë komponentët e shtetit që gjithçka të funksionojë brenda kornizave kushtetuese dhe ligjore. Shoqëria civile ka në dorë të vigjilojë mbi qeverisjen dhe pushtetin, të konsultojë, kritikojë dhe protestojë ndaj vendimmarrjeve. Në fund, përgjegjësinë për vendimet e të gjithë aktorëve e vendos sovrani, domethënë populli më votë.

Ajo që po ndodh në Shqipëri në këto kohë pandemie është se të gjithë aktorët, jo vetëm ata që protestojnë te Teatri Kombëtar, duket se kanë dalë nga roli që i ka përcaktuar edhe ligji edhe kushtetuta edhe shoqëria dhe fjalët më të përdorura janë ato për "vija të kuqe", "gjak", "përleshje", "matje forcash", "shëmbje", "shkatërrim", "përmbysje", "vjedhje", "grabitje" etj. etj.E gjithë kjo ngjarje që i ngjan një teatri masiv po zhvillohet me britma dhe ulërima, me zhurmë e kakofoni saqë askush më nuk respekton askënd dhe ku askush tjetër përveç atyre që me apo pa qëllim kanë hyrë në këtë debat kupton ndonjë gjë.

Teatri Kombëtar po kthehet në nje telenovelë me sezone ku njerëzit që kanë humbur durimin sezon pas sezoni, nëse nuk kanë ndjekur me vëmendje të gjithë episodet apo nëse kanë humbur disa prej tyre e kanë të vështirë të kuptojnë vijimin e serive të reja. Përveç protagonizmit të njërës apo tjetrës palë, politizimit në ekstrem të çështjes dhe agresivitetit që një pjesë e komunitetit apo protestuesve shpreh ndaj pjesës tjetër që mendon ndryshe nga ata, pyetja që shtrohet është: A ka nevojë Tirana, Shqipëria për një skenë tjetër, të re, të madhe, moderne të Teatrit Kombëtar? A ka nevojë për një sallë të re, më të madhe e më moderne të Teatrit Kombëtar? A ka nevojë për një godinë të re, të madhe dhe më të bukur të Teatrit Kombëtar? Nëse do të pyeten të gjithë shqiptarët shumica dërrmuese do të thotë pa hezituar "Po". A i plotëson këto skena, salla, godina ekzistuese? Përgjigja këtu është "Jo".

Atëherë përse gjithë ky debat?

Debati se godina 80 vjeçare paraqet vlera historike dhe të trashëgimisë kulturore është një debat që nuk i takon politikës, disa aktorëve dhe disa aktivistëve të shoqërisë civile. Ai është një debat që i takon ekspertëve dhe specialistve, sikurse edhe ai për materialet e ndërtimit, kushtet në të cilat ndodhet godina, rreziqet apo gjithçka tjetër. Nëse ky debat po degjeneron në çështje shijesh, shijet janë gjithmonë subjektive dhe nuk janë objekt debati kombëtar apo përleshjesh trup më trup.

Shqipëria ka nevojë për një skenë të re, për një teatër të ri, aty ku ka qenë i vjetri. Teatrin Kombëtar nuk e ka bërë godina, emrin, vlerën dhe famën nuk ia ka dhënë arkitekti italian. Teatrin Kombëtar e kanë bërë artistët e mëdhenj, të gjithë brezat që kanë luajtur dhe kanë dhënë shfaqje në atë skenë. Teatri Kombëtar nuk janë muret, janë vlerat, emocionet, duartrokitjet. Teatri Kombëtar është institucioni më i madh i artit në vend dhe ka nevojë për një mjedis ku të jetohen emocionet e të dëgjohen duatrokitjet.

Nëse artistët protestues duan atë godinë, atë skenë, nuk është e thënë që ata përfaqësojnë shijet dhe dëshirën e shumicës së komunitetit dhe nuk mund të ndalojnë të tjerët që duan një godinë të re më të bukur e më të madhe. Nëse kemi degjeneruar në këtë pikë gjithçka vjen prej faktit se ai Teatër nuk është më institucioni që dikur ka qenë, nuk prodhon më emocionet që dikur ka sjellë për publikun dhe gjithmonë e më pak artistë të mirë dalin në atë skenë. Prandaj, nuk mund të mbash gjallë një godinë të dalë prej kohësh jashtë funksionit me mallin e brezave që e bënë të madhe skenën e saj. Nuk mund të mbash peng edhe skenën e rëndë që ka parë të luajnë sipër saj gjenerata aktorësh me kujtimet e lavdisë së shkuar. Ky vend ka nevojë për një skenë të re të madhe që të gjenerojë radha artsitësh të rinj, dhe jo një godinë të rrënuar ku aktorë të vjetër të luajnë dramën e teatrit bajat politik të këtyre 30 viteve.

E vetmja gjë që është pozitive në të gjithë këtë debat është fakti se po debatohet mes idesë për të patur një teatër siç është dhe një teatër tjetër më të madh, ndërkohë që jo më larg se 12-13 vjet më askush nuk ngiti zërin dhe tha gjysëm fjalë kur me një të rënë të lapsit u fshinë nga faqja e dheut institutet e specializuara kërkimore-shkencore duke e lënë Shqipërinë të zbrazur nga shkëncëtarët dhe specialistët. Tërmeti ishte shëmbulli që e tregoi më së miri këtë.

Pikërisht edhe për këtë politika duhet t’i qëndrojë larg këtij debati. Pavarësisht se një pjesë të madhe të fajit kanë ata që e inicuan këtë aksion, ata që qeverisin dhe marrin vendime. Me vendimet e tyre të dyshimta, të paqarta, kontradiktore, arrogancën, piruetat dhe mungesën e transparancës gjatë këtij proçesi të rëndësishëm, ishin ata që  e bënë pis nevojën ulëritëse të komunitetit artistik për një teatër të ri, të madh, të bukur dhe modern. Mënyra se si arritëm deri këtu ka nevojë për transparencë, dhe drejtësia po bën punën e saj. Debati I mëtejshëm I atyre që ngatërrojnë rolet është i kotë, keqdashës dhe kundërproduktiv. Debati politik për vjedhje e grabitje nuk është debat që bëhet në rrugë, por në dyert e gjykatave. Nëse do ta degjenerojmë debatin për gjithçka në rrugë, atëherë nuk mbetet më asgjë për institucionet, as për drejtësinë dhe as për Kushtetutën. Dhe prej këtu lind sërish dyshimi se palët janë bërë bashkë për të vjedhur shumëçka.

*Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji*


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë